Bashkimi Evropian i Radio-Televizioneve ka njoftuar një sërë rregullash të reja për Eurovision 2026, me synimin për të rritur transparencën dhe besimin në procesin e votimit. Ndryshimet prekin si publikun, ashtu edhe juritë profesionale, duke vendosur kufizime dhe standarde të reja për mënyrën se si jepen votat.
Sipas rregullores së re numri maksimal i votave që një person mund të japë përmes çdo metode pagese ulet nga 20 në 10 për të shmangur ndikimet e tepruara dhe për të krijuar një balancë më të drejtë mes garuesve. Po ashtu rikthehen juritë profesionale në gjysmëfinale të përbëra nga shtatë anëtarë me profile të ndryshme të fushës së artit dhe medias përfshirë edhe përfaqësues të rinj të moshës 18 deri në 25 vjeç. Juria do t’i nënshtrohen rregullave më të rrepta mbi pavarësinë e votimit dhe aktivitetin e tyre publik deri në përfundimin e konkursit.
EBU ka forcuar gjithashtu masat teknike për të parandaluar çdo formë votimi të koordinuar apo të manipuluar duke përdorur sisteme të avancuara monitorimi. Të gjitha këto ndryshime sipas organizatorëve synojnë që vëmendja e publikut të qëndrojë te muzika kreativiteti dhe performanca në skenë.
Eurovision 2026 do të mbahet në Vjenë të Austrisë, në skenën e “Ëiener Stadthalle”. Gjysmëfinalet do të zhvillohen më 12 dhe 14 maj ndërsa nata finale më 16 maj.
Shqipëria do të jetë sërish pjesë e kësaj gare evropiane. Përfaqësuesi shqiptar do të zgjidhet në dhjetor, gjatë Festivalit të 64-t të Këngës, dhe do të mbajë flamurin kuqezi në skenën e madhe të Eurovisionit në Vjenë, transmeton rtsh.




