Nga: Dashnim HEBIBI
Zürich, 20 gusht 2025 – Futbollistët shqiptarë po shkruan faqe të reja krenarie në Zvicër. Emri më i ri që po troket fuqishëm në arenën e futbollit helvetik është Xhan Aliu, sulmuesi i ri me prejardhje nga Komuna e Kamenicës, i cili ka nënshkruar një kontratë 3-vjeçare me klubin e njohur FC Wil. Ky hap është dëshmi se puna, përkushtimi dhe talenti nuk mbeten pa u shpërblyer.

Rrugëtimi i Aliut nuk ka qenë i lehtë, por gjithmonë i mbushur me pasion. Ai spikati në moshë të re te Grasshopper U18, duke treguar instinkt golashënues dhe lojë me shumë energji. Më pas, përvoja me St. Gallen II i dha forcë e siguri, duke hapur kështu dyert për një klub me traditë si FC Wil. Sot, ai është gati të tregojë se shqiptarët kanë vend meritor në futbollin zviceran.
Ky kapitull i ri na kujton se Zvicra ka qenë dhe mbetet tokë e mundësive për futbollistët shqiptarë. Emra si Milaim Rama, Granit Xhaka, Xherdan Shaqiri, Valon Behrami, Pajtim Kasami, Ardon Jashari e shumë të tjerë kanë treguar me vite se me punë, modesti e sakrificë, shqiptarët jo vetëm që adaptohen, por shkëlqejnë në fushat zvicerane dhe ndërkombëtare. Tani, ky rrugëtim po vazhdon edhe me gjeneratën e re, ku Xhan Aliu është një prej yjeve në ngjitje.
Një meritë të veçantë ka edhe menaxheri i tij, Besim Ramadani, i cili përveçse afarist dhe bamirës, është i njohur për përkushtimin që tregon ndaj talentëve shqiptarë. Ramadani është menaxher i agjencisë BB Sportsmanagement, e cila ka dhënë një kontribut të madh në këtë proces. Ai nuk la pa falënderuar stafin e agjencisë dhe familjen e futbollistit për dakordimin dhe miqësinë e sinqertë që kanë treguar deri në këtë sukses.
Në një prononcim për sam24.info, Ramadani foli me sinqeritet dhe emocion:

“Nuk dua të bëj pompozitet për veten, por për talentet e rinj. Jam munduar dhe do të mundohem të hap rrugë për sportistët tanë, që të krenohemi me sukseset e tyre. Ky është një lajm senzacional – Xhan Aliu do të tregojë shumë, por duhet të punojë fort dhe të mbetet modest. Kemi edhe plane të tjera, por ato do t’i zbulojmë vetëm pasi të shohim suksesin e tij. Nga Zvicra kemi mësuar se suksesi nuk vjen me hatër, por me meritë. Dhe kjo është një mësim i madh për të gjithë ne.”
Ramadani theksoi se me mbështetjen e miqve dhe partnerëve në Zvicër, është duke punuar që edhe shumë futbollistë shqiptarë të tjerë të kenë mundësinë të depërtojnë në futbollin profesionist. “Ditë të mira na presin – duhet të punojmë shumë dhe të flasim më pak,” u shpreh ai.
Ky lajm ka gëzuar jo vetëm komunitetin sportiv të Kamenicës, por të gjithë dashamirët e futbollit shqiptar, sepse historia po përsëritet: edhe një djalosh i ri shqiptar po i hap rrugë suksesit në Zvicër. Dhe nëse e ardhmja e tij do të lidhet me kombëtaren zvicerane, atë shqiptare apo me Kosovën, kjo do të shihet më vonë. Por një gjë është e qartë – Xhan Aliu është një yll në ardhje dhe një shembull krenarie për të gjithë ne.
Enkas për SAM24.info