Oltiana Muharremi Pelari, Ph.D.
Associate Professor of Accounting
Department of Business Administration
Leo J. Meehan School of Business
Stonehill College/
Mbas viteve 90, Shqipëria ka patur ndër ritmet më të larta të emigrimit në dekadat e fundit në botë, një pjesë e së cilës përfshin një nivel të konsiderueshëm shkencor, si ish akademikë, kërkues shkencor, dhe në vitet e fundit doktorantë të diplomuar dhe studentë të doktoraturës.
Globalizimi dhe rritja e ndërlidhjes së ekonomive, shoqërive dhe kulturave ka patur ndikim të madh dhe në jetën e arsimit të lartë dhe atë akademik. Ndërkombëtarizimi i arsimit të lartë është shoqëruar me lëvizshmërinë e studentëve midis vendeve dhe institucioneve në pjesë të ndryshme të botës. Përveç lëvizjes fizike janë edhe nisma të tjera që globalizojnë arsimin si rrjetet ndërkombëtare të kërkimit shkencor, harmonizimi i kurrikulave, kurset online, hapja e degëve të universiteteve në vende të ndryshme, si dhe skema dy dhe shumëpalëshe për shkëmbimin e studentëve dhe stafeve akademike.
Migrimi i kualifikuar, akademik dhe shkencor çon në dy kontekste globale. Një prej tyre është dukuria e “shkëmbimit të trurit” midis vendeve shumë të zhvilluara që mund të shihet si një përvojë trajnimi për menaxherët dhe profesionistët e ardhshëm të cilët do ndërmarrin karriera në biznese ose organizata ndërkombëtare, shërbime diplomatike etj. Skenari i dytë është “rrjedhje e trurit” e studentëve dhe e të diplomuarve nga vendet më të varfra drejt atyre më të pasura. Një fenomen mjaft i përhapur dhe në Shqipëri ku studentët emigrojnë për studime por nuk kthehen më në vendin e tyre.
Westminster Foundation for Democracy (WFD) në një studim të vitit 2018 mbi Rininë në Evropën Juglindore tregon se më shumë se 40 % e të rinjve në Shqipëri kishin një dëshirë të lartë për të lëvizur jashtë vendit dhe shumica e tyre nuk donin të ktheheshin më. 17 % kishte si motiv kryesor një edukim më të mirë. Shkollimi i një individi i cili ka përfunduar në vitin 2018, duke përfshirë shkollën fillore (nëntëvjeçare) deri në shkollën e mesme (katërvjeçare) deri në përfundimin e studimeve akademike (që kanë zgjatur mesatarisht pesë vjet), ka kushtuar rreth 18,000 €. Shpenzimet e një arsimi të mesëm katërvjeçar që përfundoi në vitin 2018 ishin disi mbi 9,000 €, ndërsa një arsim fillor nëntëvjeçar kushtonte rreth 6,000 €. Përllogaritja e kostove të shkollimit të doktoraturës nuk bëhet lehtë për shkak të mungesës së informacionit të detajuar në strukturat e nevojshme. Vlerësohet se mesatarisht rreth 32,000 € shpenzohen për arsimimin e doktoraturës. Shumë studentë shqiptare zgjedhin të emigrojnë dhe si pasojë e këtij fenomeni Shqipëria ka humbje potenciale financiare në rreth 140 milionë Euro në vit. Ka raste kur kostot financiare mund të zvogëlohen ose të kompensohen si nëpërmjet dërgimit të remitancave, ose bashkëpunime me institucionet vendase duke transferuar know how, atëherë ky fenomen në vend që të varfërojë vendin e origjinës mund ta çojë atë drejt zhvillimit.
Gëdeshi dhe King, 2019 tregojnë që diaspora shkencore shqiptare është relativisht e re; 72% janë nën 40 vjeç dhe vetëm 2.3% janë 60+. Ka një shumicë femrash në diasporën shkencore shqiptare (57.4%). Ka studentë doktorature të shpërndarë në pesë kontinente dhe mbi 40 vende të ndryshme, 72% e të anketuarëve jetojnë në gjashtë vende: Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) (28.3%), Itali (15.3%), Francë (7.4%), Kanada (7.4%), Mbretëri e Bashkuar (MB) (7.2%) dhe Gjermani (6.2%). Diaspora shkencore shqiptare është e përhapur në një gamë të gjerë fushash studimi. Rreth 19% kanë studiuar (ose janë duke studiuar) shkencat sociale, 18% biologji, matematikë, fizikë ose kimi, 17% ekonomi dhe studime biznesi, 14% mjekësi dhe fusha të ngjashme, 13% inxhinieri ose ndërtim, dhe 10% informatikë ose elektronikë. Pjesa e mbetur prej 9% shpërndahet në fusha të ndryshme si ligji, arkitektura, gjuhët dhe media.
