
Fotoja e vitit 2023, e realizuar gjatë promovimit të tre librave të PhD.Dashnim HEBIBI, ku shihej një përqafim i sinqertë me Dr.Sali Sefën
Nga: Dashnim HEBIBI
Dietikon, 1 korrik 2025 – Ka momente në jetë kur fjalët ngatërrohen me lotët,
kur shpirti ngushtohet e nuk di si ta mbajë dhimbjen,
sepse përballë teje, shtrihet një njeri i madh,
jo nga dhimbja që po e përballon, por nga forca që e fsheh.
Ai buzëqesh me vështirësi, por syri i tij flet më shumë
se një libër i tërë historie e burrërie.
Na thotë me zë të qetë se është mirë,
vetëm për të mos na tronditur ne,
ne që nga jashtë jemi të pathyeshëm,
por brenda… po dridhemi.
Dhe ja ku është – një mal që nuk thyhet,
me damarët që presin gjilpërën e analizave,
por zemra që rreh me ritmin e Kosovës,
me flamurin në shpirt dhe kombin në gjak.
Në atë dhomë spitali, heshtja flet,
drita është më e zbehtë, por prania e tij më e fuqishme se kurrë.
Dhe sado që ai përpiqet të na bindë se gjithçka është nën kontroll,
ne e ndjejmë – është betejë e madhe, e heshtur, e lodhshme.
Por si çdo trim i vërtetë, ai nuk kërkon mëshirë,
por vetëm lutjet tona, një fjalë të ngrohtë, një përqafim të sinqertë.
Sepse ndonëse lufta është e fortë,
ai është më i fortë.
Dhe ne, pranë tij, kuptojmë se çfarë do të thotë të jesh njeri i madh –
jo kur je pa plagë,
por kur plagët i mbart me nder e i mbulon me buzëqeshje.
Në sytë e tij shohim diellin, edhe pse jashtë është re.
Në shpirtin e tij ndjejmë flladin e lirisë, edhe pse trupi lodhet.
Dhe ne, të vegjël përballë kësaj madhështie,
vetëm përulemi, heshtim, e lutemi:
Zoti të të japë fuqi,
sepse ti nuk je vetëm –
je me ne.

1 Korrikun nuk e fillova siç doja, por megjithatë duhet pranuar si ka ardhur. Duhet gjetur mundësi që të arrijmë edhe korrikë të tjerë – me miq e njerëz të urtë, atdhetarë, bamirës, paqedashës, trima të fjalës, punëtorë, patriotë, e me një fjalë: frymëzues të një jete të mirë.
Nuk ka shtëpi që nuk ka halle. Dikush me më të rënda, dikush me më të lehta – por kjo është jeta. Kemi dëgjuar për shumë njerëz që janë të mëdhenj me trup, por të vegjël në veprime; kemi parë njerëz me trup të zhvilluar, por pa zemër trimërie – që mbeten vetëm për në dukje të parë. Ka edhe të tillë që ushtrojnë fizikisht, por humbin në ring sepse nuk kanë guximin. E ndërkohë, kemi edhe nga ata intelektualë me kostume e këmisha të bardha, që trimërinë e kanë dëshmuar me veprim – që syri nuk u është trembur kurrë para forcës së padrejtësisë.
Nga ora 09:00 deri në 11:20 pata nderin të shoqëroj një personalitet. Të flas me të. U kënaqa seriozisht. Kur fillova t’i shkruaj disa fjalë për këtë takim dy orë e 20 minuta, i thashë vetes: “Mblidhe veten dhe shkruaj atë që e ke parë me sy.”
Jo pse pranohen shkronjat e mia të dala nga shpirti, por sepse unë e pranova një realitet: isha në spital. E kur më tha i nderuari:
“Dua një foto me ty, ta kem edhe këtë moment!”
Sepse ia dhashë dy librat e mi të rinj. Nga gëzimi më tha:
“Beje foton, të lutem. Beje lirisht.”

