2.8 C
Zurich
Friday, January 2, 2026
spot_img
spot_img

Plagë në një trup: kur mërgata përbuzet

Duhet ti lexosh

Nga Dashnim HEBIBI

Ditëve të fundit, veçanërisht gjatë fushatës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë, u ndje një frymë e rrezikshme: një lloj fushate e heshtur, por e qëllimshme siç shihej, kundër mërgatës. Fjalë të hedhura lehtë, nënçmime të fshehura, përgojime që lëndojnë thellë. U tentua nga disa të vihet në dyshim kontributi i mërgimtarëve – një kontribut që nuk ka nevojë të numërohet, sepse është i gdhendur në themelet e këtij shteti.

Sa ka dhënë mërgata para pavarësisë, gjatë saj dhe deri më sot, e dinë të gjithë. E dinë ata që kanë familjarë në mërgim, e dinë ata që janë rritur me remitanca, me sakrifica dhe me mall. Ta mohosh këtë është si t’i ngulesh thikën në zemër një trupi që ende rreh për atdheun.

Të flasësh keq për mërgimtarin është e rëndë. “E parkoi veturën keq”, “po vozit shpejt”, “po vijnë e bëjnë rrëmujë” – fjalë të vogla, por plagë të mëdha. Mërgimtari vjen në vendin e vet. Aty i ka prindërit, familjen, shtëpinë, varret e të parëve. Askush nuk ka të drejtë ta ndalojë, ta gjykojë apo ta përbuzë.

Mërgata ishte ambasadori më i mirë i kombit shqiptar në kohën kur Kosova ende nuk ishte shtet. Atëherë kur flamuri nuk valëvitej lirshëm, mërgimtari e mbante lart dinjitetin kombëtar nëpër botë. Një nënë shqiptare ia dha një djalë gurbetit që të mbante familjen, dhe një tjetër ia dha atdheut për liri dhe pavarësi. Kjo është historia jonë – histori dhimbjeje, sakrifice dhe krenarie.

Ne jemi të vuajtur, por të pathyer. Mërgata shqiptare është një aset i jashtëzakonshëm, i rrallë, që pak popuj në botë e kanë. Ajo jeton me atdheun çdo sekondë, frymon me të, shqetësohet për të dhe e dëshmon dashurinë çdo ditë – jo me fjalë, por me vepra.

T’u thuhet fjalë e keqe mërgimtarëve është e dhimbshme, sepse ata janë pjesë e të njëjtit trup. Mërgata është pjesë e trupit kombëtar – një pjesë e ndershme, e sakrifikuar dhe e pazëvendësueshme. Sot, gjeneratat e reja duhet të frymëzohen që të qëndrojnë të lidhura me vendin e të parëve, jo të rriten me ndjenjën e përbuzjes.

Kush i ka fajet për këtë klimë?

Nga po vijnë këta “parazitë” që tentojnë t’i hedhin sëmundje dashurisë për atdheun?

Dashurisë që ka mbijetuar luftëra, varfëri, ndarje dhe mërgim? Kjo dashuri nuk sëmuret lehtë. Ajo është më e fortë se çdo fushatë.

Mërgimtarët presin në kolona kufijsh nga 9 deri në 12 orë. Vijnë me mall, me lodhje, me shpresë. Në atdhe shpenzojnë shumë, ringjallin ekonominë, japin jetë. E kur kthehen prapë në kurbet, nisin gjithçka nga e para – shumë herë nga zeroja, e shpesh edhe nga minusët.

A po shihet pra rrezik atdheu nga ne, mërgimtarët? Jo. Rrezik është harresa. Rrezik është përbuzja. Rrezik është kur një pjesë e trupit tenton ta përjashtojë tjetrën. Sepse mërgimtari nuk është mysafir. Ai është atdheu që ecën larg, por rreh gjithmonë këtu.

Përbuzja ndaj mërgatës nuk është fenomen spontan, as i rastësishëm. Ajo buron nga një kombinim faktorësh politikë, socialë dhe psikologjikë që reflektojnë dobësi strukturore brenda shoqërisë sonë. Në radhë të parë, mërgata shpesh perceptohet gabimisht si kapital ekonomik pa subjektivitet politik dhe kulturor. Ky reduktim i rolit të saj në “burim financiar” krijon distancë emocionale dhe nxit instrumentalizim, por jo respekt të mirëfilltë.

Së dyti, diskursi përbuzës ndaj mërgatës intensifikohet zakonisht në periudha zgjedhore, kur ajo shihet si faktor ndikues, por edhe si konkurrent simbolik në narrativën e meritës, sakrificës dhe përkatësisë. Në këtë kontekst, mërgata trajtohet jo si pjesë integrale e trupit kombëtar, por si “tjetër” i brendshëm, i cili duhet kontrolluar ose relativizuar. Së treti, ekziston një hendek kulturor i krijuar nga përvoja të ndryshme jetese.

Mërgata funksionon brenda sistemeve perëndimore të disiplinës, efikasitetit dhe ligjshmërisë, ndërsa shoqëria vendore vazhdon të përballet me tranzicion të zgjatur institucional. Ky dallim shpesh prodhon keqkuptime, xhelozi sociale dhe stereotipe reciproke, të cilat shndërrohen në gjuhë përçmuese. 

Në fund, përbuzja ndaj mërgatës është edhe shenjë e një krize identitare kolektive: pamundësia për ta pranuar se zhvillimi kombëtar ka qenë dhe mbetet rezultat i përpjekjeve të përbashkëta, brenda dhe jashtë atdheut. Mërgata nuk është rrezik për shtetin; përkundrazi, çdo diskurs që e marginalizon atë përbën rrezik për kohezionin shoqëror dhe për vetë projektin kombëtar.

Një shoqëri që përbuz bijtë e saj në mërgim, në thelb, rrezikon të përbuzë vetveten.

helveticALforum.ch

- Reklama -spot_img

Më shumë artikuj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

Të ngjashme