Një karakteristikë tjetër e rëndësishme e diasporës shkencore është rritja e saj e shpejtë në vitet e fundit. Studentët shqiptarë zgjedhin të kryejnë studimet në nivel universiteti dhe master në vendet afër kryesisht për shkak të kostove më të ulta dhe zgjedhin vende si SHBA, MB, ose Kanada për programet e doktoraturës. Ndër motivet e përgjithshme dhe faktorë të veçantë të vendeve pritëse për studime doktorature janë reputacioni i universitetit pritës dhe/ose marrja e bursës, pasuar nga mundësitë e punësimit si dhe lidhjet emocionale me anëtarët e familjes dhe miqtë në vendet që kanë studiuar e jetuar.
Diaspora akademike shqiptare në SHBA i referohet shqiptaro-amerikanëve me kredenciale akademike, të cilët kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm në fushën e arsimit dhe kërkimit shkencor në SHBA. Ajo luan një rol të rëndësishëm në kërkimin, edukimin dhe shkëmbimin kulturor. Popullsia shqiptare në SHBA është shumë e përqëndruar në disa shtete: Nju Jork, Miçigan dhe Massachusetts përbëjnë pothuajse 60% të të gjithë shqiptarëve amerikanë. Komuniteti në Massachusetts është më i arsimuari; më i punësuari dhe ka të ardhurat më të larta mes të treve, por është edhe më i vjetri për sa i përket demografisë. Gjenerata e dytë shpesh shfaq specializim në fusha ku pjesa e të diplomuarve është më e lartë se mesatarja kombëtare, duke treguar një prirje drejt fushave specifike të ekspertizës.
Punësimi i doktorantëve është më së shumti në sektorin akademik: si universitete, institute kërkimore dhe laboratorë shkencorë, në firma private dhe në institucione publike. Përqindja e punësuar në universitete dhe institucionet e bazuara në kërkime është më e lartë në MB, SHBA, Gjermani dhe Hollandë. Diaspora shkencore shqiptare, kryesisht emigrantët në moshë të rritur të brezit të parë mbajnë kontakte të shpeshta me ish kolegë por edhe me bashkëqytetarët shqiptarë jashtë vendit, duke ruajtur identitetin dhe ndjenjën e përkatësisë shqiptare.
Diaspora shkencore shqiptare është e integruar në nivel individual në normat, vlerat dhe qëndrimet që rregullojnë sjelljen akademike dhe profesionale në vendet në të cilat jetojnë por ka kapital të dobët strukturor social përsa i përket anëtarësimeve në shoqatat, institucionet dhe rrjetet shqiptare. Individë të shumtë japin kontribut në zhvillimin e vendit nëpërmjet bashkëpunimit në distancë me universitetet, institutet shkencore, bizneset dhe qeverinë. Mund të përmendim dhënia e leksioneve si të ftuar, pjesëmarrje në seminare dhe konferenca, projekte të përbashkëta dhe konsulencë, artikuj shkencor si dhe mbikëqyrje të temave të doktoraturës. Shumica e bashkëpunimeve ndër vite është bazuar në marrëdhëniet personale dhe nismat individuale. Vitet e fundit janë duke u ndërmarrë nisma për zhvillimin institucional dhe janë krijuar disa programe bashkëpunimi si Read dhe Germin.
Programi READ Fellowship ofron një program bursash të formalizuar dhe të strukturuar përmes të cilit diaspora akademike shqiptare mund të kontribuojë në zhvillimin e IAL-ve në Shqipëri dhe zhvillimin e përgjithshëm të kërkimit shkencor në vend. Shqipëria po përjeton një hendek të madh në aftësitë e fuqisë punëtore të saj, veçanërisht në inovacion, teknologji dhe sipërmarrje. Prandaj, për të adresuar këtë çështje, GERMIN, në partneritet me EU4Innovation, ka prezantuar iniciativën Diaspora për Edukimin e Sipërmarrjes. Ky projekt synon të shfrytëzojë njohuritë dhe përvojën e diasporës shkencore shqiptare për të përmirësuar kurset universitare duke integruar sipërmarrjen dhe inovacionin në programe të ndryshme studimi.
Referenca:
- Gëdeshi, I., and R. King. 2019. “The Albanian Scientific Diaspora: Can the Brain Drain be Reversed?” Migration and Development 10 (1): 19–41. https://doi.org/10.1080/21632324.2019.1677072.
- https://germin.org/calling-diaspora-scholars-to-engage-with-albanian-higher-education/
- https://www.iie.org/programs/research-expertise-from-the-academic-diaspora/
- https://www.wfd.org/what-we-do/resources/cost-youth-emigration-western-balkans