-1.2 C
Zurich
Sunday, December 28, 2025
spot_img
spot_img

Zvicra drejt një rekordi botëror: Luzerni planifikon teleferikun më të gjatë nëntokësor në botë

Duhet ti lexosh

Një gondolë mbi dhe nën qytet – Luzerni mund të hyjë në histori me një projekt unik transporti urban.

Luzerna, një nga qytetet më të vizituara të Zvicrës, përballet prej vitesh me një problem serioz trafiku, sidomos në zonën e qytetit të vjetër ku fluksi i turistëve, autobusëve dhe makinave private është shumë i lartë. Për të lehtësuar këtë situatë, iniciativa City Link ka propozuar një projekt ambicioz: ndërtimin e një teleferiku urban që do të kalojë si mbi, ashtu edhe nën qytet, transmeton 20min.ch. Sipas një studimi të ri teknik, projekti është plotësisht i realizueshëm. Linja e planifikuar do të lidhë qytetin e vjetër të Luzernës me Spitalin Kantonal dhe zonën e punës Ibach, pranë daljes së autostradës Emmen Süd.

Tuneli më i gjatë i teleferikut në botë

Edhe pse teleferikë urbanë ekzistojnë tashmë në qytete si Madridi apo Parisi, projekti i Luzernës do të ishte unik në shkallë botërore. Ai parashikon ndërtimin e një tuneli rreth një kilometër të gjatë, i cili do të ishte tuneli më i gjatë i teleferikut në botë. Këtë e ka konfirmuar edhe Arno Inauen, CEO i kompanisë zvicerane Garaventa, e specializuar në ndërtimin e teleferikëve, transmeton 20min.ch. Gondolat do të lëvizin fillimisht mbi tokë dhe më pas do të futen nën qytet, duke kaluar poshtë lagjeve të banuara. Kjo zgjidhje synon të shmangë konfliktet me banorët dhe të ruajë qetësinë urbane. Projekti përfshin gjithashtu një parking të madh në Ibach, një lidhje direkte me qytetin e vjetër dhe një stacion të ndërmjetëm pranë Spitalit Kantonal të Luzernës.

Vendimi i qytetarëve në vitin 2026

Kostoja totale e projektit vlerësohet nga 150 deri në 190 milionë franga zvicerane dhe parashikohet të financohet nga investitorë privatë. Megjithatë, për shkak se prek tokën dhe nëntokën e qytetit, nevojitet miratimi i autoriteteve dhe i qytetarëve të Luzernës.

Referendumi pritet të mbahet në nëntor 2026. Nëse projekti miratohet, do të nisë faza e planifikimit të detajuar, përfshirë vendndodhjen e saktë të stacionit nëntokësor në qytetin e vjetër. Ndërkohë, projekti ka ngjallur interes edhe në komunën fqinje Emmen, ku autoritetet lokale janë shprehur në favor të zgjatjes së linjës së teleferikut deri në Seetalplatz. Nëse realizohet, ky projekt do ta poziciononte Zvicrën edhe një herë si lidere botërore në zgjidhje inovative dhe të qëndrueshme për transportin urban, transmeton 20min.ch, përgatiti helveticALforum.ch

- Reklama -spot_img

Më shumë artikuj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

Të ngjashme