Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, mori pjesë dhe mbajti një fjalë në Samitin e Procesit të Brdo-Brijunit, i cili u zhvillua këtë të hënë në Durrës.
Në fjalën e tij, Presidenti Begaj theksoi se aspirata e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian nuk është vetëm një objektiv politik, por një mision kombëtar. “Integrimi në BE vazhdon të gëzojë një mbështetje masive në shoqërinë tonë, pasi pasqyron vlerat me të cilat identifikohemi: demokracinë dhe sundimin e ligjit. Shqipëria ka bërë përparime të prekshme dhe të matshme brenda një kohe të shkurtër,” – u shpreh Presidenti.
Ai theksoi gjithashtu se vendi ka hapur tashmë 5 nga 6 kapitujt e negociatave dhe po punon për të avancuar më tej në reformën në drejtësi, forcimin e shtetit ligjor dhe luftën kundër krimit të organizuar.
“Synimi ynë është të përfundojmë negociatat teknike deri në fund të vitit 2027 dhe të bëhemi anëtarë me të drejta të plota të BE-së në vitin 2030,” – deklaroi Presidenti Begaj, transmeton euronewsal.