/ Nga: PhD: Xhavit LIPAJ, Andermatt /
/ Një përjetim që nuk harrohet/
Hyrje
Disa njerëz na shohin vetëm kur jemi pranë. Të tjerët, na ndiejnë edhe kur nuk jemi më. Dhe pastaj… ka ata që, edhe pse kanë harruar emrin e tyre, nuk harrojnë ndjesinë që u ke lënë.
Kjo poezi nuk lindi për të treguar një histori, por për të nderuar një shpirt që më njohu në heshtje. Një kujtim pa fjalë, që më kujtoi se njeriu nuk harrohet, veçse ndihet. Sot e takova pacienten me demencë. Ajo nuk e dinte që unë kisha munguar, por sytë e saj u ndalën mbi mua me një lloj gëzimi të rrallë, si kur dikush sheh diçka të njohur në një botë që ndryshon pa pushim.
Ajo më tha: “Shef… këtu je? Erdhe prapë? Sa mirë…”
Këtu kuptova, se ekziston një lloj njohjeje, që nuk varet nga kujtesa. Një prani që ngelet si shenjë, në një vend të heshtur të shpirtit, aty ku as sëmundja nuk arrin të fshijë gjithçka. Ky takim më mësoi dhe është kështu se ka një kujdesje që nuk kërkon emra, as histori, as shpjegime. Ka një lloj kujtimi që nuk ndodhet në mendje, por në shpirt, aty ku njeriu nuk harrohet,veçse ndihet.
Kur harresa të njohu?
“Shef… këtu je? Erdhe prapë? Sa mirë…”
Zemra m’u drodh.
Ajo s’dinte që kisha munguar.
S’dinte as për netët e mia
që zvarriteshin si hije, as për zërat në errësirë
që nuk ishin të miat.
Ajo nuk dinte për dhimbjen time,
por dinte për mua.
Dinte që kisha qenë,
dhe tani isha prapë.
Në shpirtin e saj të thyer,
ndezur me gjysmë dritash, që fikeshin
sa herë që shihte orën, kish mbetur
një fije e pashpjegueshme, e pranisë sime.
Një kujtim pa fotografi.
Një ndjesi që,
s’mund të humbasë,
as kur bota vetë tretet në mjegull.
Dhe unë…qava. Pa lot. Me heshtje.
Se ka një lloj dhimbjeje
që nuk të copëton, por të shenjtëron:
të jesh i kujtuar nga dikush, që ka harruar edhe veten.
Puna nuk është pagë. As uniformë. As orar.
Është vendi ku prek me duar të padukshme
shpirtin e dikujt, që s’të thërret me emër,
por të njeh me zemër.
Ajo nuk më pyeti pse kisha munguar.
S’kishte rëndësi.
Në botën e saj, çdo kthim është rilindje,
dhe çdo fytyrë që kthehet, është një mrekulli që ia vlen të mbetet.
Dhe unë pashë veten me sytë e saj.
Jo si një punëtor.
Jo si një infermier.
Jo si një shef.
Por si një mungesë
që dhe harresa e ndien.
Si një ndjesi,
që nuk shuhet.
E ndjeva shpirtin
të më përqafohej
nga një e vërtetë
e trishtë:
Kur harresa të njeh, ke lënë pas jo veç punë,
por gjurmë që s’fshihen, as nga koha,
as nga truri, as nga vdekja që vjen ngadalë,
por jo mjaftueshëm për të fshirë ndjesinë.
Ky shkrim është një përkujtim.
Një falënderim për një paciente që, megjithëse kishte harruar gjithçka, nuk harroi të më njohë. Në një botë ku gjithçka venitet, ka ende vende në shpirtin e njeriut, ku ndjesia mbetet, pa emër, por e vërtetë.
Enkas për SAM24.info