Arben Iliazi
Pas aneksimit të Çamërisë nga Greqia (1912-1913), lindi fenomeni i emigracionit. Ndër drejtimet kryesore të këtij emigracioni ishin edhe SHBA-të. Çamët e emigruar në Amerikë gjetën një terren të përshtatshëm dhe një pritje të ngrohtë që u mundësoi të organizoheshin në mbrojtje të fateve të Çamërisë. Në radhët e çamëve të emigruar ishin dhe shumë figura të shquara, si: Murat Haxhi Çami, Beqo Izeti, Lejla Dino, Mesut Çami, etj., që ishin dalluar në periudhën e Rilindjes sonë Kombëtare për veprimtari të dendur patriotike. Poeti Murat Haxhi Çami mërgoi në SHBA më 1916. Atje bashkëpunoi me “Vatrën” dhe shtypin patriotik të mërgimtarëve shqiptarë dhe u bë nismëtar i shumë memorandumeve, letrave dhe telegrameve të protestave në mbrojtje të lirisë, pavarësisë dhe tërësisë tokësore të atdheut.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës u bënë vendi i parë për përfaqësuesit e shqiptarëve të Çamërisë për të shpalosur një veprimtari të dendur patriotike e politike, për të sensibilizuar diplomacinë e Fuqive të Mëdha dhe veçanërisht atë amerikane, për dramën e rëndë që përjetonte Çamëria nën pushtimin grek. Aspak indiferentë ndaj çështjes kombëtare, shqiptarët e kësaj krahine filluan të organizoheshin. Më 22 nëntor 1918, në Worcester, Massachusetts të SHBA-ve, u themelua Shoqëria “Preveza” nga 75 shqiptarë të Çamërisë. Këta individë vinin nga prefekturat e Gumenicës, Janinës e Prevezës dhe përfshinin shqiptarë edhe nga krahina të tjera. Që ditën e krijimit u mblodhën nga donacione rreth 426$ për mbarëvajtet e saj.
Disa muaj më herët, po gjatë vitit 1918, në SHBA ishte formuar Partia Politike ose siç u quajt ndryshe, Partia Kombëtare Shqiptare, si dhe Shoqëria Çamëria, me një shtrirje të gjerë në shumë qendra të rëndësishme në SHBA. Një nga degët më të fuqishme tw Shoqërisë “Çamëria” ishte dega e krijuar në Çikago, në shtetin e Ilinoisit.
Si në Partinë Politike ashtu dhe në Shoqërinë Çamëria, aderonin figura të shquara nga të gjitha trevat shqiptare dhe zhvillonin një veprimtari të dendur patriotike, duke i shpalosur platformën politike në organe të rëndësishme, në gazetën “Dielli”, “Albania” dhe më pas në “Immigrandi” që dilnin në SHBA. Disa nga drejtuesit e Shoqërisë “Çamëria” ishin: Beqo Kushi (Izeti), Isuf Hyseni, Omer Bako, Refo Çapari, Gazali Dino etj.
Në fund të vitit 1918, pikërisht në prag të hapjes së Konferencës së Paqes në Paris, Shoqëria Çamëria dhe Partia Politike Shqiptare nisën të zhvillonin një veprimtari intensive për të mbrojtur çështjen shqiptare në atë forum të lartë ndërkombëtar, që do të analizonte edhe vënien në vend të padrejtësive që u ishin bërë vendeve të vogla. Patriotët shqiptarë në SHBA, nëpërmjet artikujve që botoheshin në editorialet e gazetës “Dielli”, “Albania”, etj., i tregonin botës argumentet politike dhe gjeografike se cili ishte kombi shqiptar, cilat ishin të drejtat dhe dëshirat e këtij kombi.
