11.1 C
Zurich
Wednesday, January 14, 2026
spot_img
spot_img

Fitoi Çmimin e Madh në Saint-Saëns International Music Competition, Prof. Ina Kosturi

Duhet ti lexosh

Intervistoi: Sokol Paja

“Shpaloseni talentin shqiptar nëpër botë e na bëni krenarë”

1. Prof. Kosturi, urimet më të përzemërta për fitimin e Çmimit të Madh “Grand Prix” në Saint-Saëns International Music Competition. Si ndjeheni pas këtij vlerësimi dhe kujt ia dedikoni këtë sukses?

Ju falenderoj për urimin si dhe mundësinë e kësaj interviste. Kënaqësi dhe vlerësim i lartë të nderohesh në një konkurs prestigjioz me Çmimin e madh dhe të rankohesh e para në gjithë kategoritë e katër sezoneve të vitit 2025. Në konkurset e kompozicionit bashkë me emrat e jurisë njihesh dhe me veprat e fituesve të tjerë. E kur shikon se ato interpretohen me orkestra të tilla si Orkestra Simfonike e Budapestit, Rumanisë, Madridit e të tjera kupton nivelin dhe ndjehesh e lumtur për vlerësimin. Ndjesinë e kësaj fitoreje do ta krahasoja me emocionin e interpretimit të një prej kryeveprave e muzikës violinistike, Rondo Capriçiose të Camille Saint – Saëns, emrin e të cilit mban e nderon ky konkurs në Angli. Ky sukses erdhi pas “rrëmbimit “të disa çmimeve të tjera në konkurse ndërkombëtare si krijuese dhe interpretuese. Paraqitja si krijuese dhe interpretuese ngjan me një proces kompleks ku interpreton si violiniste, pra je pranë skenës e njëkohësisht në atë skenë gjendesh dhe si artiste në dimension të gjerë. Pra, muzikën mund ta rrëfesh si shkrimtare, ta ngjyrosësh si piktore, ta vallëzosh si koreografe. Ti japësh mundësi violinës të përmbledhë nëpërmjet tingullit e teknikës gjithë fantazinë tënde.

2. Vepra fituese “Koncert për Violinë dhe Orkestër”, cilat janë vlerat artistike të kësaj vepre? Çfarë e bën të veçantë?

Koncerti për violinë dhe orkestër u shkrua natyrshëm. Kur koha e dytë kish mbaruar, kuptova se kompozimi do ish një vepër e madhe prej tre kohësh, si një koncert tradicional me kadencë. Melodia si element i rëndësishëm përfshin tre kohët e veprës edhe pse të ndryshme nga njëra -tjetra në kohëzgjatjen prej gati 28 minutash. Muzika rrjedh natyrshëm ndërsa nga personalitete të artit, muzikantë të huaj e shqiptarë, koncerti u cilësua si mjaft interesant e violinistik që në momentin kur e mbarova së shkruari në kompjuter. Në kontekstin e krijmtarisë muzikore shqiptare kjo vepër erdhi si krijimi i parë pas një mungese 30 vjeçare të koncertit për violinë. Teknika e lartë violinistike, pasazhet, këndueshmëria dhe ekspresiviteti ngatërrohen me ngjyrat e kohës së sotme. Pikërisht në këtë shkrirje të formës tradicionale të veprës, gjuhës së guximshme, ekspretivitetit, qëndron melodia, që si një iso i vishet violinës soliste dhe orkestrës, duke ruajtur në brendi elementin shqiptar.

3. Cili gjykoni se do jetë ndikimi i këtij çmimi ndërkombëtar në zhvillimin e karrierës suaj artistike e akademike dhe në promovimin e muzikës shqiptare ndërkombëtarisht?

