
/ Intervistoi: Dashnim HEBIBI, Preshevë /
Intervistë ekskluzive me Skender Halimin – një emër që tejkalon kufijtë e Luginës së Preshevës
Ai është një personalitet që nuk e njeh lodhjen. Një njeri që nuk mund t’i thotë “lamtumirë” Preshevës. Një shpirt që pleqëria ka harruar, sepse shpirtbardhësia është gjenerali më i fortë që e udhëheq.
Skender Halimi është zëri që ka shoqëruar me dekada çdo aktivitet kulturor, politik, sportiv, humanitar e përkujtimor në këtë trevë. Një jetë të tërë ia ka kushtuar profesionit të zërimit dhe teknikës, duke u bërë mishërimi i radios, televizionit dhe artit skenik në Luginë. Ai është njeriu që nuk e pyet orën – sepse ora për të ka vetëm një domethënie: kur ka një obligim familjar. Përndryshe, ai është gjithmonë në pentagramin e jetës kulturore të Preshevës.

Është e vështirë ta përmbledhësh figurën e Skender Halimit në një hyrje të vetme. Por për hir të lexuesit, këtë herë do të ndalem në dy risi të tjera që e pasurojnë edhe më shumë profilin e tij: përveçse këngëtar dhe instrumentist, Skender Halimi është një oqean krijues. Ai ka botuar një libër me poezi, duke i dhuruar lexuesit fjalën e ndjerë dhe pasaportën shpirtërore të vetes së tij.
Për më shumë, ju ftojmë të lexoni këtë intervistë të veçantë për sam24.info – një rrëfim i rrallë nga një njeri i rrallë.
Nuk ka pasur organizim apo ngjarje ku është kërkuar zëri dhe prania e tij, e që Skenderi të mos ketë qenë aty – gjithmonë në ballë. Mbi 40 vjet i pathyeshëm në profesionin e tij në radio. Nga Shtëpia e Kulturës në komunë, në restorante, deri te zërimi në ceremonitë mortore kur është dashur. Skenderi është disi i zhgënjyer nga padrejtësitë që bëhen ndaj etnisë shqiptare, por është i pathyeshëm në karakter – askush nuk ka arritur ta thyejë.
Për ne ishte një mundësi e rrallë ta realizonim këtë intervistë. Edhe pse nuk dëshironte, nuk arriti të më thotë jo, sepse bashkë me Skenderin kemi qenë pjesë e shumë manifestimeve, që nga viti 1990.
I nderuar, faleminderit për këtë intervistë. Si është Skender Halimi sot, emocionalisht?

Faleminderit për respektin dhe kujdesin që ke për mua, mik i nderuar. Unë jam mirë, faleminderit Zotit, edhe pjesën emocionale e ruan shpirti me fanatizëm, sado i heshtur që është në rrethanat ku po jetojmë.
Skender, dukesh i lodhur. A të kanë lodhur politikanët, apo lodhja vjen nga diku tjetër?
Politika s’ka qenë pjesë e jetës sime gati asnjëherë, sepse arti dhe ajo janë dy rrugë krejtësisht të ndryshme. Unë lodhem nga rrethanat dhe ndryshimet që pësoi ky vend dhe gjithçka brenda këtij vendi. Edhe politika ka pasur ndikimin e vet, dhe jo pak, në të gjitha sferat e jetës këtu… Kishim ëndrra të tjera, sepse jetonim një jetë shumë dinamike dhe të pasur shpirtërisht. Tani nuk e di nëse jemi në planetin Tokë apo diku tjetër.
A është e vërtetë që duhet të jesh pjesë e politikës për ta mbajtur vendin e punës?
Është shumë e dhimbshme të njohësh veten si një ikonë e zërimit dhe kulturës që s’i ke munguar këtij populli në asnjë event, e në një moment të largohesh nga vendi i punës – aty ku kam kontribuar 30 vite me radhë, pa ndërprerje, në çdo ngjarje që është mbajtur.
Mua më kthyen nga Kosova në vitin 2001, duke qenë i punësuar një vit të plotë në radion “Vala Rinore”, me presion të vazhdueshëm se “nuk kemi njerëz për të bërë një radio në Preshevë”. U ktheva sepse Presheva më mungonte, dhe pastaj për 20 vjet me radhë dhashë më të mirën për ruajtjen e vlerave muzikore përmes Radio Preshevës – deri në privatizimin e saj. Pas 5 vitesh si i papunë, gjeta veten në Shtëpinë e Kulturës – në vendin ku kisha dhënë më së shumti gjatë jetës sime, në vendin që e kisha ëndërruar gjithmonë.

