Nga: Dashnim HEBIBI
Zürich, 02 korrik, 2025 – Në një botë që shpesh i lartëson fjalët më shumë se veprat, ekzistojnë njerëz që flasin me heshtjen e tyre punëtore, me duart që ndërtojnë ura dhe me zemrën që rreh vetëm për Atdheun. Petrit Bytyqi është një prej atyre njerëzve që, si rrallëkush, jeton për të dhënë – pa kërkuar, pa shfaqje, pa shpërblim. Ai është një atdhetar i heshtur, por madhështor – një flakadan që nuk shuhet, edhe kur fryjnë erërat e harresës.
Të rrallë janë ata që i qëndrojnë besnikë atdheut pa zhurmë e pa kërkuar lavdi. Atdhetarët e vërtetë nuk kërkojnë pompozitet mediatik. Prej kohësh kisha dëshirë të realizoja një intervistë me një personalitet të veçantë, të njohur jo vetëm në mërgatë.
I dashur, i sjellshëm, patriot i vërtetë, bamirës dhe mik i respektuar edhe për zviceranët.
Falë tij, në shkollën zvicerane në Winterthur janë mbajtur shumë aktivitete kulturore. Ai është imazhi i shqiptarëve aty – njeriu që mban çelësat, hap dyert për promovime, për aktorë, programe dhe ngjarje që forcojnë kulturën shqiptare. Nuk ndalet vetëm te organizimi – ai vetë bart karrika, sistemon tavolina, fshin ambientet pas koktejeve, gjithmonë me buzëqeshje dhe përkushtim të sinqertë edhe pse nuk e ka për detyrë, por e bënë se ka shpirt të pastërt. Ai gëzon nga fakti që po organizohen ngjarje në dobi të komunitetit.
Ai është i rrallë si ari në gurë.
Një burrë që nuk i ndal as mosha, as lodhja, as heshtja e kujtimeve. Një njeri që mbron me dashuri gjuhën shqipe, si një xhevahir që ruan shkëlqesinë në çdo kohë– me përkushtim, me dashuri dhe me përgjegjësi të lartë morale.
Edhe mua, si autor i disa librave, më ka ndihmuar duke hapur dyert e shkollës zvicerane të organizoj dy promovime librash – gjithmonë pa asnjë shqetësim, por me prezencë të plotë dhe mbështetje teknike, duke ma kushtuar gjithë ditën nga kjo jetë. Kjo është madhështi. Kjo është trimëri në paqe – ajo që ndërton pa folur, që kontribuon pa u ankuar.
Së fundmi, mësuam se për nder të punës së tij dhe respektit ndaj shefit të misionit konsullor të Kosovës në Cyrih, z. Vigan Berisha, Petrit Bytyqi ka vizituar Konsullatën e Kosovës – një vend që ai nuk e ka lënë asnjëherë pa ndihmë, gjithmonë në shërbim të tokës dardane. Seose ai e thotë gjithmonë, kam dhënë e do të jap gjithçka që i duhet vendit tim.
Fjalët e z. Vigan Berisha, Konsull i Përgjithshëm në Cyrih:
“Patëm kënaqësinë të mirëpresim në Konsullatën e Republikës së Kosovës në Cyrih, Veteranin e Luftës Çlirimtare, z. Petrit Bytyqi.
Gjatë këtij takimi u vlerësua lart kontributi i tij dhe i bashkëluftëtarëve për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Po ashtu, u diskutua edhe për rëndësinë e vazhdimit të angazhimit të diasporës në mbështetje të zhvillimit dhe afirmimit të Republikës së Kosovës.
Mirënjohje për të gjithë ata që me përkushtim e sakrificë kontribuuan në rrugëtimin tonë për liri dhe shtetndërtim. Jam shumë krenar që falë angazhimit të tij të madh kombëtar, z. Bytyqi ka vizituar Konsullatën dhe e ka përqafuar këtë institucion me dashuri.
E falënderoj nga zemra për vizitën dhe për gjithçka që ka bërë dhe vazhdon të bëjë në të mirë të atdheut.”
Petrit Bytyqi është ndër ata që rrallë lindin. Një luftëtar në kohë lufte dhe një punëtor i heshtur në paqe. Ai është zëri i gjuhës shqipe në mërgim, ai është duart që ngrehin flamurin pa zhurmë, ai është një dritë që nuk e fik as errësira. Personalitetet si ai janë të paktë, por pesha e veprave – vlerën e kanë sa një popull i tërë.
SAM24.info