Shqipëria po shënon një përparim të shpejtë dhe domethënës në rrugën drejt Bashkimit Evropian, duke u pozicionuar si “nxënësja e vetme me notën A+” mes nëntë vendeve kandidate, sipas analizës së Radio Evropa e Lirë (REL). Vetëm një vit pasi nisën bisedimet në praktikë, vendi ka hapur 28 nga 35 kapitujt e anëtarësimit, duke ngjallur optimizëm se kapitujt e mbetur mund të hapen deri në fund të vitit.
Komisionarja për Zgjerimin, Marta Kos, i dha shtysë këtij ritmi duke deklaruar: “Shqipëria ka treguar se ndryshimi pozitiv është i mundur dhe BE-ja e shpërblen këtë ndryshim pozitiv. Mbajeni ritmin.”
Dy shtylla të suksesit: Drejtësia dhe diplomacia
Shkrimi thekson se ky transformim bazohet në dy shtylla kryesore, që kanë rikthyer Shqipërinë, e cila në vitin 1997 ishte në prag të mbijetesës shtetërore:
1. Reformat e thella të brendshme (Vetingu)
Ligjëruesja në Departamentin e Shkencave Politike të Universitetit të Tiranës, Klodiana Beshku thekson rolin kyç të reformës në drejtësi, e cila çoi në vetingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe në arrestimin e rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë. Ajo e cilëson këtë si një risi që ka sjellë “rënien e kulturës së mosndëshkimit në nivele të larta” dhe ka ripërcaktuar pozicionin ndërkombëtar të Shqipërisë.
2. Diplomacia karizmatike (Imazhi i Ramës)
Redaktori i REL për Evropën, Rikard Jozwiak, shpjegon se udhëheqësit evropianë janë të impresionuar nga imazhi që Kryeministri Edi Rama ka ndërtuar në Bruksel. Rama shfaq një mentalitet “mund ta bëjmë”, duke u dalluar nga liderët e tjerë të Ballkanit Perëndimor që shpesh shkojnë në Bruksel për t’u ankuar.
Jozwiak thekson se karizma e Ramës dhe prezenca e tij pozitive, e kombinuar me rolin e Shqipërisë si mikpritëse e ngjarjeve të mëdha ndërkombëtare (si Samiti i Komunitetit Politik Evropian dhe ai për Ukrainën), kanë ndihmuar në përmirësimin e perceptimit publik, duke lënë pas imazhin e dikurshëm të një vendi pa ligj.
“Edi Rama është shumë i pëlqyer në Bruksel… E gjithë prezenca e tij publike është në kontrast të thellë me shumë udhëheqës të tjerë… të cilët vijnë në Bruksel dhe ankohen.”, thotë Rikard Jozwiak.
Ekspertët këshillojnë Tiranën që të vazhdojë të zbatojë reforma të sinqerta dhe të mbrojë parimet demokratike, pasi anëtarësimi në BE kërkon një ekonomi dhe një demokraci funksionale.
Mësimet për Kosovën
Suksesi i Shqipërisë shërben si një shtysë dhe një mësim i qartë për vendet e tjera të rajonit. Për Kosovën, e cila është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor pa status kandidati dhe me dialogun e bllokuar me Serbinë, presioni është i madh.
James Ker-Lindsay thekson se përparimi në BE kërkon bashkëpunim konstruktiv me institucionet evropiane.
“Duhet t’i tregosh Evropës se je i gatshëm të bashkëpunosh. Në rastin e Kosovës, ky është një mesazh jashtëzakonisht i rëndësishëm, veçanërisht tani, kur marrëdhëniet midis kryeministrit [Albin] Kurti dhe BE-së janë në një pikë aq të ulët.”, thekson James Ker-Lindsay.
Shqipëria, sipas vëzhguesve, po tregon se vendet e rajonit mund të provojnë pjekurinë e tyre dhe “të luajnë lojën e madhe” të anëtarësimit. Jozwiak shpreh besimin se Shqipëria dhe Mali i Zi do të anëtarësohen në BE këtë dekadë, duke i dhënë Brukselit një sukses të dëshiruar pas një pauze të gjatë, transmeton rtsh.