
Nga Dashnim HEBIBI
Florim Useini, veprimtar i njohur në diasporën shqiptare, i cili prej vitesh njihet si unifikues i komunitetit dhe si bamirës i përkushtuar, ka njoftuar përmes platformës HelveticALForum.ch se e marta do të sjellë një aktivitet të veçantë kulturor në Luzern. Sipas tij, komuniteti shqiptar në Zvicër do të ketë mundësinë të takojë një personalitet të njohur të studimeve gjuhësore nga Shqipëria.
Z. Useini bëri të ditur se i ftuari i mbrëmjes do të jetë Prof. Agron Dalipaj, etimolog dhe studiues i njohur i gjuhës shqipe, i cili prej vitesh njihet për qasjet e tij të detajuara dhe hulumtimet mbi origjinën e gjuhës shqipe. Tema që profesori do të trajtojë në këtë aktivitet ka zgjuar interesim të madh:
“A është shqipja origjina e gjuhëve indoeuropiane?”
Në njoftimin e tij, Florim Useini theksoi:
“Të nderuar dashamirë të gjuhës, kulturës dhe librit,
Rrjeti i Miqësisë ju sjell në Luzern një mbrëmje me vlerë të veçantë: prezencën e etimologut dhe studiuesit të njohur, Prof. Agron Dalipaj. Ai do të paraqesë një qasje të drejtpërdrejtë dhe argumentuese mbi prejardhjen e gjuhës shqipe. Kjo është një mundësi ideale për të dëgjuar nga burimi, për të bërë pyetje pa dorashka dhe për të blerë librat e profesor Dalipajt në vend.”

Ky aktivitet pritet të mbledhë studiues, mësues, studentë, aktivistë kulturorë dhe të gjithë ata që ushqejnë dashuri të veçantë për gjuhën shqipe. Organizatorët vlerësojnë se një mbrëmje e tillë jo vetëm nxit debatin shkencor, por edhe forcon lidhjet e komunitetit shqiptar në Zvicër.
Detajet e aktivitetit
- Data: 25 Nëntor 2025
- Koha: 18:30
- Vendi: Ristorante Fratelli, Schweighofplatz 1, 6010 Kriens
Ngjarja organizohet nga Rrjeti i Miqësisë, i cili në vitet e fundit është bërë një urë lidhëse për promovimin e kulturës dhe vlerave shqiptare në Zvicër.
/ HelveticALforum.ch do të jetë sponsor medial.




