Nga Rafael Floqi
Në verën e vitit 1918, ndërsa Lufta e Parë Botërore po afrohej drejt fundit, në kontinentin amerikan ndodhte një ngjarje e vogël në dukje, por me pasoja të mëdha për fatet e Shqipërisë. Një prift ortodoks, intelektual dhe përfaqësues i diasporës shqiptare, me emrin Fan Stylian Noli, do të ndërmerrte një akt diplomatik që do të ndihmonte në ndryshimin e trajektores historike të vendit të tij.
Në një kohë kur Shqipëria ishte e ndarë, e pushtuar dhe e harruar nga fuqitë e mëdha, Noli arriti të sigurojë mbështetjen morale dhe politike të dy prej figurave më të mëdha të Shteteve të Bashkuara të Amerikës: Presidentit Woodrow Wilson dhe ish-presidentit Theodore Roosevelt. Kjo histori, e dokumentuar në artikullin “President Wilson and Ex-President Roosevelt for Albania”, botuar në The Adriatic Review në shtator 1918, është një dëshmi e jashtëzakonshme e diplomacisë së diasporës dhe e vizionit të gjerë të Nolit për kombin shqiptar.
Fakti që Noli po krijonte lidhje me liderët e dy partive kryesore, Wilsonit, demokrat dhe Rooseveltit republikan tregon se ai e shihte lobizmin jo me prirje partizane por si mundësi pёr të ndihmuar në çështjen shqiptare. Pasi lobimi i mirë nuk ka të bëjë me partishmërinë — ka të bëjë me marrëdhëniet, besimin dhe besueshmërinë nga të dyja anët e spektrit politik. Duke vepruar kështu apo zbatonte porosinë e Washingtonit : “Lobimi i mirë nuk ka të bëjë me përkatësinë politike — ka të bëjë me marrëdhëniet, besimin dhe besueshmërinë nga të dyja palët.”

Një komb në prag të zhdukjes
Në fillim të shekullit XX, Shqipëria ishte një entitet i brishtë. Pavarësia e shpallur në vitin 1912 në Vlorë nuk kishte marrë ende garanci ndërkombëtare të qëndrueshme. Lufta e Parë Botërore e kishte shndërruar vendin në një fushë betejash midis ushtrive të huaja, ndërsa fqinjët – Serbia, Greqia dhe Mali i Zi – kërkonin të copëtonin territorin shqiptar. Në këto rrethana dramatike, diaspora shqiptare në SHBA, e organizuar përmes Federatës Pan-Shqiptare “Vatra”, mori përsipër detyrën historike për të qenë zëri i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Qendra e këtij aktiviteti ishte Boston-i, ku “Vatra” kishte selinë e saj, shtypshkronjën dhe revistën The Adriatic Review, e cila botohej në anglisht për t’u drejtuar opinionit amerikan dhe evropian.
Në krye të kësaj lëvizjeje qëndronte Fan Noli — një figurë komplekse që kombinonte në mënyrë të rrallë shpirtin fetar, mendimin politik, kulturën perëndimore dhe atdhedashurinë. Noli nuk ishte thjesht një aktivist; ai ishte një diplomat në kuptimin më modern të fjalës, një ndërmjetës mes kulturave dhe një strateg që e kuptonte fuqinë e fjalës dhe të shtypit në formësimin e politikës ndërkombëtare.
4 korriku 1918 – takimi me Presidentin Wilson
Një nga momentet më të rëndësishme të lobimit të Nolit ndodhi më 4 korrik 1918, në ceremoninë zyrtare të Ditës së Pavarësisë së SHBA-së në Mount Vernon, vendin ku prehej George Washingtoni. Presidenti Wilson kishte ftuar përfaqësues të tridhjetë e tre komuniteteve etnike që jetonin në Amerikë për të simbolizuar unitetin dhe përkushtimin ndaj idealeve të lirisë dhe të demokracisë.
