Nga Merita B. McCormack
Dr. Eris Rusi dhe Z. Beqir Potka vizituan Washington Dc më datën 12 janar 2026. Pas disa vizitave nëpër institucione të ndryshme të artit, letërsisë dhe historisë në qytet, mbasditja e vonshme i gjeti në “Divine Mercy University” në afersi te Washington DC. Aty u mblodhën shqiptaro-amerikane për të mirëpritur miqtë e ardhur nga larg e për të dëgjuar për librin e shkruar nga Dr. Rusi e për tu takuar me protagonistin e librit Z. Beqir Potka.
Në takim morën pjesë gazetarë, pedagogë, intelektualë, përfaqësues të organizatave shqiptar-amerikane në komunitet dhe disa studentë të gjuhës shqipe dhe të shkencave politike në DC.
Takimin e hapi Z. Tony Macdonell nga Universiteti “Divine Mercy University” I cili mirepriti pjesëmarresit, përgezoi për suksesin e librit dhe ftoi pjesëmarrësit të njihen me misionin e Universitetit.
Aktiviteti pastaj vazhdoi me shfaqjen e një dokumentari të shkurtër ku tregohet një përmbledhje e jetës se Z.Potka dhe histori a shkrimit te librit. Pas kesaj filloi nje bisede moderuar nga autorja e ketij shkrimi (Merita McCormack).
Biseda u ndërtua mbi rrëfimin tërheqës në libër, i cili ndjek e pasqyron udhëtimin e jashtëzakonshëm të Beqir Potkës nga ferri shtypës i regjimit komunist të Enver Hoxhës — ku kufijtë ishin të mbyllur dhe tentativat e arratisjes shpesh përfundonin me vdekje. Aty rrëfehet me detaje rrëqethëse arratisja e rrezikshme drejt Greqisë (ku u përball me marrje në pyetje dhe pasiguri, si një ng ate paktet shqiptarët atje në atë kohë), dhe më pas udhëtimi në Shtetet e Bashkuara si refugjat pas 16 muajsh në Greqi. Pasi mbërriti në Amerikë, historia vazhdon te theksoje forcën, vendosmerinë, punën e palodhur dhe suksesin e tij si biznesmen (sot me bazë në Nashville, TN, i përfshirë në tregtinë ndërkombëtare të qilimave orientalë dhe sipërmarrje të tjera).
Ky libër nuk është vetëm një shkrim i disa kujtimeve personale, por një ilustrim frymëzues i triumfit të shpirtit njerëzor mbi pamundësinë: guximi, besimi në Zot, këmbëngulja dhe transformimi i “Ëndrrës Amerikane” nga një ideal i largët në Lavdarin rural në një realitet të prekshëm e të sukseshem. Libri thekson se kjo histori shkon “përtej individit”, duke qenë dëshmi për mijëra arratisje të ngjashme shqiptare gjatë komunizmit, por gjithashtu edhe feston jetën e Potkës si provë se suksesi vjen nga besimi në Zot, nga veprat e mira dhe nga vendosmëria e palëkundur për të punuar fort e për tju gjendur të tjerëve. Potka ëahtë një lider i komunitetit shqiptar në Nashville TN dhe mjaft bujar në ndihmën e tij për të tjerët.
Alternimi pyetjeve dhe përgjigjeve u ndërtua rreth kestyre temave dhe i tillë që të ishte jo vetëm përshkrim i një procesi letrar por edhe me rrëfime të ndjera nga vetë personazhi kryesor, protagonisti, vetë Z. Potka. Emocionet ishin të dukshme, përshkrimet e dhimbshme, arti që i ka përjetësuar, por të gjitha lidhur bukur e mbajtur fort nga hiri që vetëm Zoti jep.
Dr. Rusi solli dhe fragmente nga libri, shoqëruar edhe me poezi të shkruara nga i ndjeri Ati i tij, Skënder Rusi, siç njihej e do të njihet përjetësisht si poeti i “dhimbjes së bukur”.
Siç e thotë dhe Z. Potka shpesh: Gjithçka është prej Perëndie!
Libri është promovuar në takime të ndryshme në Shqipëri dhe më gjerë në trevat shqipfolëse rreth shtetit shqiptar por edhe në SHBA, si në Nju Jork tek Vatra, duke u pozicionuar si lexim motivues jo vetëm për shqiptarët por dhe për komunitetet e diasporës.
Pas takimit u shtrua një darkë në një restorant afer Universitetit ku miqtë udhetare ndanë edhe detaje të tjera nga bashkëpunimi letrar e profesional i tyre. Atmosfera e gëzimit dhe dashurisë mes shqiptarëve në mërgim ishte si gjithnjë prezente. Organizatorët i falenderuan miqtë për vizitën dhe ju dhanë certifikata mirënjohjeje.
I urojmë miqve vazhdim të mbarë në qytetet e tjera! /GD