Në zemrat shqiptare dhe të elitës së saj politike, shpresat dhe besimi ishin varur tek Presidenti Uillson dhe kishin plotësisht arsye ta shihnin si mbrojtës të tyre. Noli i madh në takimin që pati me Presidentin amerikan në Kongresin e popujve të shtypur në përvjetorin e festës kombëtare të SHBA më 4 korrik 1918, gjeti rastin t’i bëjë një apel Presidentit në emër të kombit shqiptar, që me përpjekjet e tij të ndikonte në Konferencën e Paqes në Paris për vendosjen e Pavarësisë së Shqipërisë, e cila ishte shkelur nga Fuqitë e Huaja gjatë Luftës së Parë Botërore. Presidenti amerikan iu përgjigj me fjalët: “Unë kam një votë në Konferencën e Paqes? Dhe unë do ta përdor atë në favor të Shqipërisë”.
Në kohën kur kishte filluar Konferenca e Paqes në Paris, në emër të popullsisë çame, më 24 janar 1919, drejtuesit e Shoqërisë Çamëria, nëpërmjet kryetarit të saj, Beqo Kushi (Izeti), i drejtuan një letër presidentit Uillson, ku ndër të tjera, në emër të çamëve të emigruar në SHBA, i luteshin që të përdorte tërë autoritetin e Shkëlqesisë së Tij, mbi bazën e parimeve të shenjta të kombësisë dhe të vetëvendosjes, që të korrigjoheshin vendimet e padrejta të Konferencës së Londrës. Në vijim, Beqo Kushi i bënte të njohur Presidentit amerikan se krahina e Çamërisë banohej prej një popullsie që ishte me autoktoni shqiptare dhe së fundi, i lutej z. Uillson që kjo popullsi të çlirohej nga zgjedha greke dhe të bashkohej me shtetin amë. Beqo Kushi e përfundonte letrën, duke i vënë në dukje presidentit amerikan domosdoshmërinë e zgjidhjes së problemit të Çamërisë, se “nëse për një arsye apo një tjetër kërkesat e drejta të përfaqësuesve të Çamërisë nuk do të merren parasysh dhe Çamëria do të mbetej nën zgjedhën greke, nuk do të kishte kurrë paqe në Ballkan derisa të rrojë edhe shqiptari i fundit”, (AQSH, Fondi 251, viti 1919, Dos.14, fl.42)…
Gjithashtu, në të njëjtën kohë iu dërgua edhe një telegram tjetër nga shqiptarët e Amerikës përfaqësuesve të Treshes më të madhe në Paris, kryetarit të delegacionit japonez, Aojan, Kryetarit të Konferencës së Paqes, Klemanson, si dhe kryeministrit anglez, Lloyd Xhorxh, me anën e të cilës shprehnin dëshirën e popullsisë çame që “Çamëria të bashkohej me Shqipërinë”, (ASH, gazeta “Albania”, Uorçester Mass, dt.18 shkurt 1918).
Të njëjtën përmbajtje kishte edhe një parashtresë tjetër, që u hartua nga një përfaqësi çame: Asaf Ajdonati, Ahmet Çamëria dhe Qamil Preveza, drejtuar Kryetarit të Konferencës së Paqes, (AQSH, Fondi 251, viti 1919, Dos.14, fl.42. Një kopje e kësaj letre iu dërgua presidentit Uillson dhe kryeministrit anglez, Lloyd Xhorxh).

Në emër të komunitetit të gruas shqiptare, bija e Çamërisë Lejla Rasih Dino, iu drejtua Konferencës së Paqes në Paris, për problemet madhore të kombit tonë. Ishte pra gruaja e parë shqiptare që me kurajë i drejtohet në kohën e duhur, Kryetarit të Konferencës së Paqes në Paris, për çështjen shqiptare. Nuk ishte rastësi ky guxim i një gruaje çame, por një vazhdimësi e pjesëmarrjes së familjes Dino në të gjitha ngjarjet e mëdha, të luftës për Liri e Pavarësi. Ajo si Kryetare e Grave Shqiptare jashtë vendit, shfrytëzoi ardhjen e familjes Presidenciale, Ëilson, në Konferencën e Paqes në Paris. Ishte hera e parë që një President Amerikan vinte në Europë. Ajo trokiti tek simboli i Paqes, Woodrow Wilson, i cili u vlerësua me çmimin Nobel për Paqen. Ajo i drejtohet kësaj figure më në zë të politikës botërore, për mbrojtjen e çështjes shqiptare në përgjithësi, e të Kosovës e Çamërisë në veçanti. Lejla, në këtë rast, shfrytëzoi njohjen e saj me Edith (Galt) Ëillson, gruan e presidentit, Ëoodroë Ëillson, ku nëpërmjet një letre, i shtron kërkesat legjitime të popullit shqiptar të mohuara prej grabitqareve.