Fan Noli ishte i ftuari i shqiptarëve dhe përfaqësues i “Vatrës”. Gjatë ceremonisë, çdo delegacion vendosi kurora mbi varrin e Washington-it dhe shprehu besnikërinë ndaj flamurit amerikan. Në emër të të gjitha komuniteteve foli delegati belg, Felix Streyckmans, i cili i shprehu Presidentit Wilson mirënjohje dhe vendosmërinë për të luftuar “derisa liria e qëndrueshme të sigurohet jo vetëm për këtë komb, por për të gjitha kombet nga të cilat ne e kemi origjinën”.
Pas fjalës së tij, Presidenti Wilson mbajti një nga fjalimet më të njohura të karrierës së tij, ku shpalli idealet që më vonë do të përmblidheshin në Kuadrin e Katërmbëdhjetë Pikave. Ai foli për fundin e autokracisë, për sundimin e ligjit në marrëdhëniet ndërkombëtare, për çlirimin e kombeve të vegjël dhe mbrojtjen e tyre nga “komplotet dhe interesat private”.
Në kthim, gjatë udhëtimit në jahtin presidencial Mayflower, Fan Noli pati mundësinë të takohej me Presidentin Wilson dhe me Zonjën e Parë. Sipas artikullit të The Adriatic Review, Noli i paraqiti shkurtimisht Presidentit çështjen shqiptare dhe kërkoi ndihmën e tij për rivendosjen e pavarësisë së Shqipërisë.
Presidenti Wilson, i njohur për ndershmërinë dhe idealizmin e tij, e dëgjoi me kujdes dhe u shpreh se e njihte rastin e Shqipërisë, ishte i bindur për drejtësinë e saj dhe se do të bënte çmos që të ndihmonte në mbrojtjen e saj në Kongresin e Paqes që pritej pas luftës. Ishte një premtim i heshtur, por i fuqishëm — dhe historia do të tregonte se ai do ta mbante.
Ndikimi i Pikave të Woodrow Wilson-it në Ballkan dhe Shqipëri
Në janar të vitit 1918, presidenti amerikan Woodrow Wilson shpalli programin e tij me Katërmbëdhjetë Pika, që synonte vendosjen e një paqejeje të drejtë dhe të qëndrueshme pas Luftës së Parë Botërore. Ky program përmbante parime të reja për marrëdhëniet ndërkombëtare, si vetëvendosja e kombeve, diplomacia e hapur dhe krijimi i një organizate ndërkombëtare për ruajtjen e paqes. Midis tyre, Pika 11 dhe Pika 12 kishin rëndësi të veçantë për Ballkanin dhe territoret e Perandorisë Osmane, pra edhe për Shqipërinë.
Pika 11 – Ballkani
Kjo pikë kërkonte rivendosjen e shteteve ballkanike dhe garantimin e pavarësisë së tyre politike dhe ekonomike. Wilson e konsideronte Ballkanin një rajon të brishtë, ku ndërhyrjet e fuqive të mëdha kishin ndezur konfliktet që çuan në luftë. Me këtë pikë, ai synonte t’u jepte popujve të Ballkanit të drejtën e vetëvendosjes dhe të krijimit të shteteve të qëndrueshme kombëtare.
Në praktikë, kjo pikë ndikoi në riformësimin e hartës politike të Ballkanit: u krijua Mbretëria e Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve (më vonë Jugosllavia), ndërsa Rumania dhe Greqia zgjeruan kufijtë e tyre.
Megjithatë, zbatimi i parimit të vetëvendosjes nuk ishte i barabartë për të gjithë. Shqipëria, e cila kishte shpallur pavarësinë në vitin 1912, rrezikonte të copëtohej nga fqinjët e saj gjatë bisedimeve të paqes në Paris. Pikërisht këtu, qëndrimi parimor i Wilson-it për mbrojtjen e sovranitetit dhe të drejtën e çdo kombi për ekzistencë pati ndikim të madh. Ai kundërshtoi ndarjen e Shqipërisë dhe insistoi që ajo të njihej si shtet i pavarur.
Pika 12 – Perandoria Osmane dhe Dardanelet
Kjo pikë parashikonte që popujt joshqiptarë të Perandorisë Osmane të kishin të drejtën e vetëqeverisjes dhe që ngushtica e Dardaneleve të hapej për të gjitha kombet.
