Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali gjatë vizitës së saj në Kiev, është takuar me homologun Andrii Sybiha, të cilit i ka rikonfirmuar mbështetjen e Shqipërisë ndaj Ukrainës në luftën e saj me Rusinë.
Spiropali garantoi se Shqipëria do të qëndrojë pranë Ukrainës në rrugëtimin e kësaj të fundit drejt paqes së drejtë e të qëndrueshme dhe për të ardhmen e përbashkët europiane.
Ndërkaq, ministrja u ndal te situata e luftës ruse në Ukrainë, duke theksuar se Kievi vijon të përballet me sulme masive të cilat targetojnë popullsinë civile dhe infrastrukturën moderne.
Ajo shtoi se, ukrainasit po përjetojnë pasoja të mëdha të këtyre sulmeve, duke nisur që nga mungesa e energjisë elektrike, te mungesa e ngrohjes dhe ujit.
“Kievi vijon të përballet me sulme masive që targetojnë popullsinë civile dhe infrastrukturën kritike. Në këtë mot dimri ekstrem, ukrainasit po përjetojnë pasojat e mungesës së energjisë, ngrohjes dhe ujit.
Me kolegun Andrii Sybiha, rikonfirmova mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë ndaj Ukrainës në përballjen me këto mizori që synojnë të thyejnë shpirtin e popullit ukrainas.
Shqipëria do të qëndrojë pranë Ukrainës për aq kohë sa do të jetë e nevojshme, në rrugën drejt një paqeje të drejtë e të qëndrueshme dhe për të ardhmen e përbashkët europiane”, shkruan Spiropali në rrjetin social Facebook, transmeton rtsh.




