/ Nga: Dashnim HEBIBI, Zürich/ Në një takim lamtumire të mbajtur në Ambasadën e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Zagreb, Ambasadori Milaim Fetai mirëpriti me nder Dr. Mladen Nakić, president i Këshillit Atlantik të Kroacisë. Gjatë këtij takimi miqësor dhe përplot vlerësim, Ambasadori Fetai u nderua me një mirënjohje të veçantë për kontributin e tij shumëvjeçar në mbështetje të misionit, punës dhe objektivave të Këshillit Atlantik – një institucion me rëndësi të veçantë në arkitekturën e sigurisë euroatlantike.
Ambasadori Fetai theksoi se bashkëpunimi me këtë institucion ka qenë gjithmonë i ndërtuar mbi sinqeritetin, respektin dhe përkushtimin e ndërsjellë për vlerat e sigurisë, paqes dhe mirëkuptimit ndërkombëtar.

Në përmbyllje të mandatit të tij diplomatik në Kroaci, ambasadori Fetai largohet duke lënë pas një trashëgimi të fuqishme bashkëpunimi institucional dhe mbështetje të vazhdueshme ndaj mërgatës shqiptare. Ai ka qenë një zë i fuqishëm në përfaqësimin e interesave të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, duke u dalluar për qasjen e tij të thjeshtë, të afërt dhe gjithmonë në shërbim të komunitetit.
Mërgata shqiptare në Kroaci do ta kujtojë ambasadorin Fetai si një nga përfaqësuesit më dinjitoz e të respektuar, i cili me përkushtim, urtësi dhe modesti, ka lartësuar figurën e diplomatit dhe ka forcuar urat e bashkëpunimit mes dy shteteve dhe komuniteteve tona.
Faleminderit nga zemra, Ambasador Fetai!
Kontributi juaj do të mbetet i paharruar.