Kush do të ndjejë goditjen më të fortë?
Qeveria zvicerane njoftoi së fundmi se premiumet mesatare të sigurimeve shëndetësore në Zvicër do të rriten për 4,4% në vitin 2026. Megjithatë, ky është vetëm mesatarja – disa të siguruar do të përballen me rritje më të fortë. Një analizë nga kompania e konsulencës Deloitte tregon se grupi më i prekur janë ata që aktualisht paguajnë premiumet më të ulëta.
Sipas analizës, të siguruarit me premiumet më të lira do të përjetojnë një rritje reale prej rreth 7%. Për shembull, premiumi më i lirë në Zvicër do të shkojë deri në 23 franga më shumë në muaj nga viti i ardhshëm. Kjo ngushton dallimet e çmimeve midis ofruesve të ndryshëm të sigurimeve, duke e bërë më të vështirë për kompanitë të tërheqin klientë vetëm me oferta më të lira.
Megjithatë, shumë kompani të sigurimeve vazhdojnë të përdorin metoda të diskutueshme të marketingut, si telefonatat reklamuese (të njohura si “Cold Calls”), pavarësisht se ato janë të ndaluara. Rreth 44% e të anketuarve raportuan se kanë marrë të paktën një telefonatë të tillë që nga fillimi i vitit 2025.
Nga ana e të siguruarve, kënaqësia mbetet e lartë: një sondazh i Deloitte mbi rreth 1,300 persona tregoi se vetëm rreth 6% janë të pakënaqur me sigurimin bazë shëndetësor. Megjithatë, gatishmëria për të ndryshuar sigurimin mbetet e dukshme. Sipas sondazhit, rreth 7–10% e të siguruarve, deri në 900,000 persona, mund të ndryshojnë sigurimin e tyre bazë deri në fund të nëntorit. Nëse rritja mujore e premiumit arrin rreth 30 franga, më shumë se gjysma e të pyeturve do të konsideronin të ndryshojnë sigurimin, transmeton sam24.info.
Ky zhvillim tregon se, ndërsa shumica e të siguruarve mbeten të kënaqur me shërbimin e tyre, ndikimi financiar i rritjes së premiumeve është më i rëndë për ata që deri tani paguanin më pak, dhe mund të nxisë lëvizje të konsiderueshme në tregun e sigurimeve shëndetësore në Zvicër, shkruan 20min.ch. (Foto ilustrim)
Përgaditi: D.H /sam24.info