Pas 3 netëve të para që dhuruan emocione, sonte në mbrëmje do të mbahet në Pallatin e Kongreseve edhe finalja e Festivalit të 64 të Këngës në Radio Televizionin Publik Shqiptar.
Në mbrëmjen e sotme garojnë 23 këngëtarë, ku njëri prej tyre do të triumfojë në çmimin e madh që do ta dërgojë për Festivalin Europian të Këngës.
Lista e 23 këngëtarëve finalistë u plotësua pas kalimit në finale të 5 këngëtarëve debutues në këtë festival.
Mes plot surprizave dhe të ftuarve specialë, do të ndezin skenën “Shkodra Elektronike”: Elsa Lila dhe Aleksandër Gjoka; Bleona Qerreti dhe sensacioni i Eurovizionit të fundit, Tommy Cash i njohur me këngën e tij “Espresso macchiato” në Eurovizionin e fundit.
Tommy Cash pritet të elektrizojë skenën e Fest 64 duke qenë se artisti estonez njihet për guximin e tij me aspektet vizuale dhe tingujt inovativë.
Ndërkaq, që prej mesnatës të së premtes është hapur zyrtarisht edhe televotimi për 23 këngëtarët finalistë që do të garojnë sonte në mbrëmje.
23 këngëtarët finalistë kanë të bashkëshoqëruar edhe kodin përkatës përmes së cilit shqiptarët mund të votojnë nga Shqipëria dhe Kosova. Publiku shqiptar do të ketë mundësi që të votojë me SMS nga Shqipëria dhe Kosova deri në pesë herë nga i njëjti numër telefoni. Nga Shqipëria mund të votoni në numrin 56789 ku një mesazh kushton 60 lekë, ndërsa nga Kosova votoni në numrin 55789 ku një mesazh kushton 1 euro.
Nata finale e Fest 64 pritet të sjellë performanca të paharrueshme dhe rivalitet të fortë për çmimin e madh.
Një ditë më pas, të dielën, do të zhvillohet edhe Post-Fest ku publiku do të ketë mundësi të ndjekë në Pallatin e Kongreseve një kronikë të plotë e gjithçkaje që ndodhi në skenën më të rëndësishme të muzikës shqiptare.
Nën moderimin e Fjodora Fjor`s, Post Fest 64 do të ndalet te momentet kulmore të katër netëve të festivalit: performancat që u duartrokitën gjatë, surprizat e skenës, komentet që ndezën debate, por edhe emocionet e forta të artistëve fitues. Një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet rrugëtimit të këngës fituese dhe përfaqësimit të Shqipërisë drejt Eurovizionit, mes pritshmërive të larta, komenteve dhe analizave artistike, transmeton rtsh.




