Përgaditi: Dashnim Hebibi
Bashkëkombësja jonë shkruan histori.
Sot, të gjitha mediat më të njohura në Zvicër flasin për një emër të vetëm: Riola Xhemaili. Bashkëkombësja jonë ka bërë historinë duke shënuar një gol të paharrueshëm në minutat e fundit të ndeshjes ndaj Finlandës, duke i dhënë Zvicrës kualifikimin historik në çerekfinalet e Kampionatit Evropian për femra. Nga faqet kryesore të portaleve deri te kronikat sportive televizive, emri i saj është bërë simbol i krenarisë dhe shpirtit luftarak të kësaj Kombëtareje – dhe një burim i veçantë gëzimi për gjithë shqiptarët.
Xhemaili shkruan histori dhe befason të gjithë
Pas një viti të vështirë me Kombëtaren, Riola Xhemaili po përjeton përrallën e saj futbollistike në Kampionatin Evropian që po mbahet në Zvicër. Golin e saj ajo e kishte parandier që gjatë nxehjes para ndeshjes.
Media më e njohur zvicerane 20min.ch , kryelajm e ka suksesin e kombëtares zvicerane dhe momentin kur shënohet goli nga Xhemaili
Ishte minuta e 92-të në përballjen dramatike mes Zvicrës dhe Finlandës. Géraldine Reuteler dha një pasim perfekt në zonë – dhe Riola Xhemaili, vetëm pesë metra larg portës, e shtyu topin drejt rrjetës. Stade de Genève shpërtheu në festë! Ky ishte goli që e barazoi rezultatin në 1:1 – por mbi të gjitha, ishte goli që futi Zvicrën për herë të parë në historinë e saj në çerekfinalen e një Kampionati Evropian, shkruan 20min.ch e përcjell sam24.info. 22-vjeçarja, e cila është ndjekur nga afër muajt e fundit nga portali “20 Minuten”, ishte e mbushur me emocione pas ndeshjes. Pasi kishte dhënë disa intervista, ajo pranoi të fliste përsëri për mediat.
“Nuk kam ide çfarë më kaloi nëpër mend kur shënova,” tha ajo. “Në fakt doja të vrapoja drejt tifozëve, por kishte një barrikadë dhe nuk doja të bie.”
Riola Xhemaili: “Është e mrekullueshme që po e përjetojmë këtë”
Emocionet, sipas Xhemailit, ishin të papërshkrueshme. “Është ndjesia më e bukur që kam përjetuar ndonjëherë. Si një ëndërr që bëhet realitet.” Ajo vetë mezi po e besonte se çfarë kishte ndodhur – sidomos pas një viti të vështirë.
Edhe pse Xhemaili pati një sezon fantastik në Holandë me PSV Eindhoven, me 14 gola dhe 6 asistime në 26 ndeshje, ajo nuk ishte pjesë e planeve të trajneres së Zvicrës, Pia Sundhage, për shumë muaj. Vetëm në qershor, në ndeshjen e fundit të Nations League para përgatitjeve për Euro, ajo u rikthye në fushë për Kombëtaren – dhe shkëlqeu. Riola është e lindur më 05.03.2003. Ka shënuar 8 gola dhe ka luajtur për kombëtaren e Zvicrës 1285 minuta të dhëna nga football.ch. Jeton në Solothurn dhe është nga Kosova.
Tani, ajo është kthyer në heroinë kombëtare! “Gjatë nxehjes më shkoi ndër mend: ‘Pia, futmë në lojë – po ndihem shumë mirë’,“ tha Xhemaili. “E dija që do ta shënoja atë gol. Kur Geri dha pasimin, unë e dija se ku duhet të jem. E thashë me vete: ‘Rio, mos u kap në pozicion jashtë loje – dhe gjithçka do të shkojë mirë.’” Dhe ashtu ndodhi. Ajo qeshi dhe shtoi: “Është shumë bukur që po e përjetojmë këtë – dhe e meritojmë!” Pas intervistës, Riola shkoi të përqafojë të afërmit e saj që ishin në stadium. “I pashë shkurtimisht dhe mendova se kjo do të mbaronte më shpejt,” tha ajo. “Por tani mezi pres t’i përqafoj dhe jam shumë e lumtur që i bëra krenarë, transmeton 20min.ch e përcjell sam24.info
(Foto ilustrim nga football.ch)