Nga Dashnim HEBIBI
Cyrih, 12 tetor 2025 – Edhe sot, në ditën kur po mbahen zgjedhjet lokale në Kosovë, shumë banorë shqiptarë të Luginës së Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës nuk kanë të drejtë vote. Shumica prej tyre nuk e kanë ende shtetësinë e Republikës së Kosovës, ndonëse një pjesë e vogël e ka siguruar atë gjatë viteve të fundit.
Është e domosdoshme që institucionet e Kosovës dhe Shqipërisë të gjejnë mënyra konkrete për t’u mundësuar këtyre qytetarëve që të kenë dy shtetësi – atë të Shqipërisë dhe të Kosovës. Kjo nuk është vetëm çështje administrative, por një e drejtë kombëtare dhe morale.
Banorët e Luginës kanë prona, familje dhe lidhje të forta në shumë qytete të Kosovës, sidomos në Gjilan, Kamenicë dhe Prishtinë. Ata nuk duhet të ndihen të lënë pas dore apo të harruar, kur kemi dy shtete shqiptare që duhet të kujdesen për çdo shqiptar, kudo që jeton.
Fatkeqësisht, gjatë fushatave zgjedhore nuk është dëgjuar pothuajse asnjëherë ndonjë kandidat apo parti që të përmendë publikisht banorët e Luginës së Preshevës që jetojnë e veprojnë në Kosovë. Edhe nga vetë banorët e Luginës që jetojnë edhe në Kosovë mungon një kërkesë e organizuar për shtetësinë kosovare. Është koha që kjo çështje të shtrohet seriozisht dhe të kërkohet në mënyrë institucionale.
Presheva, Bujanoci dhe Medvegja janë dhe do të mbeten pjesë shpirtërore e Kosovës dhe e kombit shqiptar.
Nga ana tjetër, edhe shteti shqiptar nuk duhet ta harrojë Luginën e Preshevës. Shumë shqiptarë nga ajo trevë kanë ndërruar jetë me dëshirën e madhe për të pasur pasaportën kuqezi, ndërsa të rinjtë e sotëm e ndiejnë po aq fort përkatësinë e tyre kombëtare.
Në diasporë, në çdo shtëpi të mërgimtarëve gjendet një flamur kombëtar. Ata kthehen në atdhe, mbushin stadiumet kur luan Shqipëria, dhe ruajnë me krenari rrënjët e tyre shqiptare. Prandaj, dhënia e dy shtetësive për shqiptarët e Luginës do të ishte një akt drejtësie kombëtare dhe bashkimi shpirtëror. / SAM24.info