MAeroporti i Cyrihut ka shënuar një moment historik në vitin 2025, duke regjistruar numrin më të lartë të pasagjerëve që nga hapja e tij. Gjatë vitit të kaluar, 32,6 milionë pasagjerë kanë udhëtuar përmes këtij aeroporti, çka përfaqëson një rritje prej 4,5 për qind krahasuar me vitin 2024.
Sipas njoftimit zyrtar të Aeroportit të Cyrihut, për herë të parë pas pandemisë, trafiku ajror vjetor ka tejkaluar nivelin para krizës së vitit 2019, duke arritur në 103,4 për qind të shifrave të asaj periudhe. Kjo e bën vitin 2025 më të suksesshmin në historinë e aeroportit për nga numri i udhëtarëve.
Më pak fluturime, por avionë më të mbushur
Megjithëse numri i lëvizjeve ajrore është rritur me 3,5 për qind, duke arritur në 270.116 fluturime, ai mbetet ende nën nivelin e vitit 2019. Rritja e numrit të pasagjerëve ka qenë më e madhe se rritja e fluturimeve, gjë që tregon për efikasitet më të lartë në përdorimin e kapaciteteve, transmeton 20min.ch. Shkalla e mbushjes së vendeve në avionë ka arritur në 79,8 për qind, ose 1,5 pikë përqindjeje më shumë se në vitin 2019. Kjo lidhet me përdorimin e avionëve më të mëdhenj dhe me një menaxhim më të mirë të kapaciteteve nga linjat ajrore.
Transporti i mallrave pranë rikuperimit të plotë
Edhe sektori i transportit ajror të mallrave ka shënuar përmirësim të ndjeshëm. Në vitin 2025, në Aeroportin e Cyrihut janë përpunuar 440.930 tonë mallra, vetëm 2,4 për qind më pak se niveli para pandemisë, duke treguar se rikuperimi është pothuajse i plotë.
Aeroporti i Cyrihut AG ka njoftuar se do të japë detaje të plota mbi rezultatet financiare dhe operacionale të vitit 2025 më 10 mars 2026, transmeton 20min.ch, përgatiti helveticALforum.ch.
(Foto ilustrim)




