Zvicra, e njohur si një nga vendet më të pasura në botë, po përballet me një sfidë të re për qytetarët e saj: çmimet e larta të jetesës. Një analizë e Zyrës Federale të Statistikave (BFS) ka treguar se produktet dhe shërbimet në Zvicër janë pothuajse dy herë më të shtrenjta se në Bashkimin Evropian. Sipas BFS-së, nëse një produkt në BE kushton 100 euro, ai në Zvicër shitet me 182 franga. Kjo e bën Zvicrën vendin më të shtrenjtë në Europë, duke e kaluar edhe Islandën dhe Luksemburgun.
Pasojat për konsumatorët janë të dukshme: qytetarët zviceranë planifikojnë të kufizojnë shpenzimet në vitin 2026. Një sondazh i kompanisë këshilluese Alixpartners tregon se një e treta e të anketuarve synojnë të shpenzojnë më pak, ndërsa vetëm një e pesta planifikon të rrisë shpenzimet.
Ku do të kursejnë zviceranët?
Sipas sondazhit, më shumë presion ndjehet në kategoritë jo-ushqimore dhe të bukurisë: 29% e të anketuarve do të reduktojnë shpenzimet në këto fusha. Arsyeja kryesore është pakësimi i të ardhurave të disponueshme dhe ndjenja se “më në fund kanë blerë sa u nevojitej”.Përveç kursimit të shpenzimeve të panevojshme, zviceranët po zgjedhin të blejnë më rrallë, të kthehen tek markat më të lira, dyqanet diskontuese dhe produktet e përdorura. “Produkte të bukurisë dhe kujdesi personal po bëhen një levë kryesore për buxhetin e familjes,” thotë Esther Liesenberg, Partner & Managing Director në Alixpartners, transmeton 20min.ch. Edhe udhëtimet dhe restorantet po shohin një kursim të dukshëm: vetëm 35% e zviceranëve do të shpenzonin paratë shtesë për udhëtime, ndërsa 30% thjesht do t’i kursenin. Vetëm 8% planifikojnë të rrisin shpenzimet për darka jashtë.Megjithatë, konsumimi i ushqimeve mbetet relativisht stabil: 67% e të anketuarve nuk parashikojnë ndryshim në buxhetin për ushqime.
Por konkurenca në këtë sektor është e ashpër: konsumatorët po krahasojnë çmimet, ndjekin oferta, preferojnë markat e dyqanit dhe ndryshojnë dyqan për të gjetur ofertën më të mirë. Shumë prej tyre planifikojnë të blejnë më shpesh në dyqane diskontuese, transmeton 20min.ch, përgatiti helveticALforum.ch.




