-0.6 C
Zurich
Friday, November 28, 2025
spot_img
spot_img

Ushtarët e Shqipërisë nga Kosova përcjellin mesazhin e krenarisë kombëtare

Duhet ti lexosh

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ka uruar sot Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, duke publikuar një videomesazh të posaçëm nga efektivët e Forcave të Armatosura që shërbejnë në Kosovë.

Përmes këtij mesazhi solemn, trupat shqiptare përcollën urimet më të përzemërta për këtë ditë të shenjtë që bashkon shqiptarët në vlera, sakrificë dhe krenari kombëtare.

“Në këtë detyrë dhe angazhim tonin, përforcojmë vetëdijen dhe vendosmërinë e sakrificës për të çuar përpara vlerat e kombit shqiptar. Jemi këtu për t’i dalë zot atdheut tonë dhe për të nderuar gjakun e derdhur të atyre që ranë për lirinë e tokës sonë. Gëzuar Ditën e Pavarësisë dhe Ditën e Çlirimit”, u shpreh një pjesëtar i FA në Kosovë.

Një tjetër pjesëtare përcolli urimet e saj për të gjithë shqiptarët: “Gëzuar festat e nëntorit familjet tona, motra dhe vëllezër shqiptarë kudo ndodhen. Gëzuar ushtarakë dhe çdo anëtar i FA që jetën ia dedikon kësaj uniforme”.

“Urime të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen. Gëzuar festën e Flamurit! Gëzuar Pavarësinë!”, theksoi një tjetër efektiv.

Sot shqiptarët, brenda dhe jashtë vendit, festojnë 113-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Më 28 Nëntor 1912, Kuvendi Kombëtar i Vlorës, i udhëhequr nga Ismail Qemali, shpalli Pavarësinë – një akt historik që vulosi aspiratat shekullore për liri dhe shtet të pavarur.

Nga ngritja e flamurit të Skënderbeut në Krujë më 28 nëntor 1443, te nënshkrimi i Aktit të Pavarësisë më 1912, kjo datë simbolizon qëndresën, unitetin dhe identitetin kombëtar.

Që prej vitit 2017, 28 Nëntori është ditë pushimi zyrtar edhe në Kosovë, si shenjë nderimi për vlerat dhe traditat e përbashkëta të kombit shqiptar./BS

- Reklama -spot_img

Më shumë artikuj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

Artikujt e fundit