Ukraina do të fillojë bisedimet me SHBA-në mbi planin e paqes prej 28 pikash të sugjeruar bashkërisht nga Rusia dhe SHBA-ja nesër në Gjenevë.
Këshilltarët e sigurisë kombëtare nga Franca, Britania, Gjermania dhe zyrtarë të Bashkimit Evropian do të jenë gjithashtu të pranishëm.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se kishte emëruar një delegacion për të diskutuar me Uashingtonin planin për të ndaluar luftën e Rusisë në Ukrainë.
“Kam nënshkruar një dekret për përbërjen e delegacionit ukrainas dhe kam miratuar të gjitha direktivat përkatëse”, tha presidenti ukrainas.
“Përfaqësuesit tanë dinë si t’i mbrojnë interesat kombëtare të Ukrainës dhe saktësisht çfarë nevojitet për të parandaluar Rusinë të kryejë një pushtim të tretë, një tjetër sulm kundër Ukrainës.”
Sipas Rustem Umerov, Sekretarit të Këshillit të Sigurisë dhe Mbrojtjes Kombëtare të Ukrainës, Ukraina po hyn në fazën e fundit të bisedimeve me SHBA-në me një “kuptim të qartë” të interesave të saj kombëtare.
“Këto ditë në Zvicër, ne fillojmë konsultimet midis zyrtarëve të lartë të Ukrainës dhe SHBA-së mbi parametrat e mundshëm të marrëveshjes së ardhshme të paqes”, tha ai, transmeton telegrafi.




