Nga Prof.dr.Xhavit LIPAJ, Zvicër
Protesta e sotme në Den Hag nuk duhet parë vetëm si një tubim i zakonshëm qytetar, por si një akt i ndërgjegjes kolektive dhe një thirrje universale për drejtësi. Në thelb të saj qëndron një e vërtetë e thjeshtë, por e thellë: ata që sot mbahen padrejtësisht në qelitë e ftohta, janë pikërisht ata që dikur u ngritën për lirinë, dhe falë së cilës sot ne jetojmë të lirë.
Figura e tyre nuk është thjesht individuale; ajo është kolektive, sepse ata janë bartësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, një simbol i rezistencës, i sakrificës dhe i dinjitetit kombëtar. Për këtë arsye, ata nuk mund të shihen si individë të izoluar nga koha e tyre, por si shtylla të historisë sonë moderne.
Harresa ndaj tyre do të ishte harresë ndaj vetvetes. Të mos flasim për ta, do të thotë të heshtim edhe për vetë lirinë që sot e gëzojmë. Dhe heshtja, në këtë rast, është bashkëfajësi me padrejtësinë.
Edhe pse fizikisht nuk jemi pranë tyre, zemra dhe shpirti ynë mbeten bashkë në dhomat ku ata vuajnë dhe në rrugët ku protestohet për ta. Zëri ynë është një urë, një frymëmarrje që mban gjallë shpresën dhe forcon bindjen se drejtësia nuk mund të vonohet pafundësisht.
Kjo protestë, pra, nuk është një ngjarje e përkohshme. Ajo është një kujtesë se historia jonë nuk duhet të shkruhet nga të tjerët, por nga vetë ne; një thirrje që liria të mos mbetet vetëm një kujtim i fituar, por një realitet i mbrojtur me përjetësi.
Sa për ata që duan të njollosin këtë rrugë, le të mbeten në zhurmën e tyre, se historia nuk shkruhet nga lehjet e përkohshme, por nga veprat madhështore të atyre që sakrifikuan gjithçka për liri.
Nga një i panjohur…