Luftoja me veten për të mos e treguar emocionin para z. Sefa, se e njoh veten, jam shumë i ndjeshëm. Spitali në Zvicër – një ordinancë perfekte me të gjitha kushtet. Mjekja dhe motrat, me një profesionalizëm të jashtëzakonshëm. Më ofruan kafe.
“Jo faleminderit,” u thashë. Dashnimi është miku im. E përmendi me krenari:
“Ky është filani e ka një histori me mbi 30 libra të shkruar.”
Po krenohej me punën time. I thashë vetes: “Nuk kam gabuar kur i kam thënë se je shpirt qielli.” Ai ia fali një jetë atdheut.
Nga mërgimi, mes shoqatash dhe klubeve, sidomos ai i Bajram Currit që kishte emër dhe ishte vatër e patriotëve. Më tregoi pak për atë kohë – sa krenar ndihej. Përmendi Bardhyl Mahmutin për veprat dhe kryeveprat e tij. Kujtoi një fjali të thellë:
“Në luftën e Kosovës ka luftuar e gjithë Serbia me ushtri e jo vetëm paramilitarët, sepse Serbia e fsheh të vërtetën. Ushtria nuk ka bërë krime, thonë ata, por paramilitarët… Sa të pashpirt.”
Folem për librat e rinj. Folem për gjeneratën e re në diasporë, për të ardhmen e rinisë që po lind dhe rritet. Për mediat në diasporë. Përmendi editorin e sam24.info, që i ka hapur derën për bashkëpunim, foli për Adem Kicaj, për ish-pronarin e TV Ari, që e kishin pritur me ngrohtësi.
E kur i përmend nipat – atëherë e ndjen veten në vendlindje.
“O shpirti bre, më kënaqet zemra,” tha.
“Po më sheh dikush kur jam me nipa, mendon se jam atlet.”
Falënderoi bashkëshorten deri në frymën e jetës.
“Nuk më dhimbset jeta ama hiq. Nuk i jam friguar vdekjes dhe nuk i frigohem.”
Po të më pyesësh:
“Çka do të kishe bërë ndryshe sikur të ishe i ri me të njëjtin shpirt e forcë?”
Do të thosha: “Këtë që e kam bërë.”
Iu mbushën sytë me lot duke kujtuar prindërit, familjen e ngushtë.
“Jam i fortunave, por kurrë nuk jam thyer.”
Ka pasur punë të mirë si mjek në Gjermani. Shpesh kur dilte nga puna, vetura i dukej sikur po shkonte drejt Bajram Currit, aty ku ishte sofra e patriotëve.
“Me besoni, kur ka përfunduar lufta në Kosovë, nuk kisha as 1 mijë marka në shtëpi. Doja të jepja gjithçka nga vetja që Kosova të jetë e lirë e e pavarur.”
Çdo tik-tak i zemrës i rreh për Kosovën. Shpirti i tij është Shqipëria. Zemra – Kosova. Sytë – Lugina e Preshevës, Maqedonia e Veriut, Çamëria e Malësia.
Kanë kaluar më shumë se katër vjet që po lufton me një sëmundje të rëndë. Kur e kuptoi që kishte rënë pre e një armiku të trupit, u betua me bashkëshorten:
“Nuk do të ndalemi së luftuari. Do ta mundim.”
Dhe po e mundin. Nuk është e lehtë për familjen, por ai nuk është ndalur.
Pas operacioneve dhe terapive, sheh ëndrra ku i sheh trojet shqiptare të bashkuara nën një flamur e një himn. Nuk pajtohet me përçarjet. Nuk pajtohet që njerëzit meritor nuk kanë hapësirë.
“Diaspora ka dhënë shumë dhe po jep ende. Nuk duhet të jemi armiq pse dikush është në një subjekt tjetër politik. Me rëndësi të jemi një dhe të kemi një qëllim.”
Po i dhemb shpirti. Po kujton ditët e vuajtjeve dhe amanetet e dëshmorëve.
“Unë po luftoj me sëmundjen dhe nuk kam ndërmend të dorëzohem.”
Edhe si konsull në Cyrih, ka bërë punë me shpirt.
