Nga Dashnim HEBIBI, Lozanë
Jeta është një mundësi e vetme për të punuar shumë, për t’u përkushtuar dhe për ta shfrytëzuar për të mirë. Miqësia e vërtetë, si drita, çan edhe terrin. Këto fjalë më erdhën natyrshëm pas disa ditësh udhëtimi nëpër vende historike dhe takimesh të paharrueshme, që na lanë shumë përshtypje e emocione, duke na bërë të reflektojmë dhe të shpresojmë që këto rrugë të shërbejnë si frymëzim edhe për familjarët, miqtë e dashamirët tanë.
Kudo që shkon Ambasadori i Maqedonisë së Veriut në Bern të Zvicrës, Shkëlqesia e Tij, z. Rexhep Demiri, përcjell dashuri dhe respekt. Jo vetëm qytetarët e Maqedonisë së Veriut që jetojnë në Zvicër e çmojnë atë, por edhe shqiptarë nga të gjitha trevat. Agjenda e tij është gjithmonë e mbushur, por ai arrin kudo të sjellë frymëzim, mbështetje dhe afërsi me mërgatën tonë.
Së bashku me Florim Useinin patëm nderin të përcillnim përshëndetjet te shumë personalitete që takuam, e më pas u nisëm për në Lozanë, ku na prisnin dy miqtë tanë – Milaim Berisha dhe Atdhe Jasiqi. Dy shokë të pandarë në punë e jetesë, të cilët edhe pse nuk janë familjarë, prej vitesh kanë dëshmuar se suksesi arrihet kur punohet me sinqeritet dhe përkushtim. Ata drejtojnë kompaninë prestigjioze Vuichard Groupe SA, e cila ka histori të pasur që daton nga viti 1964 dhe gëzon reputacion të shkëlqyer në Zvicër.
Për ta, ishte nder i madh të prisnin Ambasadorin Demiri në konakun e tyre. Mikpritja e tyre tipike dukagjinase na bëri të ndiheshim sikur ishim mes Pejës e Deçanit. Atmosfera ishte e ngrohtë, e mbushur me dashuri e respekt. Në këtë takim ishte i pranishëm edhe z. Agim Ramosaj Gashi, një atdhetar i dalluar i kohës së çlirimit dhe pavarësisë së Kosovës, si dhe teologu i njohur, hoxhë Fehim Abazi, imam i Qendrës Shqiptare për Integrim, Kulturë dhe Religjion në Lozanë. Fjalët e tij të mençura, që theksonin unitetin, paqen dhe përparimin e shqiptarëve kudo, dhanë peshë të veçantë takimit.
Në bisedat tona u fol për shumë çështje – për sukseset e Milaimit dhe Atdheut, për interesimin e tyre që një ditë të shtrijnë biznesin në vendlindje, për ruajtjen e gjuhës dhe traditave kombëtare, si dhe për situatën aktuale në Kosovë dhe rajon. U folë edhe për platformën mediale sam24info që është duke luajtur një rol të veçant në informim real sidomos për mërgatën tonë. Ambasadori Demiri theksoi se afaristët shqiptarë kanë arritur suksese të mëdha në Zvicër dhe se do të ishte e mrekullueshme nëse një pjesë e këtyre investimeve të kthehej në atdhe, si një dhuratë për zhvillimin dhe të ardhmen e brezave.
Takimi zgjati gjatë, mes bisedash të përzemërta, e megjithëse ishte një ditë pune, atmosfera ishte e lehtë dhe miqësore. Ne çmalleshim si miq të vjetër, duke ndarë kujtime, ide dhe shpresa për të ardhmen. Ishte e qartë se këto momente nuk do të harrohen kurrë.
• Miqësia e vërtetë nuk matet me kohë, por me sinqeritetin e zemrës.
• Sinqeriteti është ura më e fortë që lidh dy njerëz.
• Një mik i sinqertë është pasuria më e madhe që mund të kesh në jetë.
• Pa miqësi, jeta është e zbrazët; pa sinqeritet, miqësia është e kotë.
• Miqtë e vërtetë nuk të gjykojnë, por të kuptojnë.
• Sinqeriteti është gjysma e miqësisë, kurse gjysma tjetër është besnikëria.
• Një buzëqeshje e sinqertë vlen më shumë se njëqind fjalë boshe.
• Miqësia e sinqertë është si një pemë: rritet ngadalë, por kur forcohet, nuk rrëzohet lehtë.
Roli i ambasadorit në këto takime është i jashtëzakonshëm. Kur ai është afër mërgimtarëve, tregohet afërsia e shtetit me qytetarët e tij dhe hapen rrugë të reja për të mirën e përbashkët. Mërgata jonë është dhe do të mbetet arteria kryesore e zhvillimit të atdheut, ndaj edhe sukseset e saj në biznes, shkencë e kulturë janë burim krenarie.
Ambasadori Demiri, me modesti dhe përkushtim të rrallë, është i njohur për punën e tij të palodhur – mbi 13 orë në ditë, edhe në fundjavë. Ai nuk e sheh orën, por gjithmonë i qëndron pranë komunitetit. Në ambasadë nuk ka pritje të gjata për një dokument; çdo qytetar pritet me respekt të veçantë, pavarësisht kombësisë apo prejardhjes. Kjo është arsyeja pse ai ka fituar zemrat e mërgatës dhe është vlerësuar si model i diplomatit të përkushtuar dhe të sinqertë.
Takimi përfundoi më 13 shtator me një urim të ngrohtë nga Ambasadori Demiri për të gjithë kandidatët që garojnë në zgjedhjet lokale në Kosovë, duke u dëshiruar sukses dhe një frymë të shëndoshë bashkëpunimi. Në fund, me bekime për njëri-tjetrin, u ndamë me dëshirën që të takohemi sërish në gëzime të përbashkëta.
Ky udhëtim ishte një dëshmi e gjallë se si miqësia, puna e ndershme dhe përkushtimi për atdheun mbeten vlera të pavdekshme.Do të vazhdojmë me Florim Useinin në udhëtimin tonë historik.