11.1 C
Zurich
Wednesday, January 14, 2026
spot_img
spot_img

Osmani: Dialogu Kosovë–Serbi duhet të çojë drejt njohjes reciproke dhe trajtimit të barabartë

Duhet ti lexosh

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, priti në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sørensen, me të cilin diskutoi zhvillimet e fundit politike në vend, zgjedhjet, çështjet e sigurisë, marrëdhëniet me Bashkimin Evropian dhe të ardhmen e dialogut me Serbinë.

Gjatë takimit, presidentja Osmani theksoi se procesi i dialogut duhet të jetë i përqendruar qartë në njohjen reciproke dhe se suksesi i tij varet nga trajtimi i barabartë i palëve. Ajo vlerësoi se Serbia ka shkelur vazhdimisht Marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit, duke cenuar sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, përfshirë akte agresioni dhe kundërshtimin e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Sipas Osmanit, dialogu duhet të ketë objektiva të qarta dhe rezultate të matshme në procesin e integrimit evropian, duke nënvizuar se interpretimi selektiv i marrëveshjeve dëmton besueshmërinë dhe efektivitetin e procesit.

Presidentja e informoi Përfaqësuesin e BE-së edhe për zhvillimin e suksesshëm, demokratik dhe gjithëpërfshirës të zgjedhjeve parlamentare dhe lokale në Kosovë, duke theksuar se ato dëshmuan pjekurinë demokratike të shtetit dhe funksionimin e institucioneve në përputhje me standardet evropiane.

Në takim u diskutuan gjithashtu marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Osmani përshëndeti vendimin e dhjetorit për heqjen e plotë të masave ndaj Kosovës, të shpallur në Samitin BE–Ballkani Perëndimor, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm drejt rivendosjes së partneritetit të plotë dhe të barabartë me BE-në.

Duke folur për perspektivën evropiane të vendit, presidentja theksoi se dhënia e statusit të vendit kandidat për Bashkimin Evropian është një domosdoshmëri strategjike për Kosovën, rajonin dhe vetë kredibilitetin e BE-së. Ajo vuri në pah përputhshmërinë e plotë të Kosovës me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së, bilancin demokratik dhe vrullin e reformave, duke theksuar angazhimin për të punuar me shtetet anëtare dhe institucionet evropiane për avancimin e statusit kandidat pa vonesa të mëtejme, transmeton rtk.

- Reklama -spot_img

Më shumë artikuj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

Të ngjashme