Neurokirurgu shqiptar i suksesshëm në SHBA, Gentian Toshkëzi, ishte i ftuari i Andri Xhahut në programin “Në radio”.
Toshkëzi, i cili prej 20 vitesh jeton dhe vepron në kontinentin e largët, drejton Departamentin e Neurokirurgjisë në Qendrën Mjekësore “Meredith”.
Mjeku kujton kohën kur vendosi të largohej nga Shqipëria pas studimeve për mjekësi në Tiranë, ku ish-presidenti Rexhep Mejdani i akordoi Medaljen e Artë. “Isha ai brez që përjetoi tranzicionin e menjëhershëm nga komunizmi në pluralizëm. Përjetuam çlirimin për të njohur dhe eksploruar botën.”
Dhe kështu ndodhi. Fillimisht iu dha mundësia për të aplikuar për një bursë studimi në Paris, e cila nuk iu aprovua për arsye fondesh. “Pasi hoqa shpresat për të shkuar në Paris, më vjen një letër nga një profesor në spitalin Beaujon [lexo: Bozhon] të Parisit. Atij i vinte keq për ndalimin e kësaj burse dhe më shkruante që nëse unë dëshiroja mund të shkoja në departamentin e tij për të bërë një specializim.”
Pas dy vitesh specializim në Francë, niset drejt Shteteve të Bashkuara për të takuar familjarët e tij. “Mendova që të shpenzoja disa ditë në një spital ne Pensilvani. Ndërkohë njihem me një nga mjekët atje. Pasi kthehem në Francë e falënderoj për mundësinë që më dha të shikoja punën e tij. Dhe fjala ‘Keep in touch’ [përkth. ‘Mbetemi në kontakt’] që në fund amerikanët e thonë rëndom, mua m’u duk shpresëdhënëse.”
Pasi kishte studiuar për provimin shkon sërish në kontinentin e largët “për të takuar profesorin e për t’i thënë që jam gati të bëj një specializim të shkurtër.” Nuk arriti ta takonte, por rastësia bëri që në portën ku priste avionin për t’u kthyer në Francë, takon profesorin që shkonte për një konferencë. “Më kërkon t’i shkruaj dhe biseda rifilloi. Aty u hap një dritare!”
U deshën vite punë dhe investime. Për katër vjet punoi “ditë e natë që të tregoja që vleja” në Qendrën Spitalore Universitare të Bostonit.
Në vitin 2020, doktor Toshkëzi u shpall “Mjeku më i mirë i Amerikës”. “Ishte surprizë për mua. Është një vlerësim që bëhet çdo vit. Vlerësohen disa elementë, që nga pritja e pacientit, komunikimi me të, sa i vërtetë dhe i hapur je me të, sa kohë i kushtohet dhe sa empatik je me të. Aty fillon lidhja me pacientin dhe më pas është teknika operatore, rezultatet që ke, koha që i përkushtohesh pacientëve pas operacionit.”
Një nga ndërhyrjet më të vështira, doktor Toshkëzi veçon atë të një djali shqiptar me një këmbë të paralizuar. “Pasi ishte kontrolluar në disa mjekë në Filadelfia, ata e kishin rekomanduar të vinte tek unë. Vjen në zyrën time dhe më thotë që ti je shqiptar dhe dua të operohem me ty. I shpjegoj me gjakftohtësi situatën. Gjendja ishte serioze, njërën këmbë nuk e lëvizte. Ishte djalë i ri që merrej me aktivitete sportive. Përgjegjësi dyfishe sepse ishte shqiptar dhe kishte emrin tim. Kryem operacionin! I kisha thënë që rreziku për të mos e lëvizur këmbën ekzistonte por të paktën do hiqnim tumorin dhe nuk do të kishte avancim të kësaj sëmundjeje serioze. Pas operacionit shkoj e shoh dhe e lëvizte këmbën i mrekulluar.”, transmeton rtsh.