Real Madrid në kërkim të mbrojtësit të ri, Jeremy Jacquet i Rennes hyn në listën e objektivave.
Sipas gazetarit Matteo Moretto, Real Madrid ka filluar të monitorojë nga afër një nga qendërmbrojtësit më premtues të futbollit evropian, Jeremy Jacquet nga Rennes.
20-vjeçari po tërheq vëmendjen e klubeve të mëdha falë paraqitjeve të tij mbresëlënëse, dhe madrilenët e kanë shtuar emrin e tij në listën e kandidatëve për rindërtimin e mbrojtjes.
Situata në mbrojtjen e Real Madrid po bëhet alarmante. David Alaba dhe Antonio Rudiger po i afrohen fundit të kontratave të tyre, dhe gjithçka tregon se klubi nuk synon rinovimin e tyre. Kësaj i shtohet edhe fatkeqësia e vazhdueshme e Eder Militao-s, i cili pas dy dëmtimeve të rënda radhazi, sërish është jashtë fushave për rreth katër muaj.
Nëse Alaba dhe Rudiger largohen, e Militao mbetet i pasigurt fizikisht, sezoni i ardhshëm mund ta gjejë Real Madridin vetëm me Raul Asencio dhe Dean Huijsen si qendërmbrojtës të gatshëm — një situatë e papranueshme për një klub që synon trofe çdo vit.
Në javët e fundit, Real Madrid është lidhur me emra si Marc Guehi, Dayot Upamecano dhe Ibrahima Konate.
Por Jacquet është shfaqur si një nga profilët më intriguese: i gjatë, i qetë me topin dhe me lexime shumë të mira të lojës për moshën e tij.
Interesimi nuk vjen vetëm nga Madridi. Liverpool raportohet se e sheh Jacquet si objektivin kryesor, sidomos në rast largimi të Konates, i cili ndodhet në vitin e fundit të kontratës dhe vazhdon të lidhet fort me një kalim te Real Madrid./BS




