0.7 C
Zurich
Sunday, November 23, 2025
spot_img
spot_img

DEPUTETI LUIGJ GURAKUQI PËR KOSOVËN

Duhet ti lexosh

Nga Prof. dr. Lush Culaj

Politika e dhunës e qeveritarëve serbë në Kosovë preku ndjenjat e shqiptarëve në Shqipëri. Në mbështetje të vëllezërve të tyre protestuan edhe deputetët e Kuvendit Shqiptar, që atëkohë quhej Këshill Kombëtar. Që ditën e hapjes së të parit Kuvend shqiptar në Tiranë, më 27 mars 1920, deputetët (apo senatorët si quheshin atëherë) shprehën hidhërim për atë se dy pjesë të Shqipërisë, Kosova dhe Çamëria, nuk i kishin përfaqësuesit e tyre në Këshillin Kombëtar. Sigurisht që vënia në dukje e kësaj mangësie ua kujtonte edhe një herë atyre dhe të gjithë shqiptarëve detyrën e vijimit të përpjekjeve për çlirimin e trojeve të okupuara.

Këshilli Kombëtar i vitit 1920 e kundroi problemin kombëtar në gjithanshmërinë e çështjeve, duke e vlerësuar shqiptarizmin e treguar nga shqiptarët e Kosovës në Lëvizjen Kombëtare.

Natyrisht më të zëshmit në Parlament ishin deputetët nga Kosova, si Bedri Pejani, Hasan Prishtina, Bahri Begolli, Sali Vuçiterna etj., duke mos përjashtuar edhe shumicën e deputetëve të Shqipërisë politike. Është karakteristike që deputetët, pavarësisht nga përkatësia partiake, ose nga bindjet politike, kur diskutohej problemi i pakicave kombëtare, bashkoheshin, kishin mirëkuptim dhe konsensus. Në këtë rast ata i bashkonte ndjenja kombëtare që ishte e fu-qishme dhe vepruese në ndërgjegjen politike të tyre.

Parlamenti përpiqej që Fuqitë e Mëdha ta ndienin përgjegjësinë për t’ia tërhequr vërejtjen Qeverisë së Beogradit për ta ndaluar gjenocidin ndaj shqiptarëve dhe shpërnguljen e tyre. Si zakonisht, Beogradi nuk përfillte kërkesa të tilla.

Përpjekjet për mbrojtjen e minoritarëve në Jugosllavi e në Greqi, si dhe qëndrimet e shtetit shqiptar ndaj këtij problemi kanë pasur veçori dhe probleme specifike në periudha të ndryshme të zhvillimit historik. Ato janë diktuar edhe nga koniunktura politike që kanë qenë të pranishme. Luigj Gurakuqi do të theksonte: “Rëndësia e Shqipërisë në politikën e Jashtme është aq tepër e vogël sa që nuk mund të besohet kurrë që do të kemi përkrahjen e shteteve të mëdha pavarësisht nga shërbimi që përpiqemi t’u bëjmë”.

Çështja e pa zgjidhur kombëtare nuk ka lindur si një çështje e funksionimit apo mosfunksionimit të shtetit shqiptar, por si një çështje e forcës së pamjaftueshme që ka pasur shoqëria shqiptare në rrethanat kur është krijuar shteti shqiptar. Përveç trajtimit vëllazëror, që iu bë emigrantëve për ta informuar kombin shqiptar dhe shtetet evropiane për pasojat e shpërnguljes me dhunë nga Kosova dhe viset e tjera, Qeveria shqiptare, shoqata atdhetare dhe personalitete, si: Hasan Prishtina, Luigj Gurakuqi, Kadri Prishtina, Fan Noli, Bedri Pejani, etërit katolikë Gjon Bisaku, Shtjefën Kurti, Luigj Gashi etj., ngritën zërin në qarqe më të larta shtetërore e ndërkombëtare të kohës, por nuk e gjetën përkrahjen dhe mbështetjen që shpresonin.

