Nga Dahest LUMA, Prishtinë
Nga Zvicra na vjen një lajm jashtëzakonisht i mirë dhe frymëzues. Dy bashkatdhetarë të njohur për kontributin e tyre kombëtar, humanitar dhe kulturor, Dashnim Hebibi dhe Florim Useini, të cilët jetojnë dhe veprojnë prej vitesh në Zvicër, kanë gati për botim dy libra të rinj, duke shënuar një arritje të rëndësishme jo vetëm personale, por edhe për mërgatën shqiptare në përgjithësi.
Siç mëson helveticALforum, bashkautorët kanë punuar për më shumë se dhjetë muaj pa ndërprerje në këto projekte letrare, të cilat trajtojnë tema shumë interesante dhe me vlerë të veçantë kulturore. Njëri nga librat tashmë e ka të njohur titullin dhe është në fazën e shtypit, ndërsa titulli i librit të dytë do të bëhet publik më 17 janar, para të pranishmëve në një ngjarje të veçantë kulturore.
Kjo nismë përbën një arritje të madhe për mërgatën shqiptare, veçanërisht për gjeneratën e re, duke dëshmuar se puna krijuese dhe angazhimi kulturor nuk njohin kufij gjeografikë. Modestia e z. Hebibi dhe z. Useini është e njohur: ata nuk flasin shumë për veten, por lënë që puna të flasë më shumë se fjalët. Dhe ndërkohë që “zhurma e makinave nuk po ndalet”, ata vazhdojnë të ecin përpara në heshtje, me përkushtim dhe vizion.
Puna krijuese vazhdon pa pushim dhe para tyre tashmë po merr formë edhe një projekt i ri – një libër i ri. Me përmbylljen e këtij viti dhe në prag të Vitit të Ri, ata po finalizojnë një projekt krijues shumë të rëndësishëm, duke falënderuar Zotin, familjen dhe miqtë për mbështetjen e vazhdueshme. Ky projekt është realizuar me zemër, kohë dhe përkushtim të veçantë.
Kësaj here bëhet fjalë për një libër që autorët e besojnë shumë dhe për të cilin janë të bindur se do të gjejë pritje shumë të mirë tek lexuesit. Libri vjen në bashkautorësi mes Dashnim Hebibit dhe mikut të tij të çmuar, Florim Useini – një bashkëpunim që ka lindur natyrshëm, mbi baza miqësore, profesionale dhe shpirtërore.
Botimi realizohet nga Shtëpia Botuese “Libri Im”, nën kujdesin e mjeshtrit të veçantë dhe artistit të merituar Berat Thaçi, ndërsa redaktimi mban vulën profesionale të Jeton Arifit, mik i kahershëm i autorit Hebibi dhe redaktor i shumë veprave të mëparshme të Hebibit. Ai është njeriu që, siç shprehet z.Hebibi, “e njeh më mirë se kushdo tjetër fjalëkalimin e shpirtit” dhe di ta shndërrojë mendimin në fjalë me peshën e duhur.
Një falënderim i veçantë i shkon Florim Useinit për bashkëpunimin korrekt dhe frymëzues, si dhe Meti Krasniqit, mikut të përbashkët, i cili u bë shkak që kjo rrugë krijuese të niste. Pikërisht nga ajo rrugë lindi ideja për ta kthyer përjetimin dhe historinë në një përshkrim të denjë në formë libri – një vepër e dedikuar jo vetëm lexuesve të sotëm, por edhe gjeneratave që do të vijnë.
Dhe puna nuk ndalet këtu. Muaji janar i vitit 2026 do të sjellë edhe një libër tjetër, sërish në bashkautorësi mes Dashnim Hebibit dhe Florim Useinit, duke e bërë fillimin e vitit të ri edhe më domethënës në aspektin kulturor dhe krijues.
Autorët ftojnë miqtë dhe atdhetarët që të rezervojnë datën 17 janar (e shtunë), pasi atë mbrëmje, në Zvicër, do të zhvillohen dy promovime librash. Ngjarja do të mbahet në orët e mbrëmjes dhe do të shoqërohet me mysafirë specialë. Ftesat zyrtare do të dërgohen së shpejti.
Libri tjetër, i cili tashmë ndodhet në duart e autorëve, është gati për t’iu dorëzuar redaktorit Jeton Arifi dhe më pas artistit teknik Berat Thaçi. Më 17 janar, të dy librat – ai që po shtypet dhe ai që sapo ka përfunduar – do të jenë në duart e lexuesve në Zvicër.
Po titulli i librit të dytë?
Ai do të zbulohet më 17 janar.
Për detaje të tjera, së shpejti.




