Edhe pak orë kanë mbetur deri në përmbyllje të afatit kur subjektet politike do të mund të aplikojnë për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit, sikurse edhe për deklarimin e koalicioneve parazgjedhore. Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, deri sot në orën 14:00, dymbëdhjetë parti politike kanë plotësuar formularin e certikimit për pjesëmarrje në zgjedhje.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka treguar për RTKlive se cilat parti kanë deklaruar pjesëmarrjen e tyre në garën e parakohshme zgjedhore të 28 dhjetorit.
“Deri më tani (e diel, 30 nëntor 2025, ora 14:00) 12 parti politike kanë plotësuar formularin e certikimit për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, i cili është i ngjashëm me formularin e proceseve të kaluara zgjedhore. Këto parti politike janë: Lidhja Demokratike e Kosovës – LDK; Partia Demokratike e Kosovës – PDK; Kosovaki Nevi Romani Partia; Jedinstvena Goranska Partija; Za Slobodu Pravdu i Opstanak; Kosova Demokratik Türk Partisi; Partia Liberale Egjiptiane; Partia Rome e Bashkuar e Kosovës; Socialdemokratska Unija – SDU; Srpska Lista; Iniciativa e re Demokratike e Kosovës; dhe Fjala”, ka treguar Elezi.
Ndërkohë numri i koalicioneve ende mbetet i njëjtë. Deri tash në KQZ janë regjistruar vetëm dy koalicione parazgjedhore, ai i tri partive të ashkalinjëve PAI, PDAK e LPB, si dhe koalicioni i partive boshnjake, Vakat.
Po ashtu, më 30 nëntor përfundon afati edhe për partitë politike që ta njoftojnë KQZ-në, se nuk duan të certifikohen për pjesëmarrje në zgjedhje.
Ndërkohë, Elezi ka rikujtuar se afati për dorëzimin e listës së kandidatëve të subjekteve politike i nisur më 24 nëntor do të zgjasë deri më 7 dhjetor.
“Deri më 7 dhjetor 2025, subjektet politike (partitë politike, koalicionet, nismat qytetareve dhe kandidatët e pavarur) që aplikojnë për certifikim, duhet të dorëzojnë përmes platformës listën e tyre me emrat e kandidatëve për deputetë të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës”, tha Elezi, transmeton rtk.