Dy vite punë të plota me kontratë si zërues dhe aranxhues i muzikës së dramave të Teatrit të Preshevës, dhashë kontributin tim maksimal – bile edhe me pajisje vetanake shpesh – deri në përfundimin e kontratës.
Më larguan me arsyen se isha tepër si numër për institucionin dhe me premtimin që “së shpejti do të ndërmarrim hapa për shtimin e këtij numri dhe ti do të kthehesh në vendin tënd që e meriton më shumë se kushdo”.
Sot, vendi i zëruesit është zbrazët, dhe unë jam duke pritur një moment më të volitshëm, me shpresën që të kthehem aty ku përkas më së miri – ashtu siç i ka hije Shtëpisë së Kulturës dhe Teatrit të Preshevës – për t’u kompletuar me një kuadër që kësaj pune i kushtoi tërë jetën me përkushtim dhe dashuri. Koha i tregon gjërat më së miri, dhe në të ardhmen e afërt kjo gjë do të shihet: nëse është vetëm premtim i kotë apo premtim që do të mbahet.
Ke kaluar shumë pushtete, por gjithmonë të kanë ftuar në programe të ndryshme, sepse pa ty ishte e vështirë. A po vuan Presheva nga politika?

Në këtë pyetje po zgjedh të hesht. Koha do të flasë për të gjitha. Ndërsa unë, edhe më tej, vazhdoj të bëj punën time në çdo vend dhe manifestim ku nevojitet puna ime – pa dallim. Dhe po, i kam dhënë të gjithëve pa përjashtim dhe vazhdoj t’u jap, sepse unë i dua njerëzit që e meritojnë – pa shikuar anën e tyre politike.
“Këtu gjithçka po kthehet në geto, fatkeqësisht”
Je familjar. I ke qëndruar besnik Preshevës. A mendon se fëmijët e tu do të qëndrojnë këtu, apo ndoshta nuk duan, sepse provinca të mbyt?
Jam shumë krenar me atë që po arrijnë fëmijët e mi. Shpresa e tyre për të mbetur këtu është e shuar. Por edhe unë vetë jam ai që do t’i inkurajoj të gjejnë veten aty ku respektohen, aty ku vlerësohen dhe me dashuri ushtrojnë profesionin. Ëndrrat realizohen aty ku ka hapësirë dhe mundësi të mëdha. Këtu gjithçka po kthehet në geto, fatkeqësisht. Ky vend s’është aspak më ai ku unë u linda dhe u rrita. Është e dhimbshme.
Si e sheh situatën politike, edhe pse je artist?
I huaj dhe i pashpresë në shtëpinë tënde…
Je këngëtar, instrumentist, kompozitor dhe poet. Sa e vështirë është të krijosh në këtë realitet shqiptar?
Të krijosh mundesh shumë, por s’ke për kë. Këndoj për vete dhe për ata pak njerëz që ende ruajnë vlerat thellë në vete. Kam një studio ku kaloj shumë kohë. Incizoj për vete, por edhe për kolegë që ende këndojnë këngë të bukura e me vlera të mirëfillta. Unë jam jashtë trendit, sepse trendi është diçka e degjeneruar që unë vetë nuk do ta quaja muzikë.
S’e kam problem. Jetoj me ato pak gjëra që i ruaj brenda vetes dhe rreth vetes. Koha nuk ka ndikim tek unë, sepse e bukura mbetet brenda gjithë jetën. Shpirti, në esencë, nuk ndryshon kurrë. Andaj, jam ky që jam: i drejtë, i sinqertë, i drejtpërdrejtë, i miqësueshëm me të gjithë ata që e meritojnë. Muzika dhe dielli janë dy gjëra që më bëjnë të ndihem gjallë – janë dashuritë e para. Pastaj familja ime, që më plotëson botën time, dhe ndonjë mik i vërtetë që ka mbetur – sa për të shijuar kafen çdo ditë.
Cilën këngë e këndon me më shumë dëshirë, nga ato që i këndon zakonisht?
Ka shumë, por ajo që më mbeti nga rinia është “Shkëmbi i Kujtimit”, një këngë e vjetër e grupit Fontana. Ka dhe shumë të tjera që i këndoj me të njëjtën dashuri, sepse ajo kohë ka lënë gjurmë të thella në muzikën e bukur që ka pasur ky popull. Kështu që sot zgjedh nga ato këngë që janë harruar, i përpunoj me kujdes dhe i risjell për dashamirët e këngës. Kënga e bukur duhet të jetojë gjithmonë – kështu e mendoj unë.
A ke këngë të shkruara nga ti?
Kam shkruar shumë këngë, por ato mbeten në letër duke parë se gjithçka ndryshoi në botën e muzikës. Nga të gjitha, kam realizuar vetëm një: ajo me titull “Fotografia”. Gjithashtu kam shkruar dhe kompozuar një këngë për vajzën time, e cila si premierë u këndua dhe ngeli si himn i festivalit për fëmijë “Gëzimi ynë” që realizova në Preshevë. Për herë të parë festivalin për fëmijë e fillova unë në vitin 2003, duke parë se bota e fëmijëve kishte nevojë më shumë se kushdo.
Si e sheh rininë në Luginën e Preshevës?
Është më e bukur se kurdo, e shëndoshë, e veshur mirë, me kushte të mira që kurrë s’i patëm ne. Por… sikur s’e kanë prekur jetën mjaftueshëm. Rini e telefonave, me një jetë virtuale, e deformuar që në vegjëli. Rini që pak ose fare njohin artin dhe vlerat. Rini që s’e preku jetën mjaftueshëm. Rini e rrjeteve sociale. Rini pa lojërat tona që kishim dikur… ndoshta, ndoshta edhe pa një plan – guxoj të them edhe rini pa ëndrra. Rini që s’luan një instrument muzikor, rini që anashkalon edhe sportin… s’e di. Ose unë jam plakur pak, ose gjërat vërtet kanë ndryshuar në mënyrë radikale.
A po mbështeten krijuesit e rinj?
Një shkollë muzike na ka munguar dhe po na mungon shumë, sepse na ka gjymtuar. Por sidoqoftë, kushtet janë më të mira se kurdoherë më parë. Megjithatë, entuziazmi i tyre është jetëshkurtër. Nuk them se do të mungonte mbështetja, po të kishte artdashës dhe krijues si dikur. Një shembull: në Preshevë kemi shoqërinë e muzikës SH.K.A. “Presheva”, e cila po shtrin aktivitetin tash 6 vite. Në të ardhmen, e shohim të shuar këtë aktivitet, sepse s’kemi të rinj që kanë interesim të vijnë, të bashkohen, dhe të mbeten trashëgimtarë të ansamblit tonë. Kjo sqaron gjithçka.
Presheva po zbrazet.
Fatkeqësisht, një realitet shumë i hidhur… por fati duhet kërkuar.
Kë do të fajësoje, kur thuajse çdo i ri ka ëndërr të largohet nga Presheva?
Ka shumë faktorë që Preshevën e sollën deri në këtë pikë. Dikur, me fanatizëm, ëndërroja se ky vend do të ngjitej drejt zhvillimit, por ndodhi e kundërta.
Le të flasim pa doreza: A po rrezikohet Presheva të mbetet vetëm me pleq e fëmijë?
Ajo që ndodh me të gjitha vendet e harruara dhe pa shpresë për punë dhe mbijetesë, po ndodh edhe tek ne. Kështu si kanë filluar dyndjet e të rinjve, mund të ndodhë që të mbeten vetëm mosha e vjetër – bile edhe pa kujdesin e fëmijëve të tyre.
Edhe pse Presheva i ka sytë nga diaspora, po e shohim që nuk po vijnë shumë. A mungojnë aktivitetet kulturore që do t’i afronin ata?
Aty ku ka njerëz, ka gjithçka. Edhe nga asgjë bëhet diçka. Por kur edhe njerëzit mungojnë, atëherë shuhet gjithçka – bie në agoni arti dhe çdo gjë në skenë. As publik s’na ka mbetur shumë, fatkeqësisht.
Skender, më lejo ta them publikisht: e meriton të jesh drejtor i Shtëpisë së Kulturës. Sepse je artist që ke shkrirë jetën në atë institucion. A do ta pranoje një post të tillë?

