Përgatiti Dashnim HEBIBI
Shefi i Misionit Konsullor të Republikës së Kosovës në Cyrih, z. Vigan Berisha, mori pjesë në një aktivitet kulturor të veçantë të organizuar nga Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Turqisë në Cyrih. Ftesa erdhi nga vetë Konsulli i Përgjithshëm turk, z. Fazli Corman, i cili mikpriti përfaqësues diplomatikë, figura të komunitetit dhe të ftuar të tjerë në një mbrëmje kushtuar trashëgimisë së pasur të kafes turke.
Aktiviteti u organizua me rastin e Ditës së Kulturës dhe Traditës së Kaffes Turke, një datë që prej 5 dhjetorit 2013 është përfshirë në Listën Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të UNESCO-s.
Gjatë eventit, u theksua rëndësia e ruajtjes së traditave shekullore, ndërsa të pranishmit patën mundësinë të njihen më nga afër me ritualet e përgatitjes dhe shërbimit të kafes turke, e cila konsiderohet një simbol i mikpritjes dhe komunikimit ndërmjet njerëzve.
Z. Berisha shprehu vlerësimin për ftesën dhe theksoi rolin që ngjarje të tilla kanë në forcimin e marrëdhënieve ndërkulturore ndërmjet komuniteteve shqiptare dhe turke në Zvicër. Ai nënvizoi se kultura dhe tradita janë ura të rëndësishme që lidhin popujt dhe promovojnë mirëkuptim të ndërsjellë.
Pjesëmarrësit u shprehën të kënaqur me atmosferën e ngrohtë dhe programin kulturor, i cili përfshiu prezantime, degustime dhe ekspozime përmes të cilave u shpalos historia e pasur e kësaj tradite orientale.
Ngjarja u vlerësua si një sukses që forcon bashkëpunimin kulturor dhe diplomatik mes institucioneve të dy vendeve në diasporë, transmeton helveticALforum.ch