Luigj Gurakuqi: Shkaku i plojave dhe i mizorinave që tash tetë vjet po vijojnë kundër vllaznëve të Kosovës nuk asht tjetër veç faji qi janë shqiptarë e qi duen të mbeten shqiptarë

Deputeti Rexhep Mitrovica do të kërkojë që të dërgohet një delegacion parlamentar nëpër parlamentet e shteteve të mëdha për të kërkuar të drejta për shqiptarët. Në prill të vitit 1921 në Parlamentin shqiptar Luigj Gurakuqi do të theksonte se mizoritë që bëhen mbi vëllezërit kosovarë mbulojnë me zi zemrat e të gjithë shqiptarëve, andaj në këto raste flet zemra më shumë se goja. Arsyet e një veprimi të tillë, sipas Gurakuqit, ishin: “Shkaku i plojave dhe i mizorinave që tash tetë vjet po vijojnë kundër vllaznëve të Kosovës nuk asht tjetër veç faji qi janë shqiptarë e qi duen të mbeten shqiptarë”. Gurakuqi pajtohët me mendimin e disa kolegëve deputetë për dergimin e një grupi parlamentar në Evropë në menyrë që t’u jepet të paktën një ngushëllim moral vëllezërve të mjerë të Kosovës.

Luigj Gurakuqi

Në mbledhjen e 18 qeshorit 1921, deputeti i Durrësit, Jusuf Banka, foli për mizoritë që po iu bëheshin shqiptarëve të Kosovës. Ai u propozoi kolegëve të vet deputetë që nëpërmjet një telegrami të informoheshin Fuqitë e Mëdha dhe në emër të dhimbjes dhe të njerëzisë të kërkohej ndërprerja e menjëhershme e këtyre dhunimeve. Njëkohësisht u kërkua shpjegim nga qeveria rreth masave që kishte marrë për këtë çështje të veçantë. Propozimi i deputetit Banka u mbështet edhe nga Luigj Gurakuqi. Të gjithë njëzëri u dakorduan që t’i dërgohej një telegram tërë botës së qytetëruar, sidomos Fuqive të Mëdha evropiane dhe SHBA-së. U mor vendim që telegram gjithashtu t’i dërgohej edhe Parlamentit të Mbretërisë SKS.

Parlamenti serbo-kroato-slloven, e konsideroi telegramin e Parlamentit Shqiptar si ndërhyrje në punët e brendshme. Sigurisht një përgjigje e tillë synonte që t’i mashtronte qarqet politike ndërkombëtare për realitetet e zhvillimeve politike në Kosovë.

Ky qëndrim nxiti debate të ashpra në Parlamentinn shqiptar. Në mbledhjen e 16 korrikut 1921 kryetari i Këshillit Kombëtar shtroi për diskutim përgjigjen e telegramit të Parlamentit jugosllav të përkthyer nga Luigj Gurakuqi. Gurakuqi edhe në mbledhjen e 16 korrikut 1921 doli në mbrojtje të bashkëkombësve nga Kosova. Vlen të theksohet se deputetët e Shkodrës në Parlament shquheshin edhe nga guximi për t’u ndeshur hapur me kundërshtarët politikë. Parlamenti për Luigj Gurakuqin ishte një vend i shenjtë, sepse sipas tij aty shkoqiteshin e mbroheshin interesat e kombit dhe të atdheut.

Duke i gjykuar deklaratat e kryetarit të Parlamentit Jugosllav se Shqipëria po përzihet në punët e brendshme të Jugosllavisë, Gurakuqi do të theksojë: “Çudi e madhe kjo! Ushtritë jugosllave ndodhen tash gati tri vjet mbrenda kufijve tanë ku nuk po knaqen kurrë tue vra e tue premë, tue djegun katunde e shtëpia e tue shkretnue vendin, e ne na mohohet e drejta që ta ngrejmë zanin në emën të njerëzisë kundër masakrave sistematike që po vijojnë kundër vllazënve të Kosovës”. Në fund të diskutimit të tij z. Gurakuqi, pajtohet me mendimin e kolegëve deputetë për dërgimin e një grupi parlamentar në Evropë në mënyrë që t’u jepet të paktën një ngushëllim moral vëllezërve të mjerë të Kosovës. Gurakuqi gjithashtu kërkon që t’i tërhiqet vërejtja edhe Qeverisë Shqiptare që t’i ndërmarrë masat e duhura për mbrojtjën e shqiptarëve në Mbretërinë SKS.

