Nga PhD. Dashnim HEBIBI, Zürich
Mirënjohje për një profesor që ndriçon me dijen e tij – Prof.dr. Abdulla Azizi
Në kohët e turbullta që po kalojmë, kur shoqëria shpesh përballet me polarizime të thella politike e shoqërore, roli i intelektualëve të mirëfilltë bëhet edhe më i rëndësishëm. Fatkeqësisht, shpeshherë dijetarët dhe ajka e vërtetë intelektuale etiketohen në mënyra të ndryshme, në vend që të vlerësohen për kontributin e tyre.

Në këto momente më kujtohet krahasimi me diellin dhe rrezet e tij: dielli ndriçon çdo vend, edhe mbi plehra, por as rrezet nuk ndoten, as dielli nuk përlyhet. Kështu janë edhe intelektualët e mirëfilltë — ata vazhdojnë të ndriçojnë pavarësisht mjegullës që krijojnë paragjykimet dhe përgojimet.

Shpesh, shoqëria përpiqet t’i vendosë intelektualët në ngjyra politike. Disa e pranojnë një gjë të tillë si pjesë të bindjeve të tyre, disa të tjerë qëndrojnë mbi ndasitë partiake, duke ruajtur integritetin e tyre si figura që i përkasin kombit dhe dijes. Secili ka të drejtën e vet për të zgjedhur rrugën që beson, por ajo që është e papranueshme është shpifja dhe përbaltja ndaj atyre që zgjedhin të mos jenë pjesë e lojërave politike. Intelektualët janë shtylla kurrizore e shtetit, mbartësit e dijes dhe të ndërgjegjes kombëtare, prandaj ndaj tyre duhet pasur respekt e jo përgojime.
Në këtë kontekst, ndihem me të vërtetë i nderuar që kam pasur mundësinë të kem profesor një personalitet si prof. dr. Abdulla Azizi, një figurë e ndritur akademike dhe intelektuale e shquar në Universitetin e Evropës Juglindore.
Ai është një shembull i rrallë i atij që, edhe pse mund të ketë bindjet e veta politike si çdo qytetar, e mban “petkun e partisë” për vete, ndërsa në publik mban flamurin kombëtar, dijen dhe objektivitetin. Ai ka ditur të mbetet i palëkundur në qëndrimet e tij akademike dhe njerëzore, duke u bërë frymëzim për shumë gjenerata studentësh e të rinjsh që synojnë të kuptojnë më thellë çështjet ndërkombëtare dhe realitetin tonë kombëtar.
Ka kaluar kohë që nuk jemi takuar, dhe me të vërtetë mezi pres ta takoj sërish, qoftë në Iliridë, Dardani, apo edhe më mirë në Luginën e Preshevës, aty ku rrënjët dhe identiteti marrin kuptim të veçantë.
Fjalët e mira janë të pakta për të përshkruar një intelektual të vërtetë si profesor Abdulla Azizi, por është detyrë morale t’i themi me zë të lartë dhe me respekt të thellë. Personalitete të tilla janë pasuri kombëtare që duhet vlerësuar dhe respektuar çdo ditë.