Paris – Paris Saint-Germain u eliminua nga Kupa e Francës pas një humbjeje 0-1 ndaj Paris FC në raundin e 1/16, të hënën në mbrëmje.
Pas ndeshjes, trajneri spanjoll i PSG-së, Luis Enrique, komentoi performancën e skuadrës së tij. Ai theksoi se, pavarësisht rezultatit, ekipi dominoi ndeshjen dhe krijoi shumë raste shënimi. “Nuk ishte problem mënyra se si luajtëm, por futbolli është një sport ku duhet të shënosh. Ata shënuan, ne jo. Jam shumë i kënaqur me atë që pashë, është e padrejtë për rezultatin, por duhet ta pranojmë”, u shpreh Enrique.
Pyetjes nëse humbja mund të jetë paralajmërim për mungesën e trofeut të parë të sezonit, trajneri u përgjigj se rezultati është çuditshëm, por skuadra tregoi dominim gjatë gjithë ndeshjes. Ai shtoi se është e rëndësishme të dish si të humbasësh dhe të nxjerrësh mësime nga çdo sfidë.
Luis Enrique theksoi gjithashtu se humbja mund të ketë një aspekt pozitiv për kalendarin e ngjeshur të sezonit, duke i dhënë skuadrës mundësinë të përqendrohet në garat e tjera. Ai mbrojti lojtarët e tij, duke theksuar performancën individuale dhe kolektive, por nënvizoi se duhet të shënojnë më shumë gola për të përfituar rezultate pozitive.
Sa i përket rivalitetit me Paris FC, Enrique u shpreh se humbja nuk do të ndikojë veçanërisht në marrëdhëniet mes dy ekipeve në të ardhmen, transmeton euronewsal.