Edhe propozimi i bërë nga Hasan Prishtina për dërgimin e një delegacioni ose komisioni parlamentar në Romë, Paris, Londër e po qe nevoja edhe Washington u mbështet nga Luigj Gurakuqi. Ata këmbëngulën për dërgimin e një komisioni parlamentar, duke e konsideruar si veprim efikas dhe se heshtja dhe mosveprimi si parlament mund të sillte dëme për vendin. Me këtë rast pretendohej që veprimi i Parlamentit të ishte i pavarur nga masat që do t’i ndërmerrte Qeveria.

Parashikohej që komisioni të vendoste lidhje me parlamentet e Fuqive të Mëdha dhe pa kërkuar ndryshim kufijsh të lutej në emër të së drejtës për të mbijetuar për ndalimin e këtyre masakrave. Një mënyrë e tillë e veprimit, sipas Luigj Gurakuqit, nuk mund t’i jepte shkak as Qeverisë të Mbretërisë SKS për ta akuzuar Shqipërinë për përzierje në punët e saj të brendshme. Megjithatë për situatën anormale të krijuar për shqiptarët e mbetur jashtë Shqipërisë londineze deputeti Luigj Gurakuqi do të shprehej: “Na kanë marrë qytetet na kanë lanë Malësinë, na kanë marrë Dibrën e na kanë lanë Malësinë, na kanë marr Prizrenin e na kanë lanë Malësinë, na e kanë marr Gjakovën e na e kanë lanë Malësinë, kështuqë shëmbëllejmë si një trup pa kokë.” Gurakuqi kërkon që të sillet sa më shpejt në Parlament projektligji për emigrantët nga Kosova

Deputeti Luigj Gurakuqi, pohoi se nuk ka nevojë t’i përmend mjerimet në të cilat ndodhen emigrantët e ardhur nga Kosova në Shqipëri sepse sipas tij i tha shumë mirë Bedri Pejani. Që çështja të shqyrtohet sa më parë, deputeti Gurakuqi propozoi që të vijë në Parlament e të lexohet raporti, i cili është gati, kurse tri komisionet e tjera mendimet e tyre t’i shfaqin këtu në Parlament.

Përpjekjet për mbrojtjen e të drejtave minoritare të shqiptarëve në Mbretërinë SKS dhe në Greqi, si dhe qëndrimet e shtetit shqiptar ndaj këtij problemi kanë pasur veçori dhe probleme specifike në periudha të ndryshme të zhvillimit historik. Ato janë diktuar edhe nga koniuktura politike që kanë qenë të pranishme. Megjithatë, Luigj Gurakuqi do të theksonte: “Rëndësia e Shqipërisë në politi-kën e jashtme është aq tepër e vogël, sa që nuk mund të besohet kurrë që do të kemi përkrahjen e shteteve të mëdha pavarësisht nga shërbimi që përpiqemi t’u bëjmë”.

Në parlament ishin zgjedhur edhe intelektualë të dëgjuar të kohës. Përgjithësisht, për arsye të ndryshme deputetët gëzonin besimin, respektin, dashurinë, simpatinë dhe kishin besueshmëri të domosdoshme politike te mbarë shqiptarët, jo vetëm brenda shtetit shqiptar, por edhe të atyre jashtë kufijve politikë shtetërorë dhe në diasporë.

Ndër këto figura të shquara kulturore e politike ishin: Luigj Gurakuqi, Gjergj Fishta, Fan Noli, Hasan Prishtina, Kadri Prishtina, Ahmet Zogu, Hil Mosi, Ndre Mjeda, Sylejman Delvina, Sotir Peci etj. Deputeti Gurakuqi synonte krijimin e një Shqipërie stabile dhe të njohur ndërkombëtarisht, e cila më vonë do të ishte në gjendje më të mirë për t’i përkrahur kërkesat e vëllezërve jashtë kufijve.

Qëndrimet e shtetit shqiptar ndaj këtij problemi janë shprehur me veçori dhe me probleme specifike në periudha të ndryshme të zhvillimit historik. Ato janë diktuar edhe nga koniunktura politike që kanë qenë të pranishme. Megjithatë, Luigj Gurakuqi theksonte: “Rëndësia e Shqipërisë në politikën e jashtme është aq e vogël, saqë nuk mund të besohet kurrë që do të kemi përkrahjen e shteteve të mëdha pavarësisht nga shërbimit që përpiqemi t’u bëjmë.” /Gdielli

- Reklama -spot_img

Më shumë artikuj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

Artikujt e fundit