“Kur më zë gjumi nga lodhja e barnat, më dhimbset koha që shkoi pa bërë ndonjë gjë të mirë.”
Dëshiron të lërë vepra të mira. Jeta është e shkurtër.

“Dua të kontribuoj në sam24.info. Mos më shiko me dhimbje, unë po e luftoj të keqen dhe do më shohësh nesër super mirë. Sa shkrime të duhen për numrin e parë të revistës mujore? Sa emisione do të bëj brenda një muaji në Podcast?” – ishin pyetjet që më bënte.
Qëndroi i shtrirë, nuk piu ujë – vetëm një kafe. Donte të ngrihej, por i thashë:
“Jo, nëse ngrihesh, unë po iki.”
Përmendi dhe falënderoi të gjithë ata që po e ndihmojnë – edhe shpirtërisht. Përmendi edhe një mike time, artisten dhe poeten Saranda Ademi, që i kishte sjellë barna natyrale. E falënderoi shumë.
“Dua fjalë të mira. Dua pozitivitet për kombin tim,” tha.
Kur pashë që ora kishte ikur aq shpejt dhe se lodhja po e mundte – i thashë vetes:
“Të përshëndetem, të puthi dorën si nënës sime, sepse këto duar kanë punuar për të mirën e Kosovës dhe të kauzës sonë kombëtare.”
“Po iki, Adi, djali im 11-vjeçar, po vjen nga shkolla dhe duhet të përgatisim pak ushqim. Bashkëshortja po punon me çerek orari për të ndihmuar sadopak pagën time.”
“Në rregull,” më tha.
“Përqafoje Adin dhe thuaji se kur po luajmë futboll?”
E tani, të nderuar lexues, duke e ruajtur emocionin dhe për të mos ushqyer të nderuarin me dhimbje, po e përmend se për kë bëhet fjalë – që e njihni të gjithë:
Dr. Sali Sefa.
Nuk mund t’i shkruajmë biografinë – do na duheshin libra. Por mjafton të thuhet kjo: është ai që edhe sëmundjen dhe dhimbjen po i lufton.
E shikonte mjeken që po i kërkonte venën për analizë, dhe aspak nuk trembej.
“Jemi betuar se nuk do t’i frikësohemi dhimbjes. Kështu është besa – besë,” tha dr. Sali Sefa.
Dr. Sali Sefa – trim i pathyeshëm, personalitet sfidash që gjithmonë i mund ato.
Ai nuk është vetëm mjek, atdhetar, apo konsull. Ai është frymëzim. Ai është flamur që valëvitet edhe në errësirë, sepse ndriçon me shpirtin e tij. Nëse zemra e tij është Kosova, atëherë secili rrahje e saj është një betejë që ai e ka fituar.
Mirupafshim, dr. Sali Sefa – gjithmonë në zemrat tona. Rreth teje ka yje, sepse ti je qielli ynë.
Ka njerëz që nuk i shkruan historia me laps,
por me gjak, me mund, me sakrificë.
Dr. Sali Sefa është një prej atyre burrave të rrallë
që kur flet, flet toka – dhe kur hesht, flet shpirti i tij.
Ai kurrë nuk u thye.
As në kohë lufte, as në kohë paqeje,
as përballë padrejtësive, as përballë sëmundjes.
Nuk iu tremb as plumbit, as dhimbjes,
as vdekjes që përpiqet t’i afrohet tinëzisht.
Sepse ai jeton për një ideal më të madh
se vetvetja – Shqipërinë etnike,
të bashkuar, të fortë, të denjë për gjakun që e ka larë atë tokë.
“Nuk më dhimbset jeta,” tha me sytë që digjnin,
“veç dua ta shoh Shqipërinë siç e ëndërruam – të bashkuar.
Për hir të gjakut të dëshmorëve, bashkohuni!
Se ajo tokë kullon gjak ende,
dhe çdo hap mbi të është amanet.”
Ai nuk kërkon lëvdata, as medalje.
I mjafton një fjalë e mirë, një zemër e hapur,
dhe një komb i bashkuar që di t’i nderojë të vetët.
