Nga 12 tetori Bashkimi Evropian fillon zbatimin e sistemit të ri të hyrje-daljes (EES), me të cilin vulat tradicionale në pasaporta do të zëvendësohen me evidencë elektronike dhe të dhëna biometrike. Sistemi i ri, që do të zbatohet në të gjitha kufijtë e jashtëm të zonës Shengen, është i destinuar për shtetasit e vendeve të treta që udhëtojnë për qëndrim të shkurtër deri në 90 ditë brenda 180 ditëve pa marrë parasysh nëse udhëtojnë me vizë apo pa vizë, raporton KosovaPress.
Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka njoftuar qytetarët për sistemin e ri duke theksuar se qëllimi është të rritet siguria, të lehtësohet kalimi i kufijve dhe të parandalohet tejkalimi i kohëzgjatjes së lejuar të qëndrimit.
“Gjatë udhëtimit të parë pas aplikimit të sistemit, udhëtarët do të kalojnë një proces të plotë regjistrimi që përfshin fotografim, skanim të gjurmëve të gishtave dhe futjen e të dhënave nga pasaporta. Për të lehtësuar procedurën, në pikat kufitare do të ketë edhe stacione vetëshërbimi, si dhe është e mundur regjistrimi paraprak përmes aplikacioneve mobile. Gjatë udhëtimeve të mëvonshme, kontrolli do të jetë ndjeshëm më i shpejtë, sepse të dhënat tashmë do të jenë të ruajtura në sistem dhe do të kryhet vetëm verifikimi i tyre”, tha Goce Andreevski – zëdhënës i MPB-së.
Sistemi do të zbatohet në faza nga tetori 2025 deri në prill 2026, kur vulat në pasaporta do të zëvendësohen plotësisht me regjistrime elektronike. Të dhënat do të përpunohen sipas standardeve strikte, me mbrojtje të plotë të privatësisë.
Ministria e Punëve të Brendshme apelon qytetarët që planifikojnë udhëtime në vendet e zonës Shengen që të njohin me kohë rregullat e reja për të shmangur vonesa të panevojshme, transmeton Alsat.mk.