Në thelb, ajo shënoi fundin e Perandorisë Osmane dhe lindjen e shumë shteteve të reja në Lindjen e Mesme dhe Evropën Juglindore. Për Shqipërinë, kjo krijoi një realitet të ri politik: ajo nuk do të ishte më pjesë e ndonjë perandorie, por duhej të mbijetonte si shtet i pavarur midis interesave të mëdha europiane. Në përmbledhje, Pikat 11 dhe 12 të Wilson-it patën një ndikim të drejtpërdrejtë në formësimin e Ballkanit të pasluftës dhe në ruajtjen e pavarësisë shqiptare. Edhe pse shumë prej parimeve të tij nuk u zbatuan plotësisht nga fuqitë fituese, vizioni i Wilson-it për barazi midis kombeve dhe për drejtësi ndërkombëtare frymëzoi lëvizjet kombëtare dhe politikën e jashtme të shtetit shqiptar në vitet që pasuan.
Në këtë kuptim, programi i tij mbetet një gur themeli në historinë e së drejtës së popujve për vetëvendosje dhe në afirmimin e Shqipërisë si pjesë e barabartë e komunitetit ndërkombëtar.
Woodrow Wilson dhe çështja e Italisë në Vlorë
Pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore (1918), Shqipëria ndodhej në një situatë shumë të vështirë. Edhe pse kishte shpallur pavarësinë në vitin 1912, ajo nuk kishte ende njohje të plotë ndërkombëtare dhe ishte e pushtuar nga ushtritë e huaja – veçanërisht Italia, e cila mbante Vlorën dhe një pjesë të bregdetit shqiptar. Italia, si një nga fuqitë fituese të luftës, kërkonte shpërblime territoriale në Adriatik. Me Traktatin e fshehtë të Londrës (1915), aleatët i kishin premtuar Italisë:Vlorën dhe zonën përreth si territor italian, dhe ndikim politik mbi Shqipërinë e Jugut. Pas luftës, Italia e zbarkoi ushtrinë në Vlorë (1919) dhe kërkoi ta mbante atë si pjesë të territorit të saj. Kjo ngjalli zemërim të madh tek shqiptarët dhe çoi në Luftën e Vlorës (1920) – një kryengritje kombëtare për çlirimin e qytetit.
Roli i Woodrow Wilson-it dhe 14 Pikat
Në këtë kohë, në Konferencën e Paqes në Paris (1919), ku po vendosej fati i shumë shteteve të vogla, Presidenti amerikan Woodrow Wilson mbrojti fuqishëm parimin e vetëvendosjes së popujve – një nga idetë kryesore të Katërmbëdhjetë Pikave të tij.
Wilson kundërshtoi hapur kërkesat e Italisë për Vlorën dhe për ndarjen e Shqipërisë midis fqinjëve. Ai deklaroi se Shqipëria duhet të ekzistojë si shtet i pavarur dhe sovran, dhe se nuk mund të ndahej sipas interesave të fuqive të mëdha.
Falë qëndrimit të tij, projekti italian për ta shndërruar Vlorën në koloni u kundërshtua ndërkombëtarisht. Në një moment, kur Italia u largua përkohësisht nga konferenca për shkak të mospajtimeve, Wilson tha publikisht: “Ne nuk mund të pranojmë që parimi i drejtësisë të sakrifikohet për interesa të fshehta.” Kjo deklaratë ishte një fitore morale dhe diplomatike për Shqipërinë. Presidenti Woodrow Wilson konsiderohet një mbrojtës i madh i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Ai refuzoi të nënshkruante ndarjen e saj dhe kundërshtoi kërkesat italiane për Vlorën.
Theodore Roosevelt – një mik i papritur i Shqipërisë
Në të njëjtën periudhë, Fan Noli zhvilloi një tjetër takim të rëndësishëm pak të njohur me Theodore Roosevelt, ish-presidentin karizmatik amerikan, në Harvard Club të Nju Jorkut. Ky takim u bë më 4 korrik 1918, gjatë një dreke në shtëpinë e gjeneralit Bird W. Spencer në Passaic, Nju Xhersi. Roosevelt mbajti atë ditë një fjalim për objektivat e Amerikës në luftë dhe përmendi në mënyrë të qartë Shqipërinë si një vend që duhej të rivendoste pavarësinë dhe të vihej nën garancinë e fuqive aleate.