Edhe Partia Politike Shqiptare, e drejtuar nga Kristo Dako, tërë shpresat për të realizuar synimet që i kishte vënë vetës, i kishte varur kryesisht në administratën e lartë amerikane, prandaj hartoi një deklaratë, që u nënshkrua nga përfaqësuesit e vendeve të robëruara, dhe iu dorëzua Presidentit të SHBA. Nëpërmjet mikut të tij amerikan, Charles Crane, Dako ka pasur mundësinë t’ibëjë me dije Presidentit të 3Shteteve të Bashkuara Ëoodroë Ëilson, interesat kombëtare të Shqipërisë. Ekipi i zyrtarëve të lartë amerikanë që përgatitej për të shoqëruar Presidentin Uillson në Paris, në fund të tetorit 1918 i bëri një ftesë edhe Dakos. Përfaqësuesi i Partisë Politike Shqiptare e shfrytëzoi atë rast për të parashtruar para specialistëve të njohur amerikanë për Ballkanin, argumente lidhur me historinë e Shqipërisë dhe padrejtësitë që i ishin bërë dhe i kërkoi diplomacisë amerikane që të zbatoheshin me ndershmëri dhe pa paragjykime parimet e shpallura nga Presidenti Uillson, në themel të së cilës ishin parimi i kombeve për vetëvendosje.
Një mbështetje të fuqishme në këtë kohë, rrethet patriotike shqiptare në SHBA, gjetën edhe në një organizatë ndërkombëtare, “Bashkimi Demokratik i Evropës Qendrore”, e cila qendrën e veprimtarisë e kishte në SHBA. Ajo ishte një organizatë politike “irredentiste” e vendeve të robëruara ose pjesërisht të robëruara të Evropës. Komiteti Drejtues i kësaj organizate, kërkoi me ngulm që Kosova dhe Çamëria, treva të padiskutueshme shqiptare, të pushtuara padrejtësisht nga Serbia dhe Greqia, t’i bashkoheshin Shqipërisë.

Përpjekjet për sensibilizim të Fuqive të Mëdha dhe administratës amerikane nga veprimtarët patriotë të Çamërisë vijuan edhe më pas. Nё 1974 Bilal Xhaferi (1936-1986) themeloi në Çikago “Lidhjen Çame”, dhe themeloi evistën “Krahu i shqiponjës”, si organ të saj, duke ecur në traditën e Konicës, të Nolit. Çështja e Kosovës dhe Çamërisë ishte në rendin e ditës në krejt veprimtarinë e shkrimtarit Bilal Xhaferi.
Falë Shoqërive çame dhe organizatave politike të shqiptarëve, çështja kombëtare u ndërkombëtarizua në forume të ndryshme ndërkombëtare. Përfaqësuesit e tye u kërkuan atyre që të zbatonin me ndershmeri dhe pa paragjykime parimet e kombësive, për të mbrojtur dhe mos lejuar që të shkeleshin të drejtat e kombit më të vjetër të Ballkanit, independenca e tij. Midis te tjerash kërkuan që brenda territorit shqiptar të përfshiheshin edhe krahinat e Kosovës dhe Çamërisë. Nga ana tjetër ata bënë ç’ishte e mundur dhe shfrytëzuan të gjitha njohjet për të sensibilizuar miqtë e tyre amerikanë me problemet dhe kërkesat shqiptare. /Gdielli




