Tupanat dhe krahëshqipet e valltarëve kanë ndezur skenën e Pallatit të Kulturës në Tropojë. Breza të thyer në moshë deri te më të vegjlit, duket sikur fluturojnë në Kërcimin e Tropojës. Kostumet e djemve dhe vajzave i shtojnë hijeshinë aktivitetit në 1-vjetorin e futjes në UNESCO të Kërcimit të Tropojës. Mjeshtri i koreografisë, Skënder Haklaj, “Kërcimin e Tropojës” e krahason me të paimagjinueshmen.
“Kërcimet tropojanë janë si bjeshka, të lidhura në rrënjë dhe të ndara në kreshta”, u shpreh Haklaj.
Skënderi thotë se do të bëhet i përvitshëm ky aktivitet, i cili synon të përcillet ndër breza ashtu siç është përcjellë ndër shekuj.
“Çdo 4 dhjetor festë në Tropojë dhe do ta bëjmë propozim për ta ligjëruar dhe Bashkia”, tha ai.
Kërcimi i Tropojës është i veçantë dhe të pushton që në gjëmimin e parë të tupanit. Për veçoritë artistike, UNESCO e cilësoi pasuri botërore si pjesë e këtij organizmi të kulturës dhe trashëgimisë botërore që nga 4 dhjetori i 2024, transmeton rtsh.