Postet s’i kam dashur kurrë. Siç më thoshte e ndjera profesoresha Sahadete Presheva: “Skend, të kemi një prapaskenë të fortë që s’dukesh fare, por që pa ty s’do t’ia dilnim dot të realizojmë shfaqjet skenike.” Pra, më pëlqen të bëj punën dhe të mos dukem fare. Drejtor? Sigurisht që jo, sepse punët administrative s’janë ato që i dua. E dua skenën dhe çdo gjë që ndodh në skenë – bile e vuaj dhe më mungon sa herë që mungojnë ato.
Në fund të kësaj interviste, të pyes drejtpërdrejt: A je i luhatur mes idesë ‘pse nuk u largova edhe unë për një jetë më të mirë materiale’?
Tani, më shumë se kurdoherë. Ka vite që e mendoj. Njerëzit e artit duhet të jetojnë në vende ku gëzojnë respekt dhe puna e tyre vlerësohet lart e me dashuri. Presheva mirëpret këdo mysafir, por njeriun e vet nuk e çmon. Të falin gjithçka, por suksesin – assesi, fatkeqësisht. Vlerat mbeten të shuara në Preshevë, edhe pas shumë vitesh.
Dije se je një shembëlltyrë dhe flamurtar i ruajtjes së kulturës sonë. Në këtë flamur janë edhe figura të tjera të rëndësishme si profesoresha Sadete Presheva, Agron Borici, e të tjerë si ata.
Me të dy, të ndjerë tani më, kam kaluar dhe ndarë shumë kohë dhe bashkëpunim. Gati se çdo shfaqje apo event që kanë bërë ata, unë kam qenë pjesë e grupit realizues. Ty të faleminderit që ke ndarë kohë për mua. Ke qenë dhe je një njeri që çmon vlerat, që ke një sens të veçantë gazetarie dhe shkrimi, dhe gjithashtu u ke dhënë njerëzve mjaft – sa për të mos u harruar kurrë. Faleminderit që nuk na harroni. Të kemi ambasador të Luginës së Preshevës. E dijmë punën tënde të madhe që e ke bërë e që po e bënë e Luginën e Preshevës nuk e harron. Përqafime nga unë.
Kliko për ti dëgjuar disa këngë nga z.Halimi: