UNI ZÜRICH
Studiuesit zviceranë testojnë një qasje të re në luftën kundër varësisë
Një ekip kërkimor në Universitetin e Cyrit po eksploron një metodë krejtësisht të re për reduktimin e varësisë nga alkooli dhe kokaina. Në këtë studim, i quajtur “Nektar”, po analizohet nëse një dozë e vetme e anestetikut ketamin mund t’i ndihmojë personat e prekur të ulin konsumimin afatgjatë të substancave.
Sipas ekipit kërkimor, arsyeja kryesore që i shtyu drejt këtij projekti ishte „situata jo e kënaqshme e trajtimit për pacientët me varësi“. Shumë të prekur nuk gjejnë trajtime të përshtatshme, çka redukton mundësinë e përmirësimit të qëndrueshëm. Me këtë studim, shkencëtarët e PUK Zürich shpresojnë të hapin rrugë të reja terapeutike.
Si funksionon?
Sipas Etna Engelit, psikologe dhe neuroshkencëtare 41-vjeçare nga grupi kërkimor, alkooli mbetet substanca më e dëmshme mes drogave të zakonshme. Pika kyçe është mekanizmi psikologjik:
“Njeriu e di që nuk duhet të pijë – por tërheqja e brendshme është aq e fortë sa nuk mund ta ndalosh,” shpjegon ajo. Pikërisht këtu synon të ndërhyjë terapia.
Ketamina, e përdorur në mënyrë të kontrolluar, ka efekt psikoaktiv dhe mund të veprojë si antidepresiv. Ajo gjithashtu rrit përkohësisht neuroplasticitetin, aftësinë e trurit për t’u ndryshuar. Engeli shpjegon se kjo krijon një “dritare të të mësuarit”, ku modelet e reja të sjelljes dhe mendimit përforcohen më lehtë.
Në studim, pjesëmarrësit fillimisht marrin një dozë të vogël ketamini përmes infuzionit. Më pas fillon pjesa e të mësuarit me neurofeedback:
Pjesëmarrësve u shfaqen fotografi të pijeve të tyre të preferuara dhe ata përjetojnë dëshirë të fortë (craving). Me strategji specifike, ata përpiqen ta ulin këtë ndjesi, ndërsa sistemi mat aktivitetin në zonat përkatëse të trurit.
“Në rastin ideal, ketamina e forcon efektin e të mësuarit, në mënyrë që strategjitë të funksionojnë edhe në jetën e përditshme,” thotë Engeli.
“Po funksionon në mënyrë befasuese”
Në total, katër grupe marrin pjesë në studim, përfshirë edhe një grup placebo. Çdo pjesëmarrës përfundon tre seanca, ndërsa kontrolli i fundit bëhet pas gjashtë muajsh. “Të gjitha kontrollet zhvillohen në kushte të sigurta dhe me mbështetje psikologjike dhe mjekësore,” thekson Engeli. Para fillimit, të gjithë informohen në detaje për procedurën.
Shumica e pjesëmarrësve paraqiten përmes reklamave ose postimeve në rrjetet sociale. “Këta janë njerëz që duan të ndryshojnë sjelljen e tyre të konsumit dhe janë të hapur ndaj metodave të reja.”
Ekipi kërkimor shprehet shumë i kënaqur:
“Po funksionon në mënyrë befasuese mirë. Jemi pozitivisht të surprizuar nga interesimi i madh dhe këmbëngulja e pjesëmarrësve.”
Për rezultatet përfundimtare, është ende shumë herët për të folur, transmeton 20min.ch, përgatiti helveticALforum.ch
(Foto ilustrim)




