Në kuadër të Festave të Nëntorit, kur zemra shqiptare rreh më fort dhe kujtesa jonë kolektive kthehet tek rrënjët, Orkestra Simfonike e RTSH sjell një mbrëmje artistike që i fton të gjithë artdashësit në një udhëtim të paharruar në historinë e filmit shqiptar.
Sonte në orën 20:00 në sallën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, nën drejtimin e Gridi Kraja, do të ngjallet magjia e kolonave zanore që kanë shoqëruar disa prej veprave më të mëdha të kinematografisë sonë.
Ky koncerti merr një dimension të veçantë falë bashkëpunimit mes Orkestrës Simfonike të RTSH, Korit dhe Orkestrës së TKOB, për të sjellë një performancë të fuqishme dhe emocionuese. Në këtë natë të veçantë, tingujt do të ngrenë në këmbë kujtimet e brezave përmes krijimtarisë së kompozitorëve të pavdekshëm, të cilët me muzikën e tyre i dhanë shpirt filmave shqiptarë.
“Po bëjmë një koncert që e adhurojnë të gjithë muzikantët por që do të duan ta dëgjoj i gjithë publiku sepse materiali kryesor i këtij koncerti janë materiale të filmave shqiptar të kompozitorëve më të njohur. Kemi një arkiv shumë të pasur dhe kjo muzikë ka shumë vlera dhe nostalgji”, u shpreh Blerta Ristani, Drejtoresha Artistike e Orkestrës Simfonike të RTSh-së.
Publiku do të udhëtojë në atmosferën melodike te Kujtim Laros, Çesk Zadese, Aleksander Lalos, Limos Dizdarit, Hajg Zaharian me muzikën e tyre që i dhanë jetë filmit shqiptar. Kjo mbrëmje festive nuk është thjesht një koncert, është një homazh për muzikën e filmit shqiptar, për mjeshtrit që i dhanë identitet tingullit tonë kombëtar dhe për historitë që rritën breza të tërë, transmeton Xhilda Kondi.




