Kosova shënon sot 27-vjetorin e Masakrës së Reçakut, një nga krimet më të rënda të kryera gjatë luftës në Kosovë. Më 15 janar 1999, forcat serbe vranë mizorisht 45 civilë shqiptarë në fshatin Reçak të komunës së Shtimes, një ngjarje që tronditi opinionin ndërkombëtar dhe ndryshoi kahjen e zhvillimeve politike dhe ushtarake në vend.
Masakra e Reçakut u bë pikë kthese pas deklaratës publike të shefit të misionit verifikues të OSBE-së, William Walker, i cili e cilësoi këtë krim si masakër ndaj civilëve të pafajshëm. Ky qëndrim i prerë mobilizoi bashkësinë ndërkombëtare dhe çoi drejt intensifikimit të përpjekjeve diplomatike, që kulmuan me Konferencën e Rambujesë dhe më pas me ndërhyrjen e NATO-s, duke hapur rrugën drejt çlirimit të Kosovës.
Masakra e Reçakut mbetet simbol i vuajtjeve dhe sakrificës së popullit të Kosovës, si dhe dëshmi e domosdoshmërisë për drejtësi, të vërtetë dhe kujtesë historike.
Në kuadër të shënimit të 27-vjetorit, nën organizimin e institucioneve vendore dhe qendrore, si dhe shoqatave të dala nga lufta, po zhvillohen aktivitete të shumta përkujtimore në kuadër të manifestimit tradicional “Ditët e Reçakut”. Qëllimi i këtyre aktiviteteve është nderimi i viktimave dhe përcjellja e së vërtetës historike te brezat e rinj.
Sot, në të gjitha shkollat e Republikës së Kosovës, ora e parë mësimore i është kushtuar 15 Janarit – Masakrës së Reçakut. Po ashtu, janë paraparë homazhe nga niveli komunal dhe shtetëror në Varrezat e Dëshmorëve në Shtime, Mollopolc dhe Reçak, homazhe nga krerët e shtetit në Kompleksin Memorial në Reçak, Akademi Përkujtimore në Shtëpinë e Kulturës në Shtime, hapja e ekspozitës tradicionale “Çmimi William Walker 2026”, edicioni i dytë, si dhe finalja e Turneut Memorial në futboll të vogël “Ditët e Reçakut”.
Një ditë më parë, në shkollat e Komunës së Shtimes u mbajt ora mësimore përkujtimore, ndërsa në Bibliotekën e Qytetit u organizua një tryezë shkencore nga Forumi i Intelektualëve të Shtimes me temën “Mohimet serbe të krimeve dhe gjenocidit – destabilizim për Ballkanin”. Aktivitetet përkujtimore mbahen nën patronatin e Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, Kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, Kryetarit të Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, si dhe Shoqatave të Dala nga Lufta, transmeton rtk.




