Nga Dashnim HEBIBI
Prizren, 27 gusht 2025 – Prej disa ditësh në Kosovë po qëndron presidenti i shkollës së aktrimit IFTP me seli në Zvicër, profesori, aktori dhe regjisori i njohur Adem Kicaj. Ai njihet jo vetëm për talentin, përvojën, veprimtarinë dhe profesionalizmin, por edhe për modestinë e tij, pasi ka luajtur dhe vazhdon të luajë në skena të ndryshme në Zvicër, Kroaci, Austri, Gjermani, Slloveni dhe shumë vende të tjera, duke fituar respektin e artdashësve dhe njohësve të kulturës.

Gjatë qëndrimit në Kosovë, Kicaj po zhvillon takime e bashkëpunime me aktorë të njohur të kombit tonë, duke paralajmëruar projekte të reja artistike dhe duke zbuluar talenta të rinjë përmes shkollës së aktrimit IFTP. Sot ai ka nderuar me mirënjohje ikonën e satirës shqiptare, aktorin dhe mikun e tij të afërt, Sevdail Radogoshi, për kontributin e tij të çmuar në kulturë dhe art.

Në foto, nga e majta: aktori Shpejtim Pasjaqa, aktori Sevdail Radogoshi dhe presidenti i shkollës së aktrimit IFTP, Prof. Adem Kicaj.
“Kisha nderin ta nderoj ikonën e satirës shqiptare, artistin dhe mikun tim Sevdail Radogoshi. Me këtë mirënjohje nga Akademia Internacionale Film Theater Production – IFTP në Zvicër, ne shprehim respektin dhe falënderimin për veprën e tij të çmuar”, është shprehur profesor Kicaj për sam24.info.
Ai theksoi se dëshiron të zbulojë e motivojë artistë të rinj në Kosovë dhe hapësirat tjera shqiptare, si dhe të realizojë projekte të përbashkëta me aktorë e artistë shqiptarë që jetojnë në diasporë, të cilët kanë dalë nga shkolla e aktrimit IFTP.
Prof. Kicaj u shpreh falënderues edhe për aktorin Shpejtim Pasjaqa dhe gjithë të tjerët. Prof. Kicaj gjithmonë suksesin e ndan me të tjerët dhe se synimi i tij është të fokusohet në ngritjen e kulturës, larg politikës, duke rikujtuar se “kultura është ushqimi i një kombi”.

Foto nga një pjesë e një seriali
Ai falënderoi të gjithë ata që po e mbështesin dhe premtoi se shumë shpejt do të ketë risi edhe në diasporë, duke ftuar përkrahje e bashkëpunim më të madh.
Ekskluzivisht për SAM24.info