Nga: Dashnim HEBIBI, Zürich
Nga ëndrra e gurbetit tek realiteti i shtrenjtë: Jeta që po na shkon në mërgim”
Zürich, 10 korrik 2025 – Nuk është më gurbeti siç ka qenë. Dikur shkohej për të shpëtuar, për të ndihmuar familjen e për të sjellë para në atdhe. Sot, mërgimi nuk është më sakrificë e përkohshme, por një jetë e tërë që po kalon mes faturave, çmimeve të larta dhe realitetit gjithnjë më të ashpër. Nga një kafé që kushton pesë franga, tek rrobat që duhet të jenë të markave “mesatare” për të mos u dukur “jashtë kohe”, gjithçka është bërë garë për mbijetesë.
Biseduam me mërgimtarë të moshave 40–60 vjeç në kantonin e Cyrihut, për të kuptuar: a kursehet më në mërgim?
Apo sot jetohet “sot për nesër”?
Tema nëse mërgimtarët ruajnë para apo kursejnë, është bërë gjithnjë e më e vështirë për t’u trajtuar në mënyrë të përgjithshme. Sepse sot, jeta në gurbet nuk shihet më si përkohësi, por si jetë e plotë, ndryshe nga dikur kur njëri punonte jashtë dhe mbante dhjetë të tjerë në atdhe.
“Për besë, pare kemi sa për pushime dhe ndonjë rrobë për vete e familje, edhe atë vetëm kur janë zbritje,” – thotë Avnia nga Komuna e Gjakovës, që tashmë jeton e punon në Zvicër. “Ka ikë koha kur kemi pasë pare.”
Pas shtatë bisedash të shkurtërta me bashkatdhetarë në kantonin Cyrih, të moshave nga 40 deri në 60 vjeç, vërejtëm një realitet të përbashkët: shumica e tyre në fund të muajit mbesin me llogari pothuajse bosh – në më të mirën e rasteve, ndoshta 400 franga kursim. “Kursehet me zor”, thonë. Sepse sot është “jeta e markave”, një lloj presioni i padukshëm social që nuk të lë të jetosh thjesht.
“Përpara s’dinim çka janë markat, blenim çka na duhej e mendonim për me çu pare në atdhe. Sot jo.”
Sigurisht, ata që kanë biznese, kompani ose punë të qëndrueshme kanë mundësi tjetër. Ata kanë arritur më shumë, por për një familje që jeton vetëm me një rrogë në Zvicër, gjithçka është vështirë. “Nuk është më si dikur,” – thonë një zëri. Brezi i ri, sidomos, në fund të muajit del zero, përveç ndonjë përjashtimi që arrin të kursejë. Për të kuptuar më thellë situatën e të rinjve, do të nevojitej një hulumtim tjetër empirik, me intervista më të thelluara.
Ndërsa për brezin 40–60 vjeç, është një realitet i njohur: puno e ha, jeto sot për nesër. “Megjithatë, mundohemi të kursejmë sadopak,” – thotë Sameti, 57 vjeç.
“Ata që pijnë duhan, edhe më shumë harxhojnë. Nuk dalim shpesh për darka e dreka, se nuk ia dalim.”
Duke treguar garderobën e tij, shton me një buzëqeshje të hidhur: “E sheh? Krejt janë marka, por jo të shtrenjta, të mesme. Të vjetra nuk ka ku me ble. Jeta është bërë e tillë, që s’mund të rrish pa marrë ndonjë gjë që të dukesh në formë.”
Megjithatë, nuk ka vend për vajtim. “Një jetë e kemi, duhet jetuar. Edhe në atdhe nuk është më si më parë. Dikur ishim të shtypur, pa liri, ndërsa sot kemi shtetin tonë. Për besë, shumë shokë janë më mirë se unë. Kur shkoj atje, nuk të lënë të fusësh dorën në xhep. Kur vijnë këtu, edhe pse rrallë, ne na bie të hyjmë në minus.”
Kjo është jeta e sotme në mërgim. Me një rrogë, është e vështirë të mbijetosh në Zvicër.
Kjo është një realitet që fshihet pas gardërobave të markave, buzëqeshjeve në rrjetet sociale dhe pushimeve që ndodhin vetëm një herë në vit – nëse ndodhin.
“Zoti na ruajt shëndetin,” thotë në fund Sameti. “Se diçka kemi bërë në atdhe dhe kemi ku të kthehemi. Por jeta po na shkon. Erdhem të rinj, e jeta po na shkon.” ( Foto ilustrim )
SAM24.info