Nga: Dashnim HEBIBI
Zürich, 3 korrik – Jemi në prag të verës, dhe bashkë me të afrohet edhe një tjetër sezon udhëtimesh drejt atdheut. Për disa, kjo është thjesht një zgjedhje pushimi – një udhëtim i planifikuar mes luksit dhe rehatisë. Por për shumicën e mërgimtarëve, kjo është një periudhë ngërçi mes mallkimit të llogaritë bankare dhe bekimit të rrënjëve shpirtërore.
Gjatë gjithë vitit, mërgimtari ëndërron një kthim – jo një udhëtim turistik, por një kthim të shenjtë te dheu i tij. Ai sheh rrugën e gjatë me veturë apo autobus si një mundim të përballueshëm, sepse është më i lirë. Udhëtimi me veturë është kompromisi klasik mes lodhjes dhe shpenzimit, ndërsa bileta e aeroplanit – për një familje pesëanëtarëshe – mbetet një luks i pakapshëm. Vetëm kthimi dhe ardhja mund t’i marrin nga xhepi mbi 3.500 franga zvicerane.
Fajësohen agjencitë, por e vërteta është më e thellë. Jashtë sezonit, bileta kushton 40 apo 50 franga – dhe askush nuk flet. Atëherë humb dikush tjetër. Sepse çmimet nuk ngrihen vetëm për atdheun tonë, por për gjithë botën. Disa që marrin anijen nga Italia për në Shqipëri apo Mal të Zi, e gjejnë veten po aq të zhgënjyer nga çmimet. Nuk ka rrugë pa shpenzim.
Dita-ditës, jeta e mërgimtarit po bëhet më e vështirë. Nuk jemi më në atë kohë kur njeriu linte fëmijët në atdhe dhe sakrifikonte gjithçka për të kursyer. Sot, fëmijët janë me ne, në këtë jetë të re, me kërkesat dhe nevojat e saj. Tani, ne nuk po “shikojmë gurbetin”, por po e jetojmë atë. Në çdo frymëmarrje.
Sezoni i dasmave, gëzimeve, thirrjeve familjare – të gjitha këto janë gëzime që vijnë me faturën e vet. E kur kthehesh nga pushimet, nuk kthehesh me çanta të mbushura, por me xhep bosh dhe me një zemër të përmbushur. Pastaj fillon muaji i shtatorit, ai muaji kur përpiqesh të ngrihesh sërish, të rindërtosh ato pak kursime që i ke lënë pas në rrugët e Ballkanit.
Dhe megjithatë – ne shkojmë. Sepse atje, në atë tokë që na thërret në ëndërr, mbushet shpirti. Asgjë nuk e zë vendin e atdheut. Tollovitë, radha e veturave, nxehtësia përvëluese – të gjitha bëhen të papërfillshme përballë një përqafimi të gjyshit apo një mëngjesi me ajrin e atdheut.
Janë fëmijët tanë që e përjetojnë magjinë e asaj toke për herë të parë. Ata takojnë rrënjët e tyre – gjyshërit, hallat, kushërinjtë. Dhe ne, përmes syve të tyre, rilindim sërish me mallin tonë të hershëm.
Kemi shpresë. Se edhe andej do të ketë organizime për mërgatën, që të frymëzojnë gjeneratën e re të mos harrojë kush është dhe nga vjen. Dilemat nuk do të zhduken, por rruga drejt atdheut, sado e gjatë dhe e mundimshme, përherë do të duket e shkurtër. Sepse atje janë të parët tanë. Dhe zemra – sado larg të rrahë – gjithmonë rreh më fort kur i afrohet dheut të vet. ( Foto ilustrim)
SAM24.info