Sipas dëshmisë së Nolit në The Adriatic Review, Roosevelt ishte jashtëzakonisht i informuar për historinë dhe problemet e Shqipërisë. Ai njihte ngjarje që shumë shqiptarë i kishin harruar dhe kishte formuar një qëndrim të qartë: Shqipëria duhet të zotërojë bregdetin e saj nga Mali i Zi deri në Greqi dhe kufijtë e saj duhet të përcaktohen mbi baza etnike, jo politike.
Në një mesazh që ia dha Nolit për t’ua përcjellë shqiptarëve, Roosevelt deklaronte:
“Pavarësia e Shqipërisë duhet të rivendoset në Kongresin e ardhshëm të Paqes dhe të vihet nën garancinë e paanshme të Fuqive Aleate. Do të bëj gjithçka që është në fuqinë time për arritjen e këtij qëllimi dhe për njohjen e kërkesave të drejta të racës së lashtë dhe trime shqiptare.”
Ky ishte një mesazh i rrallë, sepse vinte nga një burrë që gëzonte respekt të madh jo vetëm në SHBA, por edhe në Evropë. Roosevelt nuk kishte asnjë interes personal në Ballkan , mbështetja e tij vinte thjesht nga bindja morale se drejtësia dhe vetëvendosja ishin parime universale. Për Shqipërinë, kjo ishte një fitore e madhe diplomatike: për herë të parë, emri i saj përmendej publikisht në listën e vendeve që meritonin të riktheheshin në hartën e pavarur të botës.
“Vatra” dhe diplomacia e diasporës
Në sfondin e këtyre ngjarjeve qëndronte një organizatë e fuqishme: Federata Pan-Shqiptare “Vatra”, themeluar në 1912 në Boston. “Vatra” kishte arritur të bashkonte komunitetet shqiptare të Amerikës nën një platformë kombëtare të qartë: mbrojtjen e pavarësisë dhe unitetit territorial të Shqipërisë. Ajo organizonte fushata, mbledhje fondesh, botime dhe protesta për të ndikuar në opinionin publik amerikan.
Revista The Adriatic Review, organi i saj zyrtar në gjuhën angleze, u bë një tribunë ndërkombëtare ku shqiptarët mund të flisnin drejtpërdrejt me botën. Përmes saj, Fan Noli dhe bashkëpunëtorët e tij, si Faik Konica, paraqitën Shqipërinë si një komb të lashtë evropian, të denjë për liri dhe të aftë për vetëqeverisje. Artikujt ishin të menduar për të fituar simpatinë e opinionit publik amerikan dhe për të ndikuar indirekt në politikën e jashtme të SHBA-së.
Nga fjalët në vepra: ndikimi në Konferencën e Paqes
Kur Lufta e Parë Botërore përfundoi në nëntor 1918, bota u përgatit për Konferencën e Paqes në Paris, ku do të përcaktoheshin kufijtë e rinj të Evropës. Për Shqipërinë, ishte një moment vendimtar: fqinjët e saj kërkonin ndarjen e territorit shqiptar mes tyre.
Në atë moment, ndërhyrja e Presidentit Wilson u bë thelbësore. Ai refuzoi të nënshkruante çdo marrëveshje që parashikonte copëtimin e Shqipërisë, duke u shprehur se kombet e vogla kishin të drejtë të ekzistonin po aq sa të mëdhatë. Pikërisht kjo qëndresë e tij në Konferencën e Paqes i dha mundësi Shqipërisë të ruante ekzistencën e saj si shtet sovran.
Shumë studiues e kanë quajtur këtë një nga frytet më të dukshëm të lobimit të Nolit dhe Vatrës në Amerikë. Pa ndërgjegjësimin që krijoi Noli në qarqet politike dhe intelektuale amerikane, ndoshta Shqipëria nuk do të kishte gjetur mbështetjen e Wilson-it në momentin më të rëndësishëm të historisë së saj moderne.
