Nga: Prof.dr.Xhavit LIPAJ, Andermatt
Në një botë ku heshtja nuk është më paqe,
por një det i dendur, i mbushur me ngulfatje mendimesh, ku gjuha është bërë një strukturë e mjegullt konvencionalizmi,
e ndjenja ndodh vetëm si përmbytje e pashpjegueshme, unë, qenia vetëdijshme,
zgjedh të mbetem vetja,
edhe përballë thyerjes ontologjike,
edhe përballë përpjekjes së botës për të më shpërbërë në hi anonim.
Mbi supet e mia mbart barrën e përvojës së zhgënjimit, jo si peshë që më rrëzon,
por si dëshmi të qëndrueshmërisë së përvojës njerëzore.
Shikimet e ftohta, që plagosin në mënyrë të heshtur e pa mëshirë, janë vetëm pasqyra e një bote që ka humbur ndjeshmërinë.
Por në thellësinë e ndërgjegjes time, një rezonancë e heshtur më kujton:
E vërteta nuk ka nevojë për miratim. Ajo i mjafton vetvetes.
Kam njohur fytyra që buzëqeshin ndërkohë që nën të fshihet dështimi etik.
Por s’e kam mësuar artin e maskimit,
as nuk jam bërë pasqyrim i vullnetit të të tjerëve.
Unë jam rrënjë, jo në kuptimin romantik të nostalgjisë, por si strukturë ekzistenciale që i përket një toke të caktuar,
jam gur, jo si simbol i ngurtësisë,
por si dëshmi e një qëndrueshmërie që reziston edhe përballë përmbytjes.
Në diskursin tim nuk ka dekor artificial,
por gjak dhe frymë, shenja të jetës që s’mund të reduktohet në simulim.
Nuk e shoh veten si reflektim të jashtëm,
por si zjarr që digjet në fshehtësi,
si përpjekje për të afirmuar qenien edhe në terr.
E dua edhe plagën, edhe mallkimin,
jo për hir të vuajtjes,
por se dhimbja është mësuese e përmasave më të larta të vetëdijes.
Do ec në vetmi, nëse turma kërkon mohimin e vetvetes.
Do dialogoj me heshtjen, nëse fjala është kthyer në konsum.
Se më mirë të qëndroj i vetëm me ndërgjegje të pastër, se sa të humbas vetveten në rrethime që më zbrazin.
Dhe kur gjithçka të bjerë,
kur format të shpërbëhen dhe maskat të rrëzohen si gjethe në vjeshtën e fundit të botës, unë do jem aty, jo si spektakël,
por si esenca e një qenieje që refuzoi të zhvishet nga vetja.