Sa herë që fatkeqësitë natyrore, si përmbytjet apo zjarret masive, kthehen në epiqendër të vëmendjes, rihapet debati mbi përgjegjësitë dhe masat parandaluese. Së fundmi, qeveria ka miratuar ndryshime në ligjin “Për ndryshimet klimatike”, të publikuara në Fletoren Zyrtare dhe që hyjnë në fuqi në fund të këtij muaji.
Ndryshimet synojnë rishikimin e kuadrit kombëtar për klimën dhe forcimin e masave të përshtatjes, duke përcaktuar dokumentet kryesore strategjike si Strategjia Kombëtare Afatgjatë, Plani Kombëtar për Përshtatjen dhe Plani Kombëtar për Energjinë dhe Klimën. Progresi i zbatimit të këtij të fundit do të monitorohet çdo dy vjet nga një grup ndërministror.
Ligji parashikon gjithashtu afate të qarta rishikimi për strategjitë dhe planet kombëtare, si dhe shton një nen të ri për përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike, që përfshin forcimin e kërkimit shkencor, përmirësimin e sistemeve të të dhënave dhe paralajmërimit të hershëm, ngritjen e kapaciteteve institucionale dhe sigurimin e fondeve të posaçme për financimin e masave të nevojshme, transmeton oranews.




