Nga: Dashnim HEBIBI
Cyrih, 23 gusht 2025 – Sipas burimeve të sam24.info, i pari i Kamenicës ka zhvilluar disa takime dje dhe sot me bashkatdhetarët nga komuna që e ka drejtuar dhe po e drejton aktualisht, ndërsa edhe sonte pritet të mbajë një takim tjetër.
Gjatë pasdites së sotme, kryetari Rahimaj ka takuar bashkatdhetarët e Topanicës, në një ngjarje të organizuar nga Shoqata Topanica në Zvicër, e udhëhequr nga profesor Burhan Morina. Takimi është mbajtur në Cyrih, në një lokal të një afaristi nga Topanica e Komunës së Kamenicës. Në këtë tubim morën pjesë edhe veprimtarë e afaristë nga fshati Topanicë dhe Kamenica në përgjithësi.
Në takim ishte prezent edhe stafi udhëheqës i komunës:
- Afrim Dervishi – Drejtor i Arsimit
- Blerim Morina – Drejtor i Investimeve Kapitale
- Vaxhid Rexhepaj – Shef i Kabinetit
Kryetari Rahimaj, për rreth 40 minuta, ka prezantuar me dokumente dhe përmes një paraqitjeje PowerPoint punën e deritanishme të komunës, ndërsa edhe bashkëpunëtorët e tij kanë prezantuar aktivitetet dhe rezultatet në sektorët përkatës. Kjo u mirëprit mjaft mirë nga të pranishmit.
Ndër të tjera, kryetari Rahimaj ka theksuar se gjatë këtyre katër viteve të mandatit të tij në Kamenicë është investuar sa për 20 vite së bashku nga të gjithë kryetarët e mëparshëm të komunës.
Nga bashkëpunëtori ynë mësojmë se ky takim ishte i veçantë, pasi u diskutua për mënyrat se si të zhvillohet më tej Kamenica, duke sjellë sugjerime dhe fakte konkrete për të ardhmen e saj. Takimi ka qenë i ngrohtë dhe miqësor, ndërsa bashkatdhetarët u njoftuan për punën që është bërë dhe po bëhet në komunë.
Sa është vlera e saktë e këtyre investimeve?
Në cilat fusha janë përqendruar më shumë?
Dhe sa e ka mbajtur fjalën e dhënë në fushatën e tij zgjedhore para katër vjetësh?
Përgjigjet për këto pyetje do t’i mësoni pas pak, në reportazhin tonë të plotë nga takimi në Cyrih.
Një gjë është e sigurt:
Të gjithë bashkatdhetarët shprehen të kënaqur me punën e zhvilluar deri tani, ku kryetari Rahimaj dhe stafi i tij prezantuan para bashkatdhetarëve arritjet dhe planet për të ardhmen.
SAM24.info