Ka nisur takimi ndërmjet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, dhe përfaqësuesit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sørensen. Ky takim zhvillohet në kuadër të vizitës zyrtare të emisarit evropian në Prishtinë, e cila ka në fokus hapat e radhës në procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.
Para takimit me presidenten Osmani, Sørensen zhvilloi një bisedë me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti. Emisari evropian arriti në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës, ku u prit nga Kurti, me të cilin diskutoi zhvillimet e fundit dhe perspektivën e dialogut me Serbinë.
Vizita e Sørensenit në Prishtinë është pjesë e një turi më të gjerë rajonal. Burime nga Brukseli i kanë thënë RTK-së se gjatë qëndrimit në Kosovë, ai do të zhvillojë takime edhe me përfaqësues të partive opozitare, për të dëgjuar qëndrimet e spektrit të gjerë politik lidhur me dialogun.
Një ditë më pas, të enjten, emisarit të BE-së pritet t’i vazhdojë takimet në Beograd, ku janë planifikuar bisedime me lidershipin shtetëror serb. Agjenda e plotë e vizitës në Serbi është ende në proces finalizimi.
Kjo vizitë shënon angazhimin e parë të Peter Sørensenit në rajon pas marrjes së mandatit të dytë si ndërmjetësues i Bashkimit Evropian në procesin e dialogut Kosovë–Serbi, transmeton rtk.




