Zvicra gjendet në zemrën e zonës ekonomike më të fuqishme të Evropës, të njohur si “Banana Blu”. Por pozita gjeografike nuk është e vetmja arsye që shpjegon suksesin dhe mirëqenien e saj.
Rrugët tregtare të Evropës kanë ndryshuar me kalimin e shekujve, por boshti kryesor mbetet i njëjtë. Dikur, tregtarët kalonin Alpet me mushka; sot, mallrat udhëtojnë me trena përmes tunelit të Gotthardit. Zvicra ka qenë gjithmonë një pikë kyçe në zemër të kontinentit – një “grykë shisheje” që lidh veriut me jugun. Kjo pozitë strategjike ka ndikuar ndjeshëm në zhvillimin ekonomik të vendit që nga Mesjeta.
Çfarë është “Banana Blu”?
Termi u prezantua në vitin 1989 nga gjeografi francez Roger Brunet. Ai përshkruan një hark ekonomik që nis nga veriu i Anglisë, kalon përmes Beneluksit, Rrugës së Rinit dhe shtrihet deri në Italinë Veriore – një zonë me rreth 100 milionë banorë, e dendur, e zhvilluar dhe ekonomikisht dinamike. Ngjyra blu simbolizon Evropën, ndërsa lumi Rin shërben si shtylla kurrizore e kësaj zone, duke lidhur qytete, porte dhe tregje.
Në këtë “bananë” përfshihen qendra të rëndësishme si Londra, Brukseli, Amsterdami, Frankfurti, Cyrihu, Gjeneva, Milano dhe Torino. Brenda saj përqendrohen kapitali, infrastruktura, qendrat kërkimore dhe institucionet politike.
Më shumë se fat gjeografik
Pozita e favorshme është padyshim një avantazh për Zvicrën, por historia ekonomike tregon një tablo më të gjerë. Që në shekullin XIX, vendi u fokusua në përpunimin e lëndëve të para të importuara, në arsim dhe në inovacion teknologjik. Zvicra u bë herët një ekonomi eksportuese, ndërsa shumë punëtorë udhëtonin jashtë, fitonin përvojë dhe ktheheshin me dije të reja. Po ashtu, emigrantë të tillë si Hugenotët sollën njohuri që nxitën zhvillimin.
Sipas historianit ekonomik Tobias Straumann, përveç “fatit gjeografik”, edhe sistemi politik zviceran – me federalizëm dhe demokraci të drejtpërdrejtë – ka luajtur një rol kyç. Rajonet kishin hapësirë për t’u zhvilluar në mënyrë të decentralizuar, pa u varur nga një qendër e vetme.
Sfida të reja në horizont
Megjithatë, zona e “Bananes Blu” nuk është pa probleme. Qendrat ekonomike po përballen me rritje të qirave dhe çmimeve të tokës, ngarkesë më të madhe të trafikut dhe sfida mjedisore. Ndërkohë, rajonet më të dobëta ekonomikisht rrezikojnë të mbeten pas, duke nxitur migrimin drejt qyteteve të mëdha dhe përqendrimin e mëtejshëm të popullsisë.
Ekonomia zvicerane po përballet edhe me presione të jashtme. Që nga gushti, SHBA ka vendosur taksa ndëshkuese 39% për një sërë produktesh zvicerane, gjë që kërcënon vende pune. Megjithatë, Sekretariati Shtetëror për Ekonomi (Seco) parashikon një rritje ekonomike prej 1,3% në 2025 dhe 1,2% në 2026 – më e ulët se mesatarja afatgjatë, por shenjë e rezistencës së ekonomisë zvicerane, shkruan 20min.ch.
Pozita gjeografike e Zvicrës në zemër të “Bananes Blu” i ka dhënë vendit një avantazh të madh historik dhe ekonomik. Por ky sukses është ndërtuar edhe mbi inovacion, dije, emigracion të mençur dhe një sistem politik unik që ka lejuar zhvillimin rajonal. Sfida të reja po shfaqen, por Zvicra mbetet një nga ekonomitë më të qëndrueshme të Evropës, transmeton 20min.ch. /SAM24.info
(Foto ilustrim)
(Përgaditi D.H)