Ky konkurs fokusohej në tre elementë të rëndësishëm: interpretimin, krijmtarinë dhe kërkimin akademik. Promovimi i muzikës shqiptare ka qënë një nga prioritetet e mia dhe ka nisur vite më parë si violiniste me interpretimin premierë të veprave të vjetra, të panjohura në skenën shqiptare. Mund të përmend pjesët e Thoma Nasit, Sonatën për violinë të Fan Nolit, krijimet e Kostandin Papajorgjit apo Lec Kurtit. Partet e vjetra shqiptare kanë ardhur nga Bostoni si një bekim e më vonë krijimet për violinë do më bënin shqiptaren e parë pjesëmarrëse si krijuese dhe interpretuese në “Women Composers Festival of Hartford” Connecticut USA në 2024 me “7 Capriçio” për violinë solo, të cilat gjithashtu do ishin pjesë e programit të koncertit të studentëve në studion e violinistes dhe pedagoges së shquar Ida Bieler në University of North Carolina ( UNSCA). Do botoja si e para shqiptare me shtëpinë e famshme muzikore vjeneze” Universal Edition” Vjenë e promovohesha në katalogun e tyre Winter Catalogue 2024-2025. Në shtator 2025 do interpretoja sërish si e para shqiptare performer- composer në Mozarthaus Vjenë. Janë konkurset që hapin këto dyer të rëndësishme, çmimet e fituara në Slloveni, Maltë , Zvicër, Vjenë. Shpresoj që ky konkurs të hapë dyert e orkestrave simfonike në Tiranë dhe këtë koncert të botuar e vlerësuar me çmimeve ndërkombëtare të mund ta interpretoj në vendin tim. Me misionin e promovimit të muzikës shqiptare organizoj festivalin Violinistic Festival Marathon Albania (Violinistic Greetings) në 13 edicione duke bashkëpunuar me artistë nga mbarë bota e promovuar muzikën shqiptare të vjetër e të sotme, duke pasuruar repertorin violinistik me vepra premierë të dedikuara për çdo edicion.

4. Si pedagoge e violinës në Universitetin e Arteve, si e sheh të ardhmen e muzikantëve të rinj shqiptarë? A ka talente Shqipëria? Çfarë brezi po rritet në Universitetet shqiptare?

Shqipëria ka dhe ka patur gjithmonë talente. Koha që jetojmë nuk është koha e artë e muzikës klasike, e megjithatë ky profesion është zgjedhje nga pasioni për instrumentin, muzikën. Misioni si institucion, si muzikantë, artistë e pedagogë është inkurajimi, përgatitja për skenën si dhe mbështetja në këtë rrugë të gjatë të artit. Sot është koha e bashkëpunimeve, e mundësive të shkëmbimit të eksperiencave, të organizimit të masterclasseve, koncerteve, festivaleve që mendoj se duhet të jenë prioritete në ndihmë të përparimit të artistëve të rinj. “To be the best” titullohet aktiviteti që realizoj çdo vit me studentët e klasës së violinës që drejtoj në UA, ky është misioni për të mbështetur, motivuar, për të qënë më pranë skenës , për të guxuar dhe kërkuar përmirësimin e vazhdueshëm të pandërprerë të nivelit në udhën e vështirë të artit e muzikës.

5. Si fituese e Çmimit të Madh në konkurset ËOMCO, cili është mesazhi juaj për artistët shqiptarë që synojnë skenat dhe karrierën ndërkombëtare?

Rruga e artit është sa e bukur aq dhe e vështirë, kërkon përkushtim e sakrifica. Krahas aftësive profesionale nevojitet besim, këmbëngulje, si dhe përgatitje psikologjike për të arritur suksesin. Duhet studiuar shumë, guxuar shumë dhe menduar se bota e artit është e pafundme me krijmtarinë dhe interpretimin e kolosëve të muzikës, dhe është privilegj të jesh dhe ti pjesë e saj. Për artistët shqiptarë do përmendja shprehjen e dikurshme të Thoma Nasit “Përkrahni muzikën e fjeshtë shqiptare “që sot do tingëllonte “Shpaloseni talentin shqiptar nëpër botë e na bëni krenarë “. /GD

- Reklama -spot_img

Më shumë artikuj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

Të ngjashme