Një prift, një diplomat, një strateg kombëtar
Veprimtaria e Fan Nolit në SHBA në vitet 1917–1920 tregon se diplomacia nuk bëhet vetëm me poste zyrtare, por edhe me vizion, kulturë dhe guxim intelektual. Ai e kuptoi se për të fituar mbështetjen e Amerikës, duhej të paraqiste Shqipërinë si një çështje të drejtësisë universale dhe jo si një problem lokal ballkanik.
Përmes fjalimeve, shkrimeve dhe takimeve të tij, Noli arriti të lidhë kauzën shqiptare me idealet amerikane të lirisë, demokracisë dhe vetëvendosjes. Në një kohë kur kombet e vogla trajtoheshin shpesh si objekte pazari diplomatik, ai arriti të bëjë që Shqipëria të dëgjohej në tryezën e të mëdhenjve.
Pas viteve të lobimit, ai do të kthehej në Shqipëri dhe do të merrte pjesë drejtpërdrejt në jetën politike të vendit, por veprimtaria e tij në Amerikë mbetet kulmi i misionit të tij ndërkombëtar. Noli nuk ishte vetëm një prift që predikonte; ai ishte një njeri që e shndërroi fenë dhe moralin në instrument diplomatik, një intelektual që e kuptoi se liria politike është po aq e shenjtë sa edhe liria shpirtërore.
Trashëgimia e një lobimi të suksesshëm
Sot, më shumë se një shekull më vonë, lobimi i Fan Nolit në SHBA mbetet një model i rrallë i diplomacisë së diasporës. Ai tregoi se një komb i vogël mund të mbrojë interesat e veta përmes inteligjencës, argumentit moral dhe komunikimit efektiv me botën.
Mbështetja që siguroi nga Wilson dhe Roosevelt nuk ishte rastësi. Ishte rezultat i një pune të vazhdueshme për të edukuar opinionin publik amerikan mbi realitetin shqiptar dhe për ta lidhur Shqipërinë me idealet që amerikanët i ndjenin si të vetat — liria, pavarësia, drejtësia.
Në këtë kuptim, Fan Noli mund të quhet me plot gojën arkitekti i imazhit ndërkombëtar të Shqipërisë në fillim të shekullit XX. Ai nuk kërkoi ndihmë me lutje, por me argumente. Ai nuk foli në emër të interesave të ngushta, por në emër të një ideali më të madh – të drejtës për të ekzistuar si komb i lirë midis kombeve të tjera.
Përfundim
Historia e lobimit të Fan Nolit në SHBA është një histori frymëzuese për çdo shqiptar që beson në fuqinë e mendimit dhe të veprimit intelektual. Në vitet e errëta të 1918-s, kur shumë kombe të vegjël ishin në rrezik zhdukjeje, një prift shqiptar arriti të bëjë që dy presidentë amerikanë të mbështesin publikisht kauzën e Shqipërisë.
Kjo ishte jo vetëm një fitore diplomatike, por edhe një triumf i idealizmit mbi cinizmin politik. Falë përpjekjeve të Nolit dhe të “Vatrës”, Shqipëria hyri në hartën e botës si një komb që meritonte të jetonte, dhe emri i saj u bë pjesë e debatit ndërkombëtar për drejtësinë dhe vetëvendosjen.
Fan Noli mbetet, për këtë arsye, jo vetëm një figurë historike, por një simbol i përjetshëm i përpjekjes shqiptare për dinjitet dhe liri — një njeri që tregoi se edhe nga një zë i vogël mund të lindë një jehonë që arrin deri në sallat e historisë.
———————————————–
Literatura
“President Wilson and Ex-President Roosevelt for Albania”, botuar në The Adriatic Review në shtator 1918
Cohen, S. F. (2000). Woodrow Wilson and the Rebirth of Eastern Europe. New York, NY: Oxford University Press.
Puto, A. (2009). Historia e diplomacisë shqiptare, 1912–1939. Tiranë: Toena.
Skendi, S. (1967). The Albanian National Awakening: 1878–1912. Princeton, NJ: Princeton University Press.
Wilson, W. (1918). Address to Congress: The Fourteen Points. Washington, DC: Government Printing Office.
Zickel, R., & Iwaskiw, W. R. (Eds.). (1994). Albania: A Country Study. Washington, DC: Library of Congress, Federal Research Division.