Miku im, Dr. Sali Sefa,
je shembull i rrallë i burrërisë,
dëshmi e gjallë se kombi ynë ka ende heronj që ecin,
që flasin, që frymëzojnë,
edhe kur shtrihen në shtretër spitali –
nuk dorëzohen, por luftojnë me besën në zemër.
Mirupafshim miku im,
ti nuk je vetëm në këtë betejë –
ti je me ne, dhe ne me ty.
Dashnim, të përshëndet me gjithë shpirt,
dhe Adit birit tënd dërgoja një përqafim.
Thuaj, xhaxhi Sali po të pret me lujt futboll,
e si gjithmonë, do të fitojë me gola –
se edhe topin, si jetën, e godet me zemër.
E ardhmja, është e Adit, e nipave të mi,
dhe e të gjithë rinisë shqiptare dhe rinisë në botë, që po rritet në kohë të reja,
me sfida të ndryshme, por me një amanet të përbashkët:
të mos harrojmë kush jemi e nga vijmë.
Ne, brezi ynë, luftuam sa mundëm,
e lutemi që mos të kemi gabuar diku padashje,
se zemra jonë e donte të drejtën, e syri kërkonte dritën.
Sot, nuk kërkojmë lavdi,
por që as pluhuri të mos bjerë mbi përpjekjet tona,
që gjaku i derdhur për këtë tokë të mos mbulohet nga harresa.
Mos e harroni gjuhën më të bukur – shqipen,
se po ia kthyet shpinën, as dheu nuk do na pranojë në përjetësi.
Ajo është themeli ynë, flamuri ynë i parë.

Folni, shkruajeni, këndojeni me krenari.
Gjuhën e nënës mos e lini jetimë në tokë të huaj.
Ju, të rinj, ju shohim si yje që lindin në horizontin e kombit.
Duam pilota që fluturojnë lart,
shkencëtarë që shpikin për njerëzimin,
mjekë që shërojnë dhimbjet,
mësues që ndezin dritë në mendje,
por mbi të gjitha – njerëz të sjellshëm,
të drejtë, me dinjitet e me besë,
që ta mbani miqësinë me SHBA-në, Zvicrën, Gjermaninë,
me të gjitha shtetet mike që na qëndruan pranë kur ishim në errësirë.
Mbajeni Atdheun me vete – në zemër, në fjalë, në vepra.
Se ai nuk është vetëm një copë tokë,
por është kulla ku ka folur gjyshi,
është varri ku prehet dëshmori,
është kënga që e këndoi nëna,
është emri yt që s’duhet të zëvendësohet me asgjë.
Mos harroni:
ne jemi gjak iliri, gjak trimi, besë shqiptari, bamirësi e burrëri.
Kjo është trashëgimia jonë –
dhe ajo nuk fshihet, nuk blihet, nuk zëvendësohet.
Ajo ruhet, nderohet dhe trashëgohet.

Z. Sali Sefa,
kaq për sot — për ato 2 orë e 20 minuta që ndejtem bashkë,
në atë dhomë ku zhurma e aparateve i jepte ritëm heshtjes,
por unë nuk dëgjoja as dhimbje, as ankth —
dëgjoja zemrën tënde, që rrihte me qetësinë e një sportisti,
me mendjen e një akademiku dhe shpirtin e një profeti.

Çdo fjalë që the, ishte urtësi,
çdo buzëqeshje – guxim,
çdo frymëmarrje – betim se nuk dorëzohesh.
Nuk ishte thjesht një takim,
ishte një mësim, një kujtim, një frymëzim.
Një orë me ty vlen sa një jetë reflektimi.
Shihemi shumë shpejt,
në emisionin e parë të podcast-it në
Qendrën Mediale SAM24.info –
aty ku fjala jote do të dëgjohet nga shumë të tjerë,
si një dritë për të rinjtë, si një thirrje për unitet,
si një amanet që nuk guxon të harrohet.
Mirupafshim, Doktor i shpirtit tonë.